Shqipëria po shuhet, shtesa e popullsisë drejt zeros

586
Sigal

INSTAT/ Situata alarmante, popullsia po tkurret duke shkuar drejt zeros në 2019-n. Emigrimi masiv, largimi i të rinjve dhe të rejave, mungesa e lindjeve dhe shtimi i vdekjeve, rrezik kombëtar. Në dy vitet e fundit shkollave u mungojnë 46 mijë nxënës dhe vetëm për 2018-2019, u mbyllën 150 shkolla. Ja të dhënat sipas qarqeve

 

Vala e emigracionit po zbraz shkollat shqiptare, 150 u mbyllën vetëm këtë vit

Shqipëria vijon “të shuhet”, shtesa e popullsisë shkon drejt zeros në 2019-n

 

Popullsia shqiptare është zhytur në një fazë tkurrjeje që po krijon një situatë alarmante për të ardhmen e vendit. Emigrimi masiv i qytetarëve shqiptarë po zbraz vendet e punës dhe shkollat e vendit, duke krijuar paralajmëruar një situatë kaotike sociale në vitet e ardhshme. Një tjetër aspekt alarmant është raportuar dje nga Instituti i Statistikave, që bëri publik shifrat e treguesit demografik në vend. Sipas INSTAT rezulton se shtesa e popullsisë ishte më e ulëta e pesë tremujorëve të fundit duke qenë afër zeros. Vitet e fundit përveç fenomenit të emigracionit, tkurrja e popullsisë po ndihmohet nga rënia e numrit të lindjeve. INSTAT raporton se, “numri i lindjeve për tremujorin e parë 2019 rezulton 5.986, duke shënuar një rënie prej 10,1 %, krahasuar me tremujorin e parë 2018. Numri i vdekjeve për tremujorin e pare 2019 rezulton 5.949, duke shënuar një rënie prej 5,7 %, krahasuar me tremujorin e parë 2018. Gjatë tremujorit të parë 2019, numri i lindjeve tejkalon me 37 numrin e vdekjeve. Në tremujorin e parë 2019, shtesa natyrore e popullsisë për 12 qarqet e Shqipërisë, shënoi vlerën më të lartë në qarkun e Tiranës, ku numri i lindjeve tejkalon me 562 numrin e vdekjeve. Në tremujorin e parë 2019, shtesa natyrore regjistron vlerë negative në tetë qarqe. Vlera më e ulët shënohet në qarkun e Korçës, ku numri i vdekjeve tejkalon me 191 numrin e lindjeve.”

Lindjet

INSTAT theksoi se “numri më i madh i lindjeve, për tremujorin e parë 2019 regjistrohet në qarkun e Tiranës, me 1.985 lindje, të cilat shënojnë rënie me 9,4 %, në krahasim me tremujorin e parë 2018. Numri më i ulët i lindjeve, për tremujorin e parë 2019 regjistrohet në qarkun e Gjirokastrës, me 97 lindje, duke reflektuar një rënie prej 21,8 %, në krahasim me tremujorin e parë 2018. Nga 12 qarqe të vendit, 9 prej tyre pësuan rënie të numrit të lindjeve, në tremujorin e parë 2019, krahasuar me tremujorin e parë 2018. Rëniet më të mëdha në përqindje të lindjeve, gjatë kësaj periudhe u shënuan në qarkun e Gjirokastrës me 21,8 % dhe qarkun e Shkodrës me 19,4 %. Një rritje në përqindje të lindjeve u regjistrua në qarqet Dibër me 16,1 %, Korçë me 1,3 % dhe Kukës me 0,4 %.”

Vdekjet

Numri më i ulët i vdekjeve për tremujorin e parë 2019 regjistrohet në qarkun e Kukësit, me 134 vdekje, me një rënie prej 11,3 %, në krahasim me tremujorin e parë 2018. Numri më i lartë i vdekjeve për tremujorin e parë 2019, regjistrohet në qarkun e Tiranës, me 1.423 vdekje, me një rënie prej 4,9 %, në krahasim me tremujorin e parë 2018. Nga 12 qarqe të vendit, 11 prej tyre pësuan rënie të numrit të vdekjeve në tremujorin e parë 2019, krahasuar me tremujorin e parë 2018. Rënien më të madhe në përqindje të vdekjeve, gjatë kësaj periudhe e shënojnë qarku i Kukësit, me 11,3 % dhe qarku i Elbasanit, me 10,6 %. Rritje në përqindje të vdekjeve, u regjistrua në qarkun Berat, me 0,3 %.