Shqiptarët paguajnë miliona euro për shërbime të pakryera në spitale

191
Sigal

Auditimi nxjerr zbuluar sërish koncesionet në shëndetësi, të cilat edhe pse me mbështetje buxhetore, shiten si ‘falas’ për taksapaguesit. PPP-ja e laboratorëve nën hetim nga SPAK , lë qytetarët pa analiza, teksa dyfishon fitimet e veta në 1.3 mld lekë. Mjekët vihen nën “presion” për  analizat që diagnostifikojnë sëmundjet e qytetarëve duke u  rrezikuar jetën. Ja skandali me shërbimet e pakryera dhe faturat e paunifikuara

PPP-të e shëndetësisë, në 2021 u paguan shërbime të pakryera dhe fatura të paunifikuara, 2 milionë euro kosto

 

Raportet e auditimit zbulojnë se taksapaguesit paguan për shërbime, që nuk janë ofruar nga kompanitë koncesionare në sistemin shëndetësor. Katër kontratat koncesionare të dhëna nga qeveria janë me mbështetje buxhetore, pavarësisht se kryeministri shpesh deklaron se ato janë ‘falas’ për taksapaguesit.

Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ka konstatuar se edhe në vitin 2021 me koncesionet e shëndetësisë ka vijuar problematika e pagesës së shërbimeve të pakryera apo faturave jo të unifikuara në rastet e ndërhyrjeve të ngjashme.Një auditim në Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor ka nxjerrë në pah se koncesioni i hemodializës dhe ai i seteve kirurgjikalë kanë shfaqur mospërputhje për të cilat është kërkuar vëmendje nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Sipas vlerësimeve të KLSH-së për hemodializën janë paguar për shërbime të pakryer rreth 70 milionë lekë, ndërsa nga mos unifikimi i faturave, dëmi i vlerësuar për koncesionin e sterilizimit është rreth 168 milionë lekë. Në total kosto vlerësohet në 238 milionë lekë, ose 2 milionë euro.

Hemodializa

Kështu lidhur me kontratën e koncesionit të hemodializës KLSH nënvizon se janë paguar shërbime të pakryera duke rezultuar kështu me efekt financiar negativ që shkon në dhjetëra milionë lekë.“Kontrata koncensionare me nr.1503/44 prot., datë‰ 10.02.2016 “Për ofrimin e hemiodializës” me shoqërinë “D..” SHPK mundëson ofrimin e shërbimit të dializës në 5 rajone, me numër të projektuar të pacientëve për 156 seanca në vit (13 seanca në muaj) dhe 11,203 lekë çmimi për seancë hemodialize. Nga auditimi ka rezultuar se nuk është realizuar numri i seancave të dializës sipas projeksionit mujor kryesisht në qendrat e dializës Shkodër e Vlorë, dhe për disa muaj në qendrën e dializës Lezhë, për arsye të numrit më të ulët të pacientëve se sa projeksioni. Kjo ka sjellë si pasojë efekt financiar nga faturimet për shërbime të pakryera për seancat e dializës në vlerën 69,996,344 lekë. Nga të dhënat e vendosura në dispozicion konstatohet gjithashtu se për 5 qendrat e hemodializës janë kryer 1,447 seanca dialize të faturuara mbi projeksionin e përcaktuar në kontratën koncesionare për ofrimin e shërbimit me efekt financiar për faturime për shërbime mbi projeksion me një çmim prej 11,203 lekësh llogaritet në shumën 16,210,741 lekë” thuhet në auditimin e KLSH.

Sterilizimi

I njëjti ndalet edhe tek një tjetër koncesion i shëndetësisë dhe që ka të bëjë me setet kirurgjikalë. Audituesit kanë konstatuar se ka ndryshim nga viti në vit të instrumenteve të setit për të njëjtën ndërhyrje ndërkohë që ka klasifikime që bien ndesh sa i takon kompleksitetit të tyre duke mos ruajtur të njëjtin standard. Për rrjedhojë edhe faturimi për të njëjtën ndërhyrje ndryshon në raste të ndryshme.

“Nga auditimi mbi zbatimin e kontratës koncesionare për sterilizimin, rezultoi se: – Nuk ekziston një protokoll i saktë dhe i plotë i ndërhyrjeve/seteve, numri i seteve në aneks kontratë dhe faktit sipas diagnozave të aplikuara, pasi ka një numër shumë më të madh diagnozash/ndërhyje në krahasim me numrin e seteve të përdorura. Në skedarët për përdorimin e seteve administruar nga DSHSU, janë përshkruar dy rubrika ku në njërën shënohet diagnoza dhe në tjetrën lloji ndërhyrjes.

Është ndryshuar numri i instrumenteve në mënyrë të paargumentuar për disa prej seteve nga viti në vit për të njëjtën diagnozë/ndërhyrje kirurgjikale.

Konfigurimi i seteve dhe ndryshimi i kompleksiteteve ka sjellë vështirësi në monitorimin e kontratës” vlerëson auditimi. I njëjti sjell në vëmendje se ka disa raste që për të njëjtat ndërhyrje/sete janë aplikuar 2 dhe/ose 3 nivele të ndryshme kompleksiteti, me pasoja në financimin e kontratës për tavanin buxhetor përkatës dhe kufizimin e ndërhyrjeve për pacientet.“Gjithashtu nga përpunimi i të dhënave të administruara për vitin 2021 konstatohet se për të njëjtën ndërhyrje kirurgjikale, të realizuar në të njëjtin spital apo spital tjetër, faturimi kryhet sipas kompleksiteteve të ndryshme, dhe për pasojë çmime të ndryshme. Kjo mënyrë aplikimi e nivelit të kompleksitetit gjatë zbatimit të kontratës, shkakton pasoja financiare shtesë, krahasuar me efektin e përdorimit të kompleksitetit më të ulët të mundshëm, e lidhur kjo me çmimin përkatës. Në këtë kuadër, kanë rezultuar 21,174 raste, në të cilat është klasifikuar ndërhyrja kirurgjikale si kompleksiteti i mesëm dhe për të njëjtat ndërhyrje kirurgjikale, në disa raste është faturuar edhe si kompleksitet i lartë, si dhe janë 4,725 raste, në të cilat është faturuar për kompleksitet të lartë, megjithëse të paktën një herë e njëjta ndërhyrje kirurgjikale është faturuar si kompleksitet i mesëm.

