Tomorr Shasho: Ritjen e pensionit ma mori ilaçi i zemrës “Ranexa”, buka e bulmeti

Ç’më shkoj dëm ajo e puthur. Ashtu të ulur krah për krah me plakën në divanin 3 vendësh, i cili na lejon të afrohemi e të largohemi, po ndiqnim më kënaqësi Kryeministrin.

Ai fliste për pensionistët me një admirim të madh, pse jo, dhe me një ndjenjë keqardhje, sepse të ardhurat nga pensioni janë shumë të pakta.

Sigal

– Ai fol e fol, kurse unë dhe plaka shikoheshim në sy, ndërsa buza na shkonte vesh më vesh nga gëzimi.

– E plakëëëë, e dëgjon! Do t’na rritet pensioni!

-Po po, – foli plaka. U ngrit dhe qëndroi para frigoriferit. Nxori dy kokrra mollë. Eh, nuk ishin shumë të mëdha. Ishin si ato që në drekë e ndajmë dhe hamë nga 1/2 secili.

-Ç’të gjeti që na solle nga një kokërr? Po nesër ç’do të hamë?

– Haje, haje! Të bëftë mirë e t’i shtohet ymri kryeministrit, që po na rrit pensionin!

– Plaka vendosi pjatën me mollë mbi tavolinë. Ajo u ul që ta merrte mollën, por unë e tërhoqa pas vetes dhe nga entuziazmi e putha.

– Të la mendja?!- më tha-,por edhe asaj i pëlqeu.

– Gëzimi shoqërohet më dashuri e buzëqeshje- i fola. Mora mollën e të dy po hanim. Kryeministri ende fliste për pensionistët.

Atë natë bëmë një gjumë të rehatshëm. Edhe urina, nga e cila çohemi 2-3 herë gjatë natës na la në qetësi.

Të nesërmen bëra një llogari. Sipas fjalëve të Kryeministrit dhe atyre, që kam ligjëruar këto ditë, po për rritje pensioni, më dilte se pensioni do t’më rritej 20,000 lekë të vjetra. Mirë- thash- sa pa hiç……

Po kur nuk të qesh buza, mundohu sa të duash. I gjithë ai gëzim e përqafim deri në puthje me plakën ikën- si i thonë- për dhjamë qeni.

Mirë që u ndodha në farmaci. Faleminderit dhe farmacistes,e cila ishte shumë e shkathët. Sa e pa që u zverdha në fytyrë, mori alkol, pak pambuk dhe e vendosi te vrimat e hundës.

– Ç’pate, xhaxha ! Ju ishit i qeshur kur hyre në farmaci! Sa po të thash që do paguash 40.000 lekë të vjetra, u zverdhe.

– Unë kam paguar për dy muaj që tërheq ilaçet 7000 lekë të vjetra. Sot më the se do paguash 40000 lekë. Ja pse u trondita.

E urta farmaciste më sqaroi se ilaçi:”Ranexa”, të cilin e merrje prej shumë vitesh falas, tashmë me listën e re të vitit 2024,për këtë ilaç do paguani”

Farmacistja, edhe pse i erdhi keq, por kur më dëgjoi që thash; më shkoi dëm ajo e puthur, filloi të qeshte. Ajo qeshte, ndërsa unë i tregoja historinë e një nate më parë.

-Ritjen e pensionit ma mori “Ranexa”-i thash. Të shohim sa do t’na marrin: buka, bylmeti dhe fruta perimet….