Studentët: Rihapni universitetet dhe anulloni provimet online

343
Sigal

 

Në muajin mars të këtij viti në Shqipëri bëhet një vit që mësimi në universitete është zhvilluar online. Fillimisht si një domosdoshmëri për shkak të karantinës disa mujore të popullsisë me qëllim parandalimin e pandemisë dhe më pas si vijueshmëri e masave të marra nga Komiteti Teknik.

Përgjatë kësaj periudhe thirrjet për rikthim në universitete kanë qenë të shumta, qoftë nga studentët por edhe nga organizatat që kanë në fokus arsimin.

Thirrja për rikthim në universitete erdhi si pasojë e vështirësive të të nxënit në kushte shtëpie dhe problematikave që mësimi online mbarte.

“U themi jo provimeve online” ishte thirrja që studentë dhe aktivistë të Lëvizjes për Universitetin shfaqën para Rektoratit të Tiranës.

Muaji shkurt është sezoni i zhvillimit të provimeve për çdo universitet, ndërsa për shkak të pandemisë COVID-19, ky proces po zhvillohet online, sikurse gjithë procesi mësimor prej marsit të vitit 2020.

Aktivistët e Lëvizjes për Universitetin e kanë konsideruar të pamundur zhvillimin e provimeve online për shkak të vështirësive të mëdha ekonomike dhe mungesës së qasjes në internet.

“Ky vendim, si shumë të tjerë është arbitrar dhe nuk merr në konsideratë faktin që neve si student na mungojnë pajisjet e duhura elektronike dhe kemi vështirësi dhe pamundësi për të paguar ofertat e internetit. Në këto kushte, mësimi online ka qenë diskriminues dhe kështu do të jenë edhe provimet”, -u tha në komunikimin para Rektoratit.

Në vijim të thirrjeve të shpeshta përgjatë muajve të parë të vitit 2021 për kthim në universitete dhe zhvillimin e provimeve në auditorë, aktivistët u shprehën se do të vazhdojnë të ngrenë zërin kundër provimeve online, kundër tarifave dhe do të vijojnë të kërkojnë rimbursimin e paketave të internetit.