Specialisti Fadil Kepi/ Kushtet që duhet të plotësojnë fermerët për t’u vetësiguruar në bujqësi dhe kalimi nga invalid i plotë në të pjesshëm. Pensioni për minatorët e nëntokës, emigrantët, ai familjar, suplementar dhe leja e lindjes

740
Sigal

Përfitimi i pensionit familjar kur ndahet nga jeta bashkëshorti/ja dhe baza ligjore për marrjen e lejes së lindjes me pagesë. Pensioni për minatorët e nëntokës, fermerët, emigrantët, ai i pjesshëm dhe suplementar

 

Kushtet që duhet të plotësojnë fermerët për t’u vetësiguruar në bujqësi dhe kalimi nga invalid i plotë në të pjesshëm

Procedura dhe baza ligjore e sigurimeve vullnetare të fermerëve

Pyetje

Disa fermerë nga qarqe të ndryshme të vendit, janë të interesuar të dinë për kushtet që duhet të plotësojnë për t’u siguruar si të vetëpunësuar në bujqësi, sa duhet të paguajnë dhe përfitimet nga sigurimet shoqërore?

Përgjigje

Personat që disponojnë tokë sipas ligjit nr.7501, datë 19.7.1991, kanë blerë apo marrë me qira tokë me dokumente të rregullta në qarkun ku banojnë dhe zhvillojnë veprimtari bujqësore e blegtorale, nga mosha 16 vjeç, pavarësisht nga gjinia, kanë të drejtë të vetësigurohen në bujqësi si fermerë.

– Kontributi vjetor për sigurimet shoqërore që duhet të paguajë një fermer në zonat fushore është 38.400 lekë dhe për sigurimet shëndetësore 3.768 lekë, gjithsej 42.168 lekë në vit e barabartë me 3.514 lekë në muaj, ndërsa të vetëpunësuari në bujqësi që banojnë në rrethet Bulqizë, Dibër, Gramsh, Has, Kolonjë, Kukës, Librazhd, Malësi e Madhe, Mat, Mirditë, Pukë, Skrapar, Tepelenë e Tropojë 29.400 lekë në vit kontribute të sigurimeve shoqërore dhe 3.768 lekë për sigurimet shëndetësore, gjithsej baras 33.168 lekë ose 2.764 lekë në muaj për të dy llojet e sigurimeve. Ndërsa kontributet vullnetare për ata që nuk janë fermerë janë më të larta, e konkretisht 67.392 lekë në vit, baras me 5.616 lekë në muaj që është kufiri minimal, ndërsa kufiri maksimal për vitin 2019 është 114 mijë lekë në vit. Nga sigurimet vullnetare përfitohen 3 lloje pensionesh, kur të interesuarit plotësojnë kushtet, që janë: Pensione pleqërie, invaliditeti dhe familjar, por duke u siguruar vullnetarisht si më sipër, personat e siguruar nuk përfitojnë leje lindjeje. Edhe nga ky krahasim del se sigurimet si të vetëpunësuar në bujqësi janë më të leverdishme, prandaj u sugjeroj të gjithë fermerëve të bëjnë më shumë kujdes që asnjë të mos mbetet i pasiguruar, sepse vitet e punës të siguruara, jo vetëm quhen vite pune shteti, por përveç pensioneve të pleqërisë, invaliditetit e familjare, personat e siguruar si më sipër përfitojnë edhe barnat mjekësore të rimbursueshme dhe gratë lejen dhe shpërblimin e lindjes. Pagesat bëhen individualisht një herë në tre muaj, në 4 këste, deri 20 ditë pas 3 mujorit dhe konkretisht: më 20 prill, 20 korrik, 20 tetor e 20 janar. Personat të cilët kanë marrë tokë sipas ligjit nr.7501, datë 19.7.1991 kanë të drejtë të bëjnë sigurime si të vetëpunësuar në bujqësi nga data 1 tetor 1993 kur hyri në fuqi ligji nr.7703, datë 11.5.1993 deri më 30 prill 2004, pavarësisht se në cilin qark kanë banuar. Nga data 1 maj 2004 mbështetur në vendimin e Qeverisë nr.1206, datë 11.12.2009 kur ndryshojnë vendbanimin e shkojnë në një qark tjetër ku nuk kanë tokë, nuk kanë të drejtë të bëjnë sigurime si të vetëpunësuar në bujqësi, me përjashtim të rastit kur në qarkun ku kanë shkuar me banim të kenë blerë tokë ose të kenë marrë tokë me qira. Sqarime më të hollësishme mund te merrni në drejtoritë rajonale të sigurimeve shoqërore.

