Soni Thano: Viti 2021 do të jetë më i mirë për likuiditetin e bizneseve

483
Sigal

Bizneset po përballen me sfidën e likuiditetit, por mendojmë se viti 2021 do të jetë më i mire
Intervistë me Soni Thano, drejtore e Administrimit të Riskut në Credins Bank

Bankat luajtën një rol thelbësor për të mbështetur sektorin real të ekonomisë gjatë krizës së vitit 2020. Soni Thano, drejtore e Administrimit të Riskut në Credins Bank, thotë se ky rol ndihmoi në amortizimin e pasojave të menjëhershme të krizës në ekonominë shqiptare.
Sipas saj, ekonomia shqiptare do të fillojë rimëkëmbjen në vitin 2021, por ajo shprehet se masa e ndikimit afatgjatë të krizës është e vështirë për t’u parashikuar.

Si do ta vlerësonit performancën e sektorit bankar gjatë vitit 2020? Sa u ndien pasojat e krizës dhe në cilat drejtime ato ishin më të prekshme?
Për të parandaluar përhapjen e COVID-19, Qeveria miratoi një sërë masash zbutëse të bazuara në distancimin social, karantinën kombëtare si dhe mbylljen e bizneseve jo thelbësore. Ndalimi i ekonomisë përfaqësoi një tronditje të madhe pothuajse për të gjithë sektorët.
Segmenti i biznesit korporatë u përball me vështirësi domethënëse, duke qenë se duhet të siguronte likuiditet të mjaftueshëm për të mbuluar kostot operative, si rezultat i mungesës së të ardhurave. Credins Bank, si të gjitha bankat e tjera në sektorin bankar, në linjë edhe me masat e ndërmarra nga Qeveria, u gjend e përfshirë në një proces të menjëhershëm, për të ndihmuar të gjithë klientët që aplikuan për kredi ose paga të garantuara nga sovrani.
Një nga efektet e menjëhershme që kriza/urgjenca shëndetësore do të ushtronte në ekonominë reale ishte padyshim rritja e rrezikut të kredisë për të gjithë segmentet e portofolit. Për të vazhduar financimin e ekonomisë reale dhe rimëkëmbjen e saj, një nga sfidat më të mëdha për t’u menaxhuar nga sistemi bankar ishte dallimi me shpejtësi midis fenomenit thjesht “e përkohshme”, e cila do të rimëkëmbej brenda një periudhe të shkurtër, me ndikimet më të gjata, që do të kërkonin veprime të menaxhimit apo riklasifikimit. Banka, që në fillimet e krizës, monitoronte dita-ditës ndikimin e COVID-19 në drejtim të biznesit, si afatshkurtër ashtu edhe afatgjatë.

Nëpërmjet qasjes proaktive dhe hedhjes në treg të produkteve të reja, Banka, nga një anë, kishte për qëllim ardhjen në ndihmë të klientëve të saj, por nga ana tjetër, ruajtjen dhe zhvillimin e portofolit të saj. Pavarësisht këtij viti të vështirë, është vënë re që kreditimi ka vazhduar, në rritje në të gjitha segmentet, kjo për pasojë e produkteve të reja apo përfshirja në paketat e qeverisë për t’i ardhur në ndihmë ekonomisë.
Megjithatë, masat e ndërmarra nga qeveria shqiptare, me qëllim frenimin e përhapjes së virusit COVID-19, po ashtu dhe të Bankës së Shqipërisë, pritet të ndikojnë në vëllimin e aktivitetit të bizneseve dhe për pasojë, kjo do të sjellë edhe uljen e gjenerimit të nivelit të të ardhurave. Si rrjedhojë, ngadalësimi i aktivitetit të njësive ekonomike mund të ndikojë në aftësinë paguese të këtyre subjekteve për periudhën në vijim.
Në mënyrë të menjëhershme, Banka vlerësoi rreziqet që mund të kishin ndikim më të madh, si në fillimet e krizës, ashtu dhe gjatë saj, duke marrë masa në parandalimin e tyre:
Rreziku i kredisë – garancia e qeverisë për bizneset që ishin subjekt i COVID-19. Nga njëra anë, Banka mirëpriti efektin pozitiv që do të sillte një bashkëpunim i tillë, por nga ana tjetër, nëse vlerësimi i kredisë nuk do të bëhej i saktë në të gjithë sistemin, kjo do të sillte ndikim të keq të raportit të kredive me probleme të sistemit bankar;
Mashtrimi i jashtëm – numri i madh i kërkesave mund të sillte një rritje të numrit të mashtrimeve. Për shembull, kërkesa për financim, bazuar në të dhëna të falsifikuara;
Rreziku i Biznesit – nevoja urgjente për financim do t’i bënte bizneset të zgjedhin bankat më të shpejta në ekzekutimin e kërkesave. Bankat, të cilat nuk dispononin këtë shpejtësi, mund të humbisnin pozicionin në treg;
Rreziku reputacional – nëse si pasojë e fluksit të madh të kërkesave, bankat nuk do të ishin në gjendje të përgjigjeshin në kohën e duhur, si rezultat i vlerësimit të aplikimeve, kjo gjë mund të ekspozonte bankat ndaj një rreziku reputacional.

Pasojat
Megjithatë, masat e ndërmarra nga qeveria shqiptare, me qëllim frenimin e përhapjes së virusit COVID-19, po ashtu dhe të Bankës së Shqipërisë, pritet të ndikojnë në vëllimin e aktivitetit të bizneseve dhe për pasojë, kjo do të sjellë edhe uljen e gjenerimit të nivelit të të ardhurave. Si rrjedhojë, ngadalësimi i aktivitetit të njësive ekonomike mund të ndikojë në aftësinë paguese të këtyre subjekteve për periudhën në vijim.

