Të gjithë ata që zotërojnë një automjet do të paguajnë më shumë policë sigurimi, pavarësisht historikut të tyre të aksidenteve dhe kategorive të automjeve të vend, pasi dobia që u shit si përfitim për qytetarët, u kthye në projekt pilot vetëm për në Dibër, Berat dhe Kukës, ku shpopullimi ska lënë as dele dhe lopë e jo më makina.
Sot në Shqipëri, sigurimi i makinës është thjesht një taksë tjetër e detyruar, por që nuk garanton asnjë mbrojtje reale në rast aksidenti. Shoferët paguajnë për sigurim me shpresën se në rast nevoje do kenë mbrojtje financiare. Por realiteti është ky: kompanitë nuk paguajnë, nuk përgjigjen, dhe qytetari mbetet vetëm për shkak të pazareve AMF me kompanitë e sigurimeve. Çdo shqiptar që drejton një makinë do të detyrohet të paguajë tarifën e re të TPL-së, të vendosur nga ky kartel .Kontrolli i Lartë i Shteti vlerëson se Bordi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare nuk ka marrë masa ndaj shkeljeve të përsëritur të shoqërive të sigurimit, duke ndikuar në rritjen e riskut të tregut.
Deputeti akuza AMF-së: Bonus–malusi, skemë mashtruese në dëm të qytetarëve
Deputeti socialist Erion Braçe ka akuzuar Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare (AMF) dhe kompanitë e sigurimeve për mungesë konkurrence dhe marrëveshje të jashtëligjshme në tregun e sigurimeve. Në mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë, ai deklaroi se qytetarët po paguajnë çmime të larta për shkak të një sistemi që funksionon në favor të kompanive.“Nuk ndryshon asgjë në këtë treg prej vitesh: të njëjtët operatorë, të njëjtat tarifa dhe të njëjtat barriera. Kjo nuk është ekonomi tregu, por një marrëveshje e paligjshme që është pranuar edhe nga ju, edhe nga Autoriteti i Konkurrencës”, u shpreh Braçe.Ai kritikoi ashpër edhe sistemin e ri të bonus–malus për sigurimin e automjeteve, duke e cilësuar si një skemë që nuk ndëshkon sjelljet e rrezikshme në rrugë, por mbron interesat e kompanive.“Aplikimi i sistemit bonus-malus prisja të prishte këtë marrëveshje të paligjshme. 3 vite e shënuar në ligj, 3 vite nuk u bë, se ju la në dorë kompanive zbatimi i bonus malus. Nuk e bëtë as ju, në një marrëveshje shumë të qartë me njëri tjetrin, ndërsa qytetarët vazhdojnë e paguajnë shtrenjtë. Akti që nuk keni nxjerrë nuk është model evropian, modeli italian është me 18 klasa jo me 3. Modeli italian si në bonus dhe në malus është shumë i shpejtë, për një vit pa aksidente ngjitesh një shkallë më lartë, ndërsa për një aksident bie dy më poshtë. Ku përputhet modeli jonë me Italinë, Spanjën apo Finlandën?
Bonusi është nga 0.95-0.98, pra nëse unë sillem mirë nga niveli bazë 1% përsëri përfitimi do të jetë nga 0.95-0.98, kurse të gjithë ato që përmenda bonusin e kanë për stimulim për tu sjellë mirë në rrugë, ndërsa malusin e kanë ndëshkim.
Si mund të ndahet Shqipëria në Berat, Dibër dhe Kukës e gjithë pjesa tjetër pastaj. Unë jam nga Tirana s’kam bërë asnjë dëm, pse duhet të penalizohem unë me këtë? E ku është bonusi këtu, apo të shkoj të bëj pasaportizimin në Berat, Dibër dhe Kukës që të përfitoj? Nuk është normale, dhe është në interes të kompanive.
Unë bonusin e marr se jam deputet jo se sillem unë paguaj 180 mijë lekë, dhe ai gangsteri që ka makinën e bukur merr bonus paguan po 180 mijë lekë. Ja këtu është katandisur tregu”,- tha Braçe.
Taksat e qytetarëve shkojnë për rrogat e agallarëve të sigurimeve
Në Komisionin e Ekonomisë, diskutimet me shifrat nxorën në pah se si AMF paguan veten 30 milione lekë. Tabaku gjatë diskutimeve u shpreh se : Me pagë nëntë mujore 45 milionë lekë ,ju pagë nëntë mujore 72 milion lekë . Nëntë mujore me nëntë mujore me bazë krahasimi . Ja ta them unë , e ke këtu tek të dhënat financiare të kompanisë .Nëntë mujore me nëntë mujore ke marrë 30 milion lekë më shumë, kaq. Gjtihashtu sipas raportit ishin rritur me 40% shpenzimet e bordit , për nëndrejtorin 33,5 %. Edhe KLSH në auditimin e vinte theksin se nuk mund të përcaktojë bordi pagat për veten . Tabaku ngriti pyetjen për AMF se si mund t’i rriste pagën vetes sa të donte dhe kërkoi informacion për sa herë bordi vendos për shpërblime. Pasi pagat janë rritur për vetëm 5 punonjës, e janë rritur pagesat për shpërblimin e bordit drejtues.
Kështu ndërkohë që qytetarët detyrohen të paguajnë më shumë për një shërbim të detyrueshëm me ligj, institucionet u rrisin pagat vetes.
Bankat, “pazar” për sigurimin e jetës, në hetim paraprak nga Autoriteti i Konkurrencës
Autoriteti i Konkurrencës ka hapur hetim paraprak ndaj disa bankave të nivelit të dytë, mes tyre BKT, Raiffeisen, Intesa Sanpaolo dhe ProCredit Bank, për dyshime se kufizojnë zgjedhjen e klientëve në sigurimet e jetës për kredi. Hetimi synon të verifikojë nëse bankat kanë përdorur praktika të koordinuara që favorizojnë kompani të caktuara sigurimi, duke shkelur ligjin për mbrojtjen e konkurrencës.






