– Sipas vendimit të Qeverisë nr.77. datë 28.1.2015, botuar në fletoren zyrtare 9:

  1. a) Të vetëpunësuari në bujqësi, të cilët nuk arrijnë kushtin minimal të periudhës së sigurimit (15 vjet punë) për të përfituar pension mund të kryejnë pagesa kontributesh edhe pas plotësimit të moshës për pension, por me kusht që ato t’u korrespondojnë periudhave para plotësimit të moshave për pension dhe për këto periudha do të paguhet sipas masës së kontributit që është në periudhën kur kryhet pagesa.

b)Të vetëpunësuari në bujqësi paguajnë kontributet për sigurimet shoqërore dhe për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor.

– Bazuar në vendimin e Qeverisë nr.551,datë 27.7. 2016, botuar në fletoren zyrtare 147, shumat e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe kamatëvonesave të paguara për ato periudha që personat nuk i plotësonin kushtet e kriteret për t’u siguruar si të vetëpunësuar në bujqësi, u kthehen pagesat kur janë bërë brenda pesë viteve nga data e konstatimit. Këto shuma në marrëveshje midis palëve mund të konvertohen edhe si periudha sigurimi, me kuotat e kontributit për vitet përkatëse korensponduese për të cilat ishte bërë sigurimi si i vetpunësuar në bujqësi. Në zbatim të këtij vendimi Instituti i Sigurimeve Shoqërore me shkresën nr.6905, datë 25.7.2016, i ka dërguar zyrtarisht të gjithë drejtorive rajonale të sigurimeve shoqërore, udhëzimin e qartë si do të veprohet konkretisht:”Për kthimin e shumave të kontributeve të sigurimeve shoqërore apo konvertimin e tyre në kontribute të sigurimit shoqëror vullnetar”.

– Periudhat e sigurimit për pensione njihen edhe kur janë në vite, muaj e ditë.

– Vetësigurimet në bujqësi mund të bëhen nga 1.10.1993 e në vazhdim. Periudhat e vetësiguruara si bujk quhen vjetërsi pune për efekte të përfitimit të pensionit të pleqërisë, invaliditetit, familjar, dhe lejen e lindjes. Sqarime më të hollësishme të interesuarit mund në marrin në drejtoritë rajonale dhe Institutin e Sigurimeve Shoqërore në Tiranë.

Kushtet e përfitimit të pensionit familjar kur ndahet nga jeta bashkëshorti/ja

Pyetje

Disa shikuese të emisionit të mëngjesit “Koha për t’u zgjuar” janë interesuar të dinë se cilat janë kushtet për të përfituar pensione familjare kur vdes bashkëshorti? Si llogariten dhe kur ndërpriten?

Përgjigje

Kur ndërron jetë bashkëshorti që punonte i siguruar, pensione familjare përfitojnë: gruaja dhe fëmijët. Bashkëshortja në moshën 55 vjeçe merr 50% të pensionit të burrit deri në plotësimin e moshës së saj dhe në rastin kur janë dy fëmijë që vazhdojnë shkollën, secili merr 25% të pensionit të babait, deri në moshën 25 vjeç. Në këtë rast shuma e pensionit që përfitojnë pjesëtarët e familjes është 100% e pensionit. Në rastet kur burri ndërron jetë në moshë të re dhe bashkëshortja ka fëmijë nën 8 vjeç, kur është e papunë, e pavetëpunësuar, nuk është punëdhënëse dhe nuk ka tokë sipas ligjit, përfiton 50% të pensionit të burrit, deri sa fëmija të bëhet 8 vjeç, ndërsa kur i ndjeri kishte vetëm 1 fëmijë, ai përfiton gjysmën e pensionit të babait, deri në moshën 25 vjeç. Në rastet kur vdes bashkëshortja, pension familjar përfiton burri në moshën 60 vjeç, kur është i papunë, i pavetëpunësuar, nuk është punëdhënës dhe s’ka tokë sipas ligjit, në masën 50% të pensionit të gruas, deri në plotësimin e moshës së tij të pensionit 65 vjeç dhe fëmijët kur plotësojnë kushtet e mësipërme. Fëmijët nga mosha 18 vjeç çdo vit do të paraqesin në sigurimet shoqërore vërtetimin nga shkolla që vazhdojnë mësimet ditën, sqaron eksperti Fadil Kepi. Pension familjar, fëmija merr edhe në rastin kur përsërit vitin shkollor, por pa kaluar moshën 25 vjeç. Sa herë indeksohen pensionet rriten edhe pensionet familjare. Pensioni familjar i gruas ose i burrit i ndërpritet kur rimartohen zyrtarisht. Periudha që personat përfitojnë pension familjar nuk u njihet vjetërsi pune për veten e tyre. Sqarime më të hollësishme mund të merrni në drejtoritë rajonale të sigurimeve shoqërore.

