Vendimi / Do falen edhe taksat vendore, ja çfarë përfiton biznesi dhe qytetarët sipas kategorive nga 2014-2026

Sipas ligjit, të gjitha detyrimet vendore të krijuara deri më 31 dhjetor 2014 fshihen plotësisht, pa asnjë pagesë. Kjo do të thotë se qytetarët dhe bizneset që kanë pasur detyrime të papaguara për këtë periudhë përfitojnë një “zeroim” total të tyre.

Ligji nr. 86/2025 “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e vendore dhe e detyrimeve të pagueshme në doganë” zgjeron konceptin e paqes fiskale përtej tatimeve qendrore, duke përfshirë qartësisht edhe detyrimet vendore. Për herë të parë, falja dhe reduktimi i detyrimeve shtrihet në mënyrë të strukturuar edhe mbi taksat dhe tarifat që administrohen nga bashkitë.

Sigal

Ky zhvillim është i rëndësishëm jo vetëm për bizneset, por edhe për individët që mbartin detyrime të vjetra për taksën e pronës, taksën e infrastrukturës, tarifat vendore apo detyrime të tjera të krijuara ndër vite.

Çfarë fshihet plotësisht?

Sipas ligjit, të gjitha detyrimet vendore të krijuara deri më 31 dhjetor 2014 fshihen plotësisht, pa asnjë pagesë. Kjo do të thotë se qytetarët dhe bizneset që kanë pasur detyrime të papaguara për këtë periudhë përfitojnë një “zeroim” total të tyre.

Kjo masë synon të mbyllë kapitujt e vjetër fiskalë dhe të pastrojë regjistrat e borxheve të akumuluara para më shumë se një dekade.

2015–2019: Pagesë e pjesshme, falje e pjesës tjetër

Për detyrimet vendore të krijuara nga 1 janari 2015 deri më 31 dhjetor 2019, ligji ofron dy alternativa: Pagesë e 50% të detyrimit kryesor deri më 30 qershor 2026, ndërsa 50% e mbetur falet; Pagesë e 75% të detyrimit kryesor deri më 31 dhjetor 2026, dhe 25% falet.

Në të dy rastet, të gjitha gjobat dhe kamatëvonesat fshihen plotësisht.

Pra, nëse një biznes apo individ ka akumuluar për këtë periudhë jo vetëm detyrim kryesor, por edhe penalitete dhe interesa, ligji i heq të gjitha penalitetet, duke kërkuar vetëm një pjesë të detyrimit bazë.

Një tjetër element i rëndësishëm: nëse detyrimi kryesor është paguar më parë dhe kanë mbetur vetëm gjoba apo kamatëvonesa, edhe ato falen.

2020–2024: Falje e penaliteteve me kusht pagesën e plotë

Për detyrimet e krijuara nga 1 janari 2020 deri më 31 dhjetor 2024, kërkohet pagesa e plotë e detyrimit kryesor deri më 31 dhjetor 2026. Në këmbim, falen të gjitha gjobat dhe kamatëvonesat.

Kjo periudhë konsiderohet më e afërt në kohë dhe ligjvënësi ka zgjedhur një qasje më konservatore: falje e penaliteteve, por jo e principalit.

Kush përjashtohet?

Ligji nuk zbatohet për subjektet që janë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepra në fushën tatimore dhe/ose doganore, janë në proces gjyqësor apo në hetim penal për këto vepra.

Pra, paqja fiskale nuk është një amnisti për rastet me elementë penalë, por një mekanizëm administrativ për mbylljen e detyrimeve të akumuluara.

Roli i vetëdeklarimit dhe e-Albania

Një element praktik me rëndësi është lidhja e këtij ligji me formularin e vetëdeklarimit që Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore (DPTTV) ka dërguar përmes platformës e-Albania.

Nëse një tatimpagues ka prona apo sipërfaqe të padeklaruara që përdoren për qëllim tregtar, plotësimi dhe dërgimi i formularit të vetëdeklarimit brenda datës 30 qershor 2026 i shmang gjobat dhe kamatëvonesat për periudhën që mbulon ligji – si për biznesin, ashtu edhe për pronën që përdoret për qëllim tregtar.

Kjo e kthen procesin në një kombinim mes faljes dhe formalizimit.

Çfarë nënkupton kjo për bashkitë?

Përfshirja e taksave vendore në skemën e faljes është një sinjal i qartë i një qasjeje të koordinuar mes administratës qendrore dhe asaj vendore. Nga njëra anë, bashkitë humbasin një pjesë të të ardhurave potenciale nga penalitetet; nga ana tjetër, përfitojnë arkëtimin e principalit dhe pastrimin e stokut të borxhit të vjetër.

Në terma fiskalë, kjo masë synon rritjen e arkëtimeve reale në periudhë afatshkurtër, formalizimin e bazës së tatimpaguesve, përmirësimin e disiplinës tatimore në vijim.

Një reset fiskal me afat

Ligji nr. 86/2025 vendos një afat të qartë: fundi i vitit 2026. Deri atëherë, qytetarët dhe bizneset kanë mundësinë të mbyllin detyrimet e vjetra me kosto të reduktuar.

Në kuadër të paqes fiskale, përfshirja e taksave vendore e bën këtë ligj një nga ndërhyrjet më gjithëpërfshirëse të viteve të fundit në raportin mes shtetit dhe tatimpaguesit. Sfida tani mbetet te zbatimi: sa do të përfitojnë realisht dhe sa do të përdoret kjo dritare për të formalizuar ekonominë dhe për të pastruar bilancet fiskale të mijëra subjekteve në të gjithë vendin.