Vaksina Covid-19 në një këndvështrim bioetik

361
Sigal

Analizë nga Prof.Dr. Bardhyl Çipi: Çfrë i ndodh trupit pasi preket me Covid, si formohet imuniteti ndaj këtij virusi dhe shfaqja e sëmundjes. Tre drejtimet kryesore të vaksinës, rëndësia e kryerjes në kohë të dy dozave dhe këshillat për qytetarët dhe familjet e tyre.

 

Çfarë i ndodh trupit pasi preket me Covid, si formohet imuniteti ndaj këtij virusi, pa shfaqjen e kësaj sëmundjeje dhe roli i vaksinën

Vaksina Covid-19 në një këndvështrim bioetik

Prof.dr. Bardhyl Çipi

 

Vaksina covid-19 vepron në tre drejtime kryesore:

-pakëson sëmundshmërinë dhe vdekshmërinë e kësaj sëmundjeje,

-minimizon pasojat e kësaj pandemie në infrastrukturën sociale dhe ekonomike

-ngushton sa më shumë pabarazitë në sigurimin e ndihmës mjekësore

 

Shkenca e bioetikës që ka mbi 50 vite që ka lindur, për fat të keq ka mbetur ende e panjohur nga publiku i gjerë si te ne, ashtu dhe në vendet e tjera. Bioetika mund të konsiderohet si zhvillim i mëtejshëm i Etikës, Deontologjisë, të Drejtës Mjekësore, Mjekësisë Ligjore etj. Të gjitha këto disiplina  kanë si qëllim të përbashkët respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Në dallim nga këto disiplina, bioetika ka në fokus të saj shqyrtimin dhe zgjidhjen e qëndrimeve që duhet të mbajë njerëzimi ndaj zhvillimeve të reja në rang botëror, si ato pozitive ashtu dhe ato negative, ku në këto të fundit mund të përfshihen edhe ato ndaj pandemisë covid-19.

Për këtë arsye, fryma bioetike në shqyrtimin e kësaj pandemie, që ka të bëjë më shumë me përpjekjet për gjetjen e një balance sa më të drejtë ndërmjet masave mbrojtëse ndaj kësaj sëmundjeje shumë të rrezikshme infektive dhe respektimit e mbrojtjes së lirive individuale, ka një rol të rëndësishëm.Nga ana tjetër, një veçori e bioetikës është edhe karakteri i saj ndërdisiplinor, që përcaktohet nga fakti se, në shqyrtimin e çështjeve të saj, marrin pjesë specialistë të fushave të ndryshme nga shkencat sociale, filozofia, drejtësia, mjekësia, infermieria, ekonomia etj.Prandaj roli i saj në krizën e sotme të krijuar, do të jetë i vlefshëm për të ndihmuar si mjekët klinicistë të sëmundjeve infektive, epidemiologë, ashtu dhe ata që marrin vendime për qëndrimet që duhen mbajtur ndaj situatave të vështira të krijuara nga kjo pandemi.

Një nga këto çështje të rëndësishme është edhe ajo e vaksinës, që ka filluar të përdoret sot në të gjithë botën.

 Vaksina covid-19 dhe roli i saj në parandalimin dhe përhapjen e kësaj sëmundjeje

 Një vit e gjysmë pas shfaqjes së pandemisë botërore të covid-19 që shkaktoi vdekje të panumërta dhe një shkatërrim të madh të ekonomisë në të gjitha vendet, vihet re një pakësim i dukshëm i rrezikut prej saj. Kjo ka ndodhur për shkak të daljes së një vaksine të re që po e lufton me sukses përhapjen e kësaj sëmundjeje të rëndë ngjitëse.

Vaksina covid-19 vepron në tre drejtime kryesore:

-pakëson sëmundshmërinë dhe vdekshmërinë e kësaj sëmundjeje,

-minimizon pasojat e kësaj pandemie në infrastrukturën sociale dhe ekonomike të vendeve të ndryshme,

-ngushton sa më shumë që të jetë e mundur pabarazitë në sigurimin e ndihmës mjekësore të vendeve të pasura ndaj atyre të varfra si dhe popullatave të margjinalizura për arsye sociale, etnike etj. Por shpejtësia me të cilën kjo vaksinë e re është prodhuar dhe shpërndahet, ka bërë që të dalin probleme të tjera të karakterit bioetik, ku në radhë të parë është ai i qenies ose jo të sigurt të vaksinës, në kuptimin që dëmtimet e ndodhura nga përdorimi i gjerë i saj të jenë të parëndësishme ndaj rreziqeve të kësaj sëmundjeje; ai i detyrimit të shpërndarjes së saj edhe për vendet më pak të zhvilluara, në dyshimin se mos përdorimi në masë të gjerë i kësaj vaksine po kryhet në kundërshtim me parimet e Kodit të Nurembergut (dokumenti i parë juridik ndërkombëtar i bioetikës) etj.