Përfitimi i lejes së lindjes me pagesë

Pyetje

Zonja Nertilda nga Tirana në një bisedë telefonike tha: Kam punuar 6 vjet e siguruar në një firmë e licencuar dhe jam shtatzënë. Pres të bëhem nënë për herë të parë në fund të muajit maj. Pyes, cilat janë kushtet për të përfituar me pagesë lejen dhe shpërblimin e lindjes?

Përgjigje

Lindja e fëmijës është një ngjarje e shënuar në jetën e çiftit. Populli thotë: “kur lind fëmija gëzojnë edhe trarët e shtëpisë”. Mbështetur në nenin 27 të ligjit të sigurimeve shoqërore nr.104/2014, botuar në fletoren zyrtare 137: “E ardhura për barrëlindje i paguhet gruas së siguruar, kur ajo ka 12 muaj periudhë sigurimi në vendin tonë dhe gjatë shtatzënisë të ketë të paktën një muaj punë të siguruar”. Periudha e përfitimit të lejes së lindjes është 365 ditë kalendarike, kur nëna ka në shtatzëni një fëmijë, dhe 390 ditë kur lind më shumë se një fëmijë në një lindje. Leja e lindjes ndahet në 35 ditë paralindje dhe 330 ditë paslindje, ndërsa kur lind binjakë ose trinjakë, 60 ditë para e 330 ditë paslindje. Nëse nëna lind pa i plotësuar 35 ditët e paralindjes, ditët e mbetura nuk i shtohen lejes së paslindjes, ndërsa kur lind mbas 35 ditëve, ditët shtesë deri sa të lindë nuk i paguhen. Dita e fillimit të lejes së paralindjes caktohet nga mamia ose mjekja që ka ndjekur shtatzëninë. E ardhura për barrëlindjen paguhet me 80% të pagës mesatare neto mujore e 12 muajve të fundit të punës për ditët e paralindjes dhe 150 ditë kalendarike pas lindjes. Nga dita e 151-të deri në përfundim të lejes së lindjes, leja paguhet me 50% të pagës së mësipërme. Leje e detyrueshme për nënën është leja e paralindjes dhe 63 ditë paslindjes. Nga dita e 64-t nëna vendos vetë të shkojë në punë apo të vazhdojë lejen e lindjes. Në rastet kur për vazhdimësi të procesit të punës ajo është zëvendësuar, mbas 63 ditëve kalendarike sipas Kodit të Punës ajo ripunësohet me përparësi, ose në një vend tjetër analog. Sipas nenit 46 të Kodit të Punës, për ditët që ka filluar punë para mbarimit të lejes së lindjes, deri sa fëmija të bëhet 1 vjeç, nënat punojnë 6 orë dhe paguhen për 8 orë, mbasi dy orë në mëngjes, në mesditë, ose para përfundimit të orarit, asaj i jepen leje me drejtë page. Shpërblimi i lindjes është 40 mijë për fëmijën e parë, 80 mijë lekë për fëmijën e dytë dhe 120 mijë lekë për fëmijën e tretë. Kur nëna lind binjakë secili fëmijë përfiton 80 mijë lekë, ndërsa kur lind trinjakë e më shumë secili fëmijë përfiton 120 mijë lekë shpërblim. Fondet për pagesën e lejes dhe shpërblimit të lindjes përballohen me fondet e shtetit e të sigurimeve shoqërore. Barnat mjekësore deri sa fëmija të bëhet një vjeç jepen falas, duke paraqitur në farmaci recetën e mjekut dhe certifikatën e lindjes. Periudha e para e pas lindjes e paguar me raporte mjekësore quhet vjetërsi pune për efekte të rritjes së pagës, lejes së zakonshme dhe pensionit. Periudha e siguruar vullnetarisht, asistenca dhe periudha e studimit të larta ditën për femra nuk njihen për leje lindjeje.

  Për më tepër lexoni “Telegraf”