Nëse për këto ndërhyrje do të përdorej kompleksiteti i mesëm, do të ulej financimi i kësaj kontrate për 87,318,000 lekë me TVSH. Gjithashtu, në total paraqiten 16,710 raste në të cilat është klasifikuar ndërhyrja kirurgjikale si kompleksiteti i ulët dhe për të njëjtat ndërhyrje kirurgjikale, në disa raste është faturuar edhe si kompleksitet i lartë apo kompleksitet i mesëm.

Nga auditimi konstatohet se janë 5,924 raste në të cilat është faturuar për kompleksitet i lartë dhe 8,057 raste në të cilat është faturuar për kompleksitet i mesëm megjithëse të paktën një herë e njëjta ndërhyrje është faturuar si kompleksitet i ulët. Në se për këto ndërhyrje do të përdorej niveli i ulët i kompleksitetit, financimi kësaj kontrate do të ulej me vlerën 81,214,560 lekë me TVSH” argumentojnë audituesit e KLSH.

Mjekët nën “presion” për të autorizuar analiza, por koncesioni i laboratorëve mbush xhepat me 1.3 miliardë lekë

 

Koncesioni nën hetim nga SPAK , lë qytetarët pa analiza, teksa dyfishon fitimet e veta. KLSH në një raport ka gjetur problematika të shumta në kontratën e shërbimit laboratorik për një periudhë 10-vjeçare, me kosto totale prej rreth 106 milionë eurosh.

Që kur hyri në fuqi kontrata me Partneritet Publik – Privat e shërbimit laboratorik në spitalet publike, mjekët dhe infermierët janë në presion për sasinë dhe llojin e analizave, të cilat tashmë kanë një kosto tjetër, pasi kryhen nga një kompani private që ka marrë shërbimin me koncesion PPP. Ndërkohë kujtojmë se koncesioni është nën hetim nga SPAK.

Mjekët në Qendrën Spitalore, “Nënë Tereza” pohuan se janë në presion për të autorizuar më pak analiza, por profili i punës në këtë spital kërkon që analizat për pacientët e shtruar të jenë të shpeshta për të vëzhguar ecurinë e pacientëve dhe në bazë të tyre ndryshohen edhe mjekimet. Por teksa stafet mjekësore në QSUT janë në presionin e administratorëve që të autorizojnë sa më pak analiza, kompania “Laboratory Netëork” që ofron shërbimin laboratorik raportoi norma fitimi të larta për tregun shqiptar.Të ardhurat e kompanisë, sipas bilancit zyrtar të dorëzuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, ishin 1.3 miliardë lekë në vitin 2021, ndërsa fitimi para taksave ishte 233 milionë lekë.Norma fitimit për koncesionin e laboratorëve ishte 19% më shumë se, dyfishi i normës së fitimit mesatare në tregun shqiptar.

Nga aspekti i fitimeve, kontratat PPP janë bizneset më të suksesshme në vendin tonë. Por duke qenë se aktiviteti i tyre bazohet në fondet buxhetore, normat e larta të fitimit tregojnë se qeveria nuk është duke administruar me përgjegjësi taksat e shqiptarëve. Të ardhurat e kompanisë Laboratory Netëork janë sa 12% e fondeve që qeveria shqiptare ka vënë në dispozicion të rimbursimit të medikamenteve.

Mënyra se si qeveria i ka prioritizuar fondet e shëndetësisë tregon dobësitë e forta të sistemit. P.sh., kostot e sterilizimit të sallave të operacionit që kryhen me koncesion PPP janë më të larta se kostot e trupës mjekësore që kryen ndërhyrjen.

Koncesionet në shëndetësi janë duke u hetuar nga Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar (SPAK), por ende nuk ka rezultate.

Koncensioni laboratorik i spitaleve universitare, rajonale dhe atyre bashkiake të Sarandës dhe Lushnjës u firmos në mbledhjen e 24 prillit 2019 nga qeveria dhe hyri në fuqi në dhjetor të vitit 2019. Vlera e kontratës është 13 miliardë lekë, ose rreth 106 milionë euro dhe afati i saj përfundon në vitin 2028.

Koncesioni i laboratorëve u fitua në prill 2017 nga konsorciumi i tre kompanive; Labopharma sh.p.k me 41.7%, Exalab France me 25% dhe AB Laboratory Solution BV, një kompani guaskë e regjistruar në Holandë me 33% pjesë në konsorcium.Një raport i Kontrollit të Lartë të Shteti ka gjetur problematika të shumta në kontratën që parashikon ofrimin e shërbimit laboratorik për një periudhë 10-vjeçare, me kosto totale prej rreth 106 milionë eurosh.KLSH konstatoi se vendosja e kufizimeve buxhetore në kuadër të vlerës totale mujore të lejuar për të shpenzuar dhe, duke pasur parasysh tarifat e ofrimit të shërbimit të ofruar, sjell riskun e mosofrimit të shërbimit apo tejkalimit të buxhetit në rast të nevojave emergjente sipas monitor.