Për eksperimentimin human me vaksinën covid-19, duhen zbatuar një sërë rregullash etike, kjo  sidomos, në lidhje me përgjegjësinë e shoqërisë për respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, nëpërmjet konsentit (miratimit), që duhet të jepet nga personi që eksperimentohet ose vaksinohet.

 Cilat janë mekanizmat e veprimit të vaksinave covid-19 ?

Vaksina covid-19 e ndihmon trupin e njeriut që të formojë imunitet ndaj këtij virusi, pa shfaqjen e kësaj sëmundjeje. Prekja nga ky virus, do të pasohet me reagimin e sistemit imunitar të njeriut, në radhë të parë me anën e limfociteve B, që prodhojnë antitrupat specifike për këtë virus(imunoglobulinat), që i përkasin imunitetit humoral dhe limfocitet T që prodhojnë citokinat, që i përkasin imunitetit qelizor. Në fakt, një pjesë e limfociteve T kanë si funksion të kapin një qelizë të infektuar nga ky virus, të depërtojnë membranën e saj dhe t’i injektojnë citokinat, produkte kimike që e shkatërrojnë këtë qelizë. Pra, virusi në këtë infeksion nuk strehohet dhe as nuk replikohet brenda limfociteve T. Nuk duhet harruar që citokinat që prodhojnë këto limfocite, ndihmojnë edhe në pjekjen e limfociteve B dhe prodhimin e antitrupave prej tyre.

Por nganjëherë kjo përgjigje imunitare e trupit të njeriut nga ky virus, mund të shoqërohet me avancim të madh të infeksionit, pavarësisht se shumica e viruseve janë larguar nga trupi i njeriut dhe si rrjedhim kemi shtim të prodhimit të citokinave, gjë që e rëndon gjendjen e këtyre pacientëve, duke u shoqëruar me një prekje të rëndë të mushkërive: sindroma e detresit respirato. Reagimi i trupit të njeriut ndaj këtyre  viruseve  do të shoqërohet me formimin e imunitetit që nënkupton aftësinë që ka trupi i njeriut për t’i rezistuar një prekjeje  të re nga këto sëmundje në një kohë të mëvonshme, kjo për arsye, se në trupin e njeriut, një pjesë e këtyre limfociteve që kanë luftuar këto infeksione kthehen në qeliza të kujtesës që do të veprojnë në rastin e një sulmi  të ri nga këto viruse (imuniteti), gjë që mund të arrihet edhe me anën e vaksinimit përkatës (Ëessner, 2020).Krijimi i vaksinës favorizohet nga fakti se ky virus paraqet një mutacion shumë më të ulët në krahasim me HIV, nga ana tjetër gjenomi i virusit nuk integrohet me gjenomin e qelizës humane strehuese; më në fund te njeriu përgjigja imunitare është shumë e fortë ndaj këtij virusi.

Vaksinat që përdoren sot, ofrojnë mënyra të ndryshme mbrojtjeje, por rezultati përfundimtar i tyre, është formimi i limfociteve T (të kujtesës) dhe limfociteve B që prodhojnë antikorpet që luftojnë këtë virus.

Zakonisht duhen disa javë që trupi i njeriut të prodhojë këto limfocite pas vaksinimit. Për këtë arsye, njeriu mund të preket nga kjo sëmundje, si përpara vaksinimit ashtu dhe pas saj, kjo sepse vaksina nuk ka pasur kohën e nevojshme për të krijuar mbrojtjen e saj.

Nganjëherë pas vaksinimit, procesi i krijimit të imunitetit mund të shoqërohet me simptoma si ethe etj., por që konsiderohen normale gjatë krijimit të imunitetit.