Cilat do të jenë sfidat kryesore për sektorin bankar në vitin 2021? Besoni se do të ketë një rritje të raportit të kredive me probleme dhe sa mund t’i ndikojë ky faktor perspektivat e rritjes së biznesit?
Ashtu siç e përmendëm dhe më sipër, bankat luajtën një rol thelbësor dhe të rëndësishëm kundërciklik për të mbështetur sektorin real, veprime të cilat gjithashtu mund të kenë në të ardhmen një sërë implikimesh për qëndrueshmërinë e sektorit bankar. Ndërsa kriza pritet të vazhdojë, edhe pas heqjes së bllokimeve dhe hapjes së ekonomive, efekti neto i masave të politikës në sektorin bankar është kryesisht i panjohur.
Situata komplekse që po mbizotëron, do të ndikojë në mënyrë të pashmangshme në aktivitetin bankar, madje edhe në nivelin e nevojës për vendime të rëndësishme strategjike.
Duke konsideruar portofolin e mirë, si dhe analizën që u bëhet klientëve tanë, Banka ka pasur për qëllim ruajtjen e performancës së saj.
Pavarësisht periudhës së vështirë, Banka ka hedhur në treg një sërë shërbimesh apo produktesh, në mënyrë që t’u vijë në ndihmë të gjithë segmenteve të klientëve. Banka Credins, edhe në këtë periudhë të vështirë dhe të paprecedentë, ka njohur rritje të portofolit të kredisë, kjo edhe si pasojë e paketave që ka ndërtuar enkas për këtë situatë: Credins Bank ka financuar bizneset që operojnë në sektorin shëndetësor, në mënyrë që të furnizohen me pajisje mjekësore, e cila ishte një nismë e rëndësishme, duke konsideruar periudhën; Credins Bank ka hedhur në treg produkte të reja të përshtatshme për të ndihmuar kategori të ndryshme të prekura nga kriza e COVID-19, siç janë kreditë me interes preferencial për profesionet e lira;
Për të promovuar turizmin dhe për t’u dhënë një mundësi kategorive me vështirësi financiare, që e kishin të pamundur kryerjen e pushimeve, banka rihodhi në treg, në sezonin e verës, produktin e pushimeve verore;
Përmes garancisë sovrane, banka ofroi kredi si për klientët ekzistues, ashtu edhe për klientët e rinj;
Me qëllim ardhjen në ndihmë të të gjithë individëve apo bizneseve Mikro, Agro për të përballuar pasojat e shkaktuara nga pandemia COVID-19, Banka Credins lançon ofertën e kredisë, e cila do të ndihmojë të gjithë individët pagamarrës dhe jo pagamarrës në Credins, si dhe të gjithë bizneset Mikro/Agro për të vijuar realizimin e planeve gjatë gjithë këtij viti.
Nëpërmjet ofrimit të një periudhe faljeje prej tre muajsh synohet ndihma e këtyre kategorive klientësh, duke u dhënë frymëmarrje të përkohshme në lidhje me mospagesën e principalit të kredisë; Për të lejuar klientët në vazhdimësinë e aktivitetit të tyre, edhe pse në kushte të vështira, nëpërmjet një analize të mirë, banka ka promovuar shërbimin E-commerce.
Duke ndjekur, hap pas hapi, klientët tanë, Banka do të jetë proaktive për të ndërhyrë në kohë reale, në mënyrë që të mbajë nën kontroll nivelin e kredive me probleme, në rastet kur do të ketë gjasa/mundësi të përkeqësimit të këtij indikatori.

Cilat janë pritshmëritë tuaja për ecurinë e ekonomisë shqiptare për vitin 2021? Prisni një rimëkëmbje të shpejtë, apo efektet e pandemisë së COVID-19 do të vazhdojnë të jenë të forta?
Me zinxhirët e furnizimit global të ndërprerë, si dhe mbylljen e disa bizneseve apo ambienteve, fusha e ndikimit tek individët, Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme, si dhe korporatat e mëdha, është ende e panjohur. E qartë është se të gjithë grupet po përballen me një krizë të likuiditetit që kërcënon stabilitetin e tregut ekonomik dhe financiar. Shpërthimi i pandemisë së COVID-19 ka prekur ekonominë, por sërish sektori bankar ka një kontribut pozitiv.
Ekonomia shqiptare padyshim u prek nga kjo krizë në vitin 2020, por ndikimet e saj pritet të japin efekte edhe gjatë 2021. Në këtë situatë të paprecedentë, parashikimi ekonomik bëhet veçanërisht i vështirë për shkak të pasigurisë së lartë që vjen prej faktorëve të jashtëm, siç janë shkalla dhe ndikimi i ndërhyrjeve si izolimi social, shkalla e shtrirjes së ndërprerjeve të furnizimit dhe ndryshimet në sjelljen njerëzore.
Viti 2021 sjell më shumë optimizëm, duke u bazuar dhe në progresin dhe vaksinimin e popullsisë. Rimëkëmbja e ekonomisë shqiptare në afatin e shkurtër mbetet sfiduese, si pasojë e efekteve negative nga tërmeti i vitit të kaluar, si dhe atyre të pandemisë globale COVID-19. Megjithatë, ekonomia jonë pritet të rifillojë rimëkëmbjen në vitin 2021.

Sfidat
Viti 2021 sjell më shumë optimizëm, duke u bazuar dhe në progresin dhe vaksinimin e popullsisë. Rimëkëmbja e ekonomisë shqiptare në afatin e shkurtër mbetet sfiduese, si pasojë e efekteve negative nga tërmeti i vitit të kaluar, si dhe atyre të pandemisë globale COVID-19. Megjithatë, ekonomia jonë pritet të rifillojë rimëkëmbjen në vitin 2021.