Specialisti Fadil Kepi: Pensioni për minatorët e nëntokës, fermerët, mësuesit emigrantët dhe punonjësit e hekurudhës. Ja personat që përfitojnë dy pensione dhe rimburism ilaçesh

823
Sigal

Kushtet e daljes në pension për minatorët e nëntokës, mësuesit, punonjësit e hekurudhave, fermerët dhe emigrantët. Baza ligjore e sigurimeve vullnetare, ankimimeve, dhe e përfitimit të lejes së lindjes

Kategoria e personave që përfitojnë kompensim të energjisë elektrike, rimbursim të barnave mjekësore dhe dy pensione njëkohësisht

Procedura e daljes në pension për mësuesit dhe ripunësimi i tyre

Pyetje

Znj. Zana Deliallisi nga Shijaku me banim në Tiranë shkruan: Jam e datëlindjes 01.07.1958 dhe kam punuar 41,5 vjet mësuese në shkolla shtetërore. Pyes, kur i plotësoj kushtet për pension të plotë, dokumentet që duhen plotësuar dhe procedurat që ndiqen?

Përgjigje

Ju moshën e pensionit e plotësoni 60 vjeçe e 10 muaj më 01.05.2019, dhe për pension të plotë duhen 36 vjet e 8 muaj punë të siguruara në vendin tonë, nga mosha 16 vjeçe. Femrave që shkollën e lartë e kanë mbaruar ditën, u njihet vjetërsi pune për pension, e vërtetuar me fotokopjen e diplomës të noterizuar. Meqenëse ju arsimin e lartë e keni vazhduar pa shkëputje nga puna, nuk ju njihet periudhë pune, por rroga që keni marrë duke vazhduar njëkohësisht arsimin e lartë ju njihet vjetërsi pune, sepse keni paguar kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore. Sipas vendimi të Qeverisë 478, datë 16.06.2010, punonjësit e institucioneve buxhetore, ku përfshiheni edhe ju, dalin në pension me plotësimin e moshës, por meqenëse data e daljes në pension koincidon me përfundimin e vitit shkollor, ku mësuesit kanë për detyrë të plotësojnë dhe dokumentacionin shkollor, drejtoria e shkollës e ka në kompetencë t’ju zgjasë kohën e daljes në pension, derisa ta mbyllni vitin shkollor. Nëse punoni mbi moshën e pensionit, sipas nenit 19 të ligjit 104/2014 për çdo muaj të punuar mbi moshë përfitoni shtesë pensioni 0.5%. Data e daljes në pension shënohet në librezën e punës dhe do të përfitoni lejen e zakonshme nga 1 janari i vitit 2019 deri ditën e ndërprerjes së marrëdhënieve financiare. Ju do të dorëzoni zyrtarisht dokumentacionin shkollor dhe vlerat materiale e monetare që keni në ngarkim. Bazuar në vendimin e Qeverisë nr.493, datë 06.07.2011 përfitoni, para daljes në pension, deri një rrogë mujore shpërblim. Masa e pensionit nuk ka kufi maksimal, por varet nga shuma e viteve të punës dhe paga mesatare bruto mujore për të gjithë periudhat e punës. Sipas vendimit të Qeverisë nr.571, datë 3 tetor 2018, sigurimet shoqërore para llogaritjes së pensionit i shumëzojnë me koeficientët përkatës. Pas daljes në pension, ju keni të drejtë të ripunësoheni në sektor privat dhe të përfitoni njëkohësisht pensionin dhe indeksimet përkatëse që bëhen me vendime qeverie dhe rrogën në qendrën e punës, por jeni të detyruar të vazhdoni të paguani kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Dokumentet për pension janë: libreza e punës, fotokopje e kartës së identitetit, vërtetimi i pagës bruto nga 01.01.1994 e në vazhdim, dy fotografi, certifikata e gjendjes familjare dhe e martesës.

Mosnjohja e viteve të punës

Pyetje

z.Jovan Bice nga Njësia Administrative Hudenisht në Pogradec shkruan: Para 6 muajve plotësova moshën e pension 65 vjeç. Nga viti 1979 deri në 2011 kam punuar në hekurudhë pa ndërprerje, por sigurimet shoqërore nuk ma njohin këtë periudhë, me pretendimin se në librezën e punës nuk është shënuar data e largimit nga puna. Pyes, si veprohet në këtë rast?