Llojet e shumta të vaksinave covid-19, që janë mbi 50 ato më kryesoret, e krijojnë imunitetin e njeriut ndaj kësaj sëmundjeje në mënyra të ndryshme:

-Vaksinat me virus që janë më të vjetrat, përmbajnë një virus të dobësuar ose një virus të vrarë (të inaktivizuar), si p.sh vaksinat kineze.

-Vaksinat me vektorë viralë që përdorin jo virusin covid-19, por viruse të tjera të padëmshme për njeriun, të cilët janë transformuar dhe u janë shtuar një pjesë të virusit covid-19. (vaksina astrazeneka). Kjo metodë ka përparësi se vepron në një numër sa më të madh të llojeve të ndryshme të viruseve.

-Vaksinat me subunitete proteinike që përmbajnë pjesë të virusit covid-19 të dobësuar, në vend të virusit të plotë, vaksina ‘Pfizer’. Pas vaksinimit, sistemi imun i njeriut i njeh këto proteina që nuk i përkasin atij dhe fillon menjëherë prodhimin e limfociteve B dhe limfociteve T.

Shumica e vaksinave merren me dy doza. Doza e parë fillon shfaqjen e mbrojtjes, ndërsa e dyta disa javë më vonë siguron mbrojtjen më të madhe ndaj këtij virusi.

Ndikimi i vaksinës covid-19 në shfaqjen e mutacioneve të koronavirusit

Mutacionet që pëson virusi covid-19 mund të pakësojnë veprimin mbrojtës të vaksinës, siç ka ndodhur me shfaqjen e varianteve të reja jug-afrikane apo indiane. Por edhe vaksinat nga ana e tyre mund të ndikojnë në shfaqjen e mutacioneve virale.

Ky është një fenomen që ndodh shpesh në mjekësi, ku shumë bakterie gradualisht evoluojnë për t’u adaptuar ndaj veprimit të antibiotikëve, duke u krijuar të ashtuquajturat shtamet rezistence të tyre. Edhe për viruset ndodh një fenomen i tillë por jokrejtësisht i njëjtë. Kur një virus covid-19 sulmon një person, sistemi imunitar i tij përgjigjet. Karshi kësaj përgjigjeje, virusi reagon, duke pësuar mutacione gjatë riprodhimit të tij. Në qoftë se ndonjë nga këto viruse të reja t të krijuara pas këtyre mutacioneve, i shpëtojnë përgjigjes imunitare të njeriut, ato ka shumë mundësi të mbijetojnë dhe të infektojnë persona të tjerë. Kjo gjë ndodh zakonisht te personat e pavaksinuar.

Ndërsa për ata që vaksinohen, fenomeni i mutacionit të virusit mund të ndodhë në intervalin midis dozës së parë dhe të dytë të vaksinës (kjo e fundit e rrit në maksimum përgjigjen imunitare).Pra në rastet kur vonohet dhënia e dozës së dytë të vaksinës, sipas kësaj pikëpamjejedo të shpejtohet formimi i viruseve të reja që kanë pësuar mutacione.

Por sipas një pikëpamjeje tjetër, sa më të largëta të jenë intervalet midis dy dozave të vaksinave, do të ketë një numër sa më të madh njerëzish me imunitet të pjesshëm, gjë që mund të ngadalësojë përhapjen e virusit. Këto janë ende disa probleme të pasqaruara plotësisht.

Ajo që është konfirmuar sot, është fakti që vaksina pakëson rrezikun e sëmundjes dhe vdekjes prej saj, por nuk dihet ende, sesa ajo ndikon në përhapjen e virusit nga një person në një tjetër.

Sidoqoftë, vaksinimi sa më i plotë i popullsisë do të shërbejë për të siguruar një mbrojtje sa më të mirë prej varianteve të reja të virusit, pavarësisht se nuk pengohet që njerëzit të jenë strehues të këtyre formave të reja të viruseve dhe replikimit të tyre.

Një tjetër çështje që ndeshet sot në botë, po kështu edhe në vendin tonë, ka të bëjë me faktin që në popullatat e ndryshme po përdoren vaksina të llojeve të ndryshme, ku secila prej tyre stimulon përgjigje imune të veçantë, sipas vaksinës së përdorur. Një dukuri e tillë do të ndikojë pozitivisht për të penguar përhapjen e varianteve të reja të viruseve që kanë pësuar mutacione.

