Specialisti Fadil Kepi: Shtesa për invalidët, pensioni për meshkujt, njësimi për emigrantët dhe përfitimet për nënat me shumë fëmijë

1256
Sigal

Pagesa e sigurimeve vullnetare për emigrantët. Shpërblimi financiar në rast vdekjeje të bashkëshortit/es. Njehsimi i viteve të punës në Shqipëri dhe Greqi dhe shtesa e pensionit për personat që punojnë mbi moshë

Procedura e marrjes së pagesës shtesë për invalidët dhe kushtet e përfitimit të pensionit të plotë për nënat me shumë fëmijë

 

Shtesa e pensionit për invalidët

Pyetje

Lexuesi i gazetës “Telegraf” Anesti Cenolli nga Pogradeci shkruan: Para 4 muajsh bashkëshortja ime me vendimin e Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë(KMCAP), doli në pension invaliditeti. Pyes, a përfiton ajo nga bashkia shtesë mbi pensionin? Po unë që jam pa punë, a më takon kompensimi i energjisë elektrike si kryefamiljar?

Përgjigje

Personat që marrin pension të plotë invaliditeti, nga KMCAP, përfitojnë nga bashkia 3.300 lekë në muaj shtesë mbi pensionin, ndërsa kur marrin pension të pjesshëm invaliditeti, 2.200 lekë në muaj. Periudha e paguar me pension të plotë e të pjesshëm invaliditeti, sipas nenit 58 të ligjit të sigurimeve shoqërore, njihet vjetërsi pune për pension pleqërie. Kompensimin e energjisë elektrike, sipas vendimit të qeverisë numër 8 datë 14.01.2015, prej 648 lekë në muaj, e përfiton vetëm kryefamiljari, mbasi të aplikojë, duke dërguar dokumentet përkatëse në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore në Pogradec. Për sqarime më të hollësishme mund t’i drejtoheni Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Korçë.

Pagesa e sigurimeve vullnetare për emigrantët

Pyetje

Jam lexues i rregullt i gazetës “Telegraf” nga Elbasani. Në maj të këtij viti plotësoj moshën 54 vjeç, dhe aktualisht kam 27 vjet punë të siguruara. Nga viti 2006 deri në vitin 2014, për 8 vjet, kam punuar i siguruar në Itali. Pyes, kur e plotësoj moshën e pensionit. Sa vite pune duhen për pension të plotë dhe a mund të sigurohem për periudhën që kam qenë në emigracion?

Përgjigje

Ju do të dilni në pension 65 vjeç në vitin 2030, dhe për pension të plotë do t’ju kërkohen 40 vjet punë të siguruara, sqaron specialisti Fadil Kepi. Me 27 vjet punë, në moshën e mësipërme do të merrni rreth 68% të pensionit të plotë. Për të shtuar vitet e punës ju mund të bëni sigurime vullnetare, duke paguar për periudhat e kaluara, përfshirë dhe ato që keni qenë në emigracion, 67.392 lekë në vit. Nëse do të paguani paradhënie këtë vit për tu siguruar për vitin 2020, dhe në vitin 2020 për vitin 2021, e kështu me radhë, deri në vitin 2029 për vitin 2030, shumës së mësipërme i ulen 6% baras me 4.040 lekë. Po të sigurohesh për 6 muaj paradhënie, ulja është 3% dhe për 3 muaj është 1.5 %. Sqarime më të hollësishme, para se të kryeni pagesën në bankë, do të merrni në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore në Elbasan.

Shpërblimi financiar në rast vdekjeje të bashkëshortit/es

Pyetje

Një mësuese nga Korça shkruan: Ditët e fundit bashkëshorti im, i cili ishte pa punë dhe pa pension, ndërroi jetë. Pyes, a më takon mua ndihmë financiare në këtë rast nga Drejtoria Arsimore?

Përgjigje

Bazuar në vendimin e qeverisë datë 6 korrik 2011, ju takon nga qendra e punës ndihmë financiare 30 mijë lek, duke paraqitur certifikatën e gjendjes familjare dhe të vdekjes të bashkëshortit.

Shtesa e pensionit për personat që punojnë mbi moshë

Pyetje

Një pensioniste nga Berati në mesazhin e saj trajton këtë problem: në mars të vitit 2017, plotësova moshën e pensionit 60 vjeçe e 6 muaj me 37 vjet punë të siguruara. Për nevoja të qendrës së punës në sektor privat punova deri në fund të muajit tetor të vitit 2018. Pyes, a përfitoj shtesë pensioni për muajt që kam punuar mbi moshë dhe nga indeksimet e reja që iu bënë pagave bruto për llogaritjen fillestare të pensionit sipas vendimit të fundit të Qeverisë ?

Përgjigje

Mbështetur në nenin 19 të ligjit nr.104/2014, datë 31.7.2014, botuar në fletoren zyrtare 137, personat që kanë plotësuar kushtet për pension të plotë, dhe vazhdojnë të punojnë, përfitojnë 0,5% shtesë pensioni për çdo muaj të punuar. Ndërsa nga vendimi i Qeverisë nr.571, datë 3 tetor 2018, “Koeficientet e indeksimit të pagave, për efekt të llogaritjes të bazës së vlerësuar për llogaritjen fillestare të pensioneve” ju nuk përfitoni sepse ky vendim Qeverie i shtrin efektet e veta nga data 1 janar 2018 e në vazhdim, pra vetëm për personat që kanë plotësuar kushtet për pension nga data e mësipërme.

(Për më tepër lexoni Telegraf)