Përgjigje

Meqenëse punonjësit e hekurudhave, të gjithë dokumentacionin kudo që kanë punuar në vendin tonë e kanë në arkivin e Drejtorisë së Përgjithshme të Hekurudhave në Durrës, ju rekomandoj t’i bëni ankesë me shkrim institucionit të mësipërm, duke shënuar dhe adresën e saktë të vendbanimit tuaj. Njëkohësisht bëni një ankesë me shkrim në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore në Pogradec, e cila ja dërgon Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Korçë, për të verifikuar në arkivin qendror të sigurimeve shoqërore në Lundër të Tiranës që varet nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore Tiranë.

Sigurimet vullnetare të emigrantëve

Pyetje

Znj.Bedrije Kalaja nga Tirana me banim në Itali shkruan: Jam e datëlindjes 5 shtator 1958 dhe gjithsej kam 13 vjet e 8 muaj punë të siguruara në ish kooperativë bujqësore dhe sektor shtetëror. Pyes, kur i plotësoj kushtet për pension dhe procedurat që duhet të ndjek?

Përgjigje

Ju do të dilni në pension 60 vjeçe e 10 muaj më 5 korrik të vitit 2019 dhe për pension duhen 15 deri 36 vjet e 8 muaj punë të siguruara gjithsej në Shqipëri nga mosha 16 vjeçe. Për të plotësuar minimumin e viteve të punës që është 15 vjet, ju para moshës së pensionit duhet të bëni sigurime vullnetare duke paguar 67.392 lekë në vit ose 5.616 lekë në muaj. Pagesën mund ta bëni vetë kur të vini në Tiranë ose mund të autorizoni pjesëtarë të tjerë të familjes që banojnë në vendin tonë. Sqarime më të hollësishme me librezën e punës dhe kartën e identitetit do të merrni në agjencinë e sigurimeve shoqërore.

Njohja e viteve të punës në Shqipëri dhe Greqi

Pyetje

  1. Lefter Rustemaj e bashkëshortja e tij nga Vlora me banim në një ishull të Greqisë në letrën e tyre shkruajnë: Bashkëshortja është e datëlindjes 1 tetor 1959 dhe në Shqipëri ka punuar vetëm 9 vjet në ish-kooperativë bujqësore, ndërsa unë jam i datëlindjes 25 maj 1954 dhe kam rreth 40 vjet punë të siguruara në Shqipëri. Në Greqi punojmë të siguruar dhe aktualisht kemi secili rreth 3000 ensima. Pyesim, kur i plotësojmë kushtet për të përfituar pensione në vendin tonë dhe cilat janë procedurat që duhet të ndjekim ?

Përgjigje

Bashkëshortja do të dalë në pension në vendin tonë 61 vjeçe më datën 1 tetor 2020 dhe për pensioni kërkohen 15 deri 37 vjet punë të siguruara nga mosha 16 vjeçe. Me 9 vjet pune që ka të siguruara nuk përfiton fare pension. Për këtë ju rekomandoj që para plotësimit të moshës së pensionit, të paraqiteni në DRSSH Vlorë, të bëni sigurime vullnetare për të plotësuar të paktën minimumin e domosdoshëm që është 15 vjet punë të siguruara. Ju moshën e pensionit e plotësoni këtë vit më 25 maj ditën që bëheni 65 vjeç dhe për pension të plotë në vendin tonë duhen 36 vjet e 8 muaj punë të siguruara. Dokumentet për pension mund t’i dorëzoni në ASSH Vlorë deri më 31 dhjetor të këtij viti, pra edhe gjatë kohës së pushimeve verore që do të vini në Shqipëri, dhe pensioni ju paguhet nga dita që plotësoni moshën 65 vjeç. Për të marrë pension në Greqi duhet të keni secili 4.500 ensima. Aktualisht nuk ka marrëveshje midis Qeverisë së vendin tonë dhe asaj greke, për njohjen reciproke të viteve të punës.

Për më tepër lexoni “Telegraf”