Pra, marrja e vaksinës përbën një nga hapat që duhet marrë për t’u mbrojtur, sidomos për personat që mund të preken rëndë nga kjo sëmundje. Hapa të tjera mbrojtëse si përdorimi i maskave mbrojtëse, respektimi i distancimit social, do të ndihmojnë për të pakësuar mundësitë për t’u prekur ng ky virus dhe për të penguar transmetimin e tij personave të tjerë.

 Vaksina covid-19 në këndvështrimin e parimeve bioetike të eksperimentit human

Krijimi i llojeve të ndryshme të vaksinave covid-19, të kryer me shpejtësi kundër kësaj pandemie të rrezikshme botërore, shqyrtohet edhe nga pikëpamja bioetike, e zbatuar në eksperimentimet humane. Siç dihet, eksperimenti human përbën një nga temat e rëndësishme që i përkasin bioetikës.

Sipas saj, me eksperimentim, në kuptimin e përgjithshëm të këtij termi, do të kuptojmë kryerjen e një prove për të vërtetuar një hipotezë të caktuar. P. sh. në mjekësi, hipoteza që një medikament është ose jo i efektshëm në një sëmundje të dhënë, do të vërtetohet nëpërmjet të ashtuquajturave “prova klinike”, që kryhen te personat e prekur nga kjo sëmundje, me qëllim për të provuar ose jo efikasitetin e këtij mjekimi. Këto prova duhet të kryhen edhe gjatë prodhimit të vaksinave covid-19. Në parim, eksperimentimi human nuk kryhet menjëherë te njeriu. Zakonisht ai fillon me një fazë studimi laboratorik, e cila pasohet me eksperimentimin tek kafshët dhe në fund vjen faza e kryerjes së tij tek njeriu: “prova klinike”.

Nga ana e tyre, sipas literaturës amerikane, provat klinike ndahen në katër faza:

  • Faza e parë, konsiston në kryerjen e provave të para të medikamentit eksperimental te persona vullnetarë dhe që nuk janë të sëmurë, me qëllim për të vlerësuar tolerancën e substancës në funksion të dozës së saj dhe për të verifikuar cilësitë e saj farmakodinamike, d.m.th. modifikimet organike ose funksionale të mundshme, të shkaktuara nga administrimi i kësaj lënde.
  • Faza e dytë, kryhet mbi një grup të vogël të sëmurësh me qëllim për të konfirmuar efikasitetin terapeutik të medikamentit eksperimental, për të vlerësuar interesin e tij si dhe raportin rrezik /përfitim. Njëkohësisht, gjatë këtij përdorimi, përcaktohen tek këta të sëmurë edhe parametrat farmakologjikë, në lidhje me thithjen, eliminimin, me qëllim që të përcaktohet rruga më e mirë e marrjes së këtij medikamenti.
  • Faza e tretë, ka të bëjë me krahasimin metodik të këtij mjekimi të ri me mungesën e mjekimit, ose me mjekimet më të mira klasike të mëparshme. Në këtë mënyrë do të arrihet të demonstrohet aktiviteti terapeutik i këtij medikamenti mbi një grup të madh pacientësh, sipas një metodike komplekse dhe të përpiktë. Në fakt, kjo fazë i korrespondon ekspertimeve klinike, veprime këto për marrjen e autorizimeve për fabrikimin dhe tregtimin e medikamenteve të reja.

Faza e katërt, i korrespondon studimeve epidemiologjike retrospektive, me qëllim për të zbuluar efektet negative të rralla, që mund të shfaqen më vonë.

Këto prova klinke, të paktën tri fazat e para të tyre, janë realizuar deri tani edhe për vaksinat covid-19 me specifikat përkatëse, porse në këtë rast, ato janë kryer me shpejtësi, madje për ndonjë prej këtyre llojeve të vaksinave, nuk është përfunduar ende faza e tretë e tyre.

Përveç kësaj, për eksperimentimin human, ku mund të përfshihen edhe çështjet e shumta që i përkasin vaksinës covid-19, duhen zbatuar një sërë rregullash etike, kjo  sidomos, në lidhje me përgjegjësinë e shoqërisë për respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, nëpërmjet konsentit (miratimit), që duhet të jepet nga personi që eksperimentohet ose vaksinohet.