Studentët në protestë para MAS/ Arsimin e kanë çuar atje ku e la Migjeni. Miliarderët e universiteteve, përballë studentëve më të varfër në Europë

260
Sigal

Protestë para Ministrisë: Arsimin e kanë çuar atje ku e la Migjeni!

Gazeta “Telegraf” ditë më parë demostroi se dhjetëra shkolla në disa qarqe të vendit vuajnë acarin e dimrit pasi janë pa ngrohje, ndriçim dhe madje edhe me xhama të thyer, duke i detyryar nxënësit që të marrin nga shtëpitë e tyre batanije dhe të mbulohen në klasë. Shqetësimi mori dhe një pohim zyrtar me deklaratën se shkollat do mbyllen nga i ftohti. Studentët kanë reaguar ndaj kësaj situate dhe të hënën(sot)  në orën 10:00 në Ditën Ndërkombëtare e Arsimit kanë paralajmëruar protesta para Ministrisë së Arsimit , për t’i kërkuar llogari pse shkollat që shiten me Laboratorë moderne dhe të digjitalizuara nuk plotësojne kushtin minimal të ngrohjes? “Kur shteti ka “nevojë”, ne nuk do rrimë duar kryq, ndaj hajde i japim një dorë.”Paola Ymet shprehet:“Unë do i çoj këto drutë pasi në shumë shkolla të Shqipërisë kjo është mënyra e ngrohjes së nxënësve.

Shtetarët e babëzitur, rektorët dhe dekanët miliarderë përballë studentëve më të varfër të Evropës

Rektorët dhe dekanët miliarderë përballë revoltës së studentëve më të varfër të Evropës. Qytetarët paguajnë me taksat e tyre rrogat e administratës së universiteteve, dritat, ujin, mirëmbajtjen e godinave, ndërkohë që familjeve të studentëve u kërkohet nga fakultetet një taks shtesë e cila arrinë në shifra marramëndse prej 70 milion USD çdo vit. Studentët po përgatiten për protesta masive, pasi tarifat që paguajnë po dhjamosin ‘bejlerët’ e fakulteteve dhe lënë pa ngrohje shkollat dhe universitetet.

 

UPT zë vendin e parë për shpenzime të administratës, ku në 1 vit kalendarikpërveç pagave bazë ka shpenzuar 357 750 Euro për shpërblime, 101 900 Euro për dieta, 50 500 Euro për karburant makine, 28 000 Euro për telefon/internet dhe 290 000 Euro pagesa të Bordit dhe Senatit Akademik në raportin e Qëndresës Qyterare 2020-2021.
Një fakt interesant vihet re tek shpenzimet për ngrohje dhe pastrim, pasi në një kohë ku universitetet kanë qënë pa studentë dhe pedagogë për shkak të mësimit në distance brenda për një vit akademik, janë blerë lëndë djegëse në shifra të larta nga ana e tyre. Megjithëse godinat kanë qëndruar bosh gjatë 1 viti të plotë akademik, 6 universitetet kanë shpenzuar për ngrohjen e tyre shuma të konsiderueshme 332000 Euro . Ndërkohë student të pyetur nga Telegraf bëjnë me dije se në shumicën e auditoreve ngrohje nuk ka.

Vetëm dy nga 6 universitete kanë shpenzuar për shkencën. Nga 4.6 milion Euro të përdorura për zërin “Investime” në një vit kalendarik, vetëm 0.4% kanë shkuar për kërkim shkencor.

Universitetet publike kanë kryer shpenzime të larta për blerje kancelarish dhe orendish zyrash, por nuk kanë bërë transparente detajet e mallrave të blerë. UPT ka shpenzuar 410 000 Euro për orendi zyrash pa publikaur detajet e tyre ndërsa Universiteti i Tiranës e ka përdorur pothuajse të gjithë buxhetin e këtij zëri 73 100 euro për të blerë letra A4. Pavarësisht se ky viti akademik është zhvilluar në distancë, 4 nga 6 universitetet e monitoruara kanë përshkruar distanca të konsiderueshme duke shpenzuar karburant për makinat. UPT ka  shpenzuar 50 500 Euro karburant me tollona vetëm për tre muaj gjatë periudhës Tetor – Dhjetor 2020. Godinat bosh janë ruajtur me shifra marramëndse gjatë një viti kalendarik. Universiteti i Tiranës ka shpenzuar 555 250 Euro për roje dhe 236 200 Euro për kamera sigurie. UPT ka paguar 20 600 Euro për sigurimin e pasurisë së universitetit, ndërsa Universiteti i Elbasanit, i cili administron një numër më të ulët godinash ka shpenzuar gati dyfish më shumë se universitetet e tjera të rretheve për roje.

Ku shkojnë 70 milionë dollarë që zhvaten çdo vit si të ardhura dytësore nga universitetet që paguhen nga taksat e shqiptarëve?

Një raport i përpiluar nga OECD tregon se vitet e fundit largimi i njerëzve me arsim të lartë nga Shqipëria është përshpejtuar. E renditur e katërta në botë për shpejtësinë me të cilën po i largohet truri, Shqipëria qartazi ka një problem, ndërsa politika luan lojën kush e ka fajin.

