Studentja shqiptare në CERN, në laboratorin më të famshëm të fizikës nukleare

669
Sigal

24-vjeçarja nga Kosova, Ardiana Bushi, është bërë studentja e parë që do të marrë pjesë në CERN, njërin nga laboratorët më të mëdhenj në botë për fizikë nukleare, shkruan Zeri.info.

Studentja e fizikës në Universitetin e Prishtinës, e cila vjen nga Hani i Elezit, është përzgjedhur për të marrë pjesë në “CERN Summer Students Programme” ku do të kryejë praktikën në qendrën më të madhe për hulumtime shkencore dhe njërin nga laboratorët më të mëdhenj në botë për fizikë të grimcave.

Ajo ka thënë se të qenët pjesë e CERN-it ka qenë një ëndërr e saj shumëvjeçare, ashtu siç do të ishte për të gjithë studentët dhe fizikanët në botë.

“Për mua, të jem pjesë e CERN-it dhe të vlerësohem nga një laborator me renome botërore, ka qenë ëndërr imja shumëvjeçare, duke pasur parasysh se unë vijë nga një qytet i vogël siç është Hani i Elezit”, ka rrëfyer 24-vjeçarja, për Zëri.info.

E për të arritur këtë sukses në një moshë kaq të re, Ardianës i është dashur shumë përkushtim e punë. Të gjithë përvojën që do të marrë gjatë qëndrimit të saj në Zvicër dhe në Francë, Ardiana do ta rikthejë në Kosovë, duke kontribuar në vendlindjen e saj.

Ajo do të jetë pjesë e projekteve shkencore dhe ligjëratave që do të mbahen nga shkencëtarë me renome të fushës së fizikës.

Aktualisht Ardiana është në prag të diplomimit në Departamentin e Fizikës në FSHMN në Universitetin “Hasan Prishtina”. Ajo studion edhe shkencat kompjuterike në një kolegj privat.