Ajo që duhet pranuar, ka të bëjë me faktin se, universitetet shtetërore (publike) ushtrojnë aktivitetin e tyre në godinat shtetërore, ku pedagogët paguhen nga shteti, sektori ndihmës i administratës paguhet nga taksat që qytetarët i paguajnë shtetit, pajisjet dhe laboratorët janë të shtetit, energjinë e paguan shteti, ujin e paguan shteti.

Pra, gjithçka mbulohet nga buxheti i shtetit. Me pak fjalë, janë paratë e taksave të qytetarëve, bizneseve që shpërndahen për arsim, shëndetësi, rend, mbrojte, e kështu me radhë. Nëse do i analizonim një nga një sektorët, të gjithë çalojnë dhe shërbimet janë në nivelin më të ulët, e shoqëruar kjo nga papërgjegjshmëria e stafeve të administratës, asaj universitare, rendit, shërbimit spitalor, e kështu me radhë. Por le t’i kthehemi kostos së arsimit, për të cilën studentët e Tiranës dhe mbarë Shqipërisë nisën dje protestat e tyre masive. Studentët e arsimit publik paguajnë rreth 50 mijë lekë vit (500 USD). Po kaq paguan edhe tek privati, ose ndoshta 205 më shumë. Po si ka mundësi që shpenzimet e Universiteteve Shtetërore (publike) i ka shteti dhe pagesa për regjistrime dhe provime pak a shumë janë njëlloj si tek privati, kur ky i fundit paguan pedagogë, ambiente, qira, dhe gjithçka që duhet në kuadrin e ushtrimit të aktivitetit normal?

 

Le të bëjmë një llogari të taksave, të cilat universitetet publike kanë vetëvendosur me bekimin e bordeve, të përbëra nga universiteti dhe ministria e Arsimit.

Në Shqipëri në universitet publike studiojnë rreth 23 mijë persona në 1 vit akademik. Duke qenë që në bachelor, janë 3-vjeçare, atëherë në të tri vitet studiojnë afërsisht 70 mijë studentë. Këta 70 mijë studentë paguajnë afërsisht 500 USD në vit dhe shuma që grumbullojnë universitetet shkon në 35 000 000 dollarë. ( 35 milionë $ )

Në master llogariten rreth 10 mijë studentë, të cilët paguajnë mbi 1000 mijë USD në vit. Duke qenë se janë dy vite, shuma arrin në 20 mijë studentë. Atëherë 20 mijë x 1000 dollarë, shuma totale që paguajnë studentët e masterit shkon në 20 milionë dollarë.

“Shembujt në Rajon dhe Evropë tregojnë se arsimi i lartë publik është falas, madje për studentët ekselentë jepen pagesa nga vetë shteti për t’i stimuluar dhe mbajtur si vlera kombëtare.”

Pra Universitetet Shtetërore (publike) grumbullojnë në 1 vit 55 milionë dollarë, nga studentët që kanë konkurruar, kanë fituar të drejtat me listat e publikuara nga MASR, ndërkohë që këta universitete paguhen njëherë nga taksapaguesit, (ambientet, pedagogët, administratë, energji, ujë etj.) Atëherë ç’janë këto miliona që këta agallarët e Universiteteve me VKM-në e qeverisë dhe udhëzimet e MASR-së, vendosin “gjoba” dytësore?! Autonomia e shumë pretenduar dhe bordet e ministrisë dhe universiteteve, nuk janë gjë tjetër, veçse qendra të grabitjes së qytetarëve me mënyra të djallëzuara dhe të ndyra në bashkëpunim midis qeverisë dhe universiteteve. Tani Qeveria ka vendosur edhe një taksë tjetër në bashkëpunim me MASR dhe Fakultetet që studentët duhet të paguajnë rreth 6.7 dollarë për kreditet që nuk plotësojnë. Nëse një student ka më të paktën 5 kredite pa marrë x 6.7 USD afërsisht 34 USD. Atëherë 90 mijë studentë x 34 USD = 3 milionë USD. 90 mijë studentë x 3USD që kushton një vërtetim, ose listë notash = 2700USD. Doktoraturat nga 7 mijë USD janë rritur në 10 mijë USD, numri të cilëve nuk dihet, duke qenë se shteti i ka bllokuar, shumica zgjedhin privatin. Duke marrë parasysh 10 mln që dalin nga doktoraturat, në total janë 70 mln USD që shteti shqiptar merr çdo vit.

Pse? Ku e kanë gjetur këtë të drejtë që të vendosin gjoba? Kjo as më shumë dhe as më pak është grabitje dhe maskarallëk që u bëhet familjeve të shqiptarëve të varfër. Është kjo arsyeja që nga 40 mijë studentë në vit që kishim nga 1992- 2005, jemi katandisur në 23 mijë, sepse studentët kanë marrë arratinë dhe jo pak, por afërsisht 40% e të rinjve. Në fund të fundit, çdo ekonomi shtetërore apo familjare ka llogari, dhe në këto llogari nuk janë përjashtuar edhe doktoraturat, ku vlera e regjistrimeve dhe studimeve, është shumë herë më e kripur, por me të dhe faktet tronditëse rreth saj me të cilat do merremi në ditët që vijojnë.