Shqipëria më e varfëra në paga, por më e shtrenjta me çmimet

307
Sigal

Eurostat/ Shqipëria ka nivelin më të ulët të të ardhurave për frymë në Europë, ndërkohë që ka çmimet më të larta. Vendi ynë edhe pse ka pagat dhe pensionet më qesharake, çmimet e ushqimeve janë më të shtrenjtat në Europë, së bashku me veshjet, tarifat e transportit, komunikimit, telefonisë celulare, ujit dhe energjisë. I vetmi sektor që është i lirë janë hotelet

 

Shqipëria ka të ardhurat më të ulëta, por më e shtrenjta në rajon,

Çmimet e ushqimeve afrohen me Evropën, vetëm restorantet të lira

Shqipëria ka nivelin më të ulët të të ardhurave për frymë në Evropë në raport me mesataren e BE-së, por nga ana tjetër, niveli i çmimeve në vendin tone, është në nivelet më të larta Rajonale, pasi i afrohen më shumë mesatares së BE-së për vitin 2020.

Ndërsa në disa artikuj si komunikimi dhe ushqimet, niveli i çmimit është i krahasueshëm me Bashkimin Evropian, madje edhe më i lartë.

Sipas të dhënave të ‘Eurostat’, niveli i përgjithshëm i çmimeve në Shqipëri, ishte sa 58 për qind e mesatares së BE-së më 2020. Maqedonia fqinjë, e kishte këtë tregues 50%, Mali i Zi 57%, Bosnja 55%, Rumania 38%. Serbia e kishte nivelin e çmimeve sa 58% e mesatares së BE-së, i njëjti nivel sa me Shqipërinë.

Por në Shqipëri çmimet e ushqimeve afrohen me mesataren e Evropës. ‘Eurostat’ përllogariti se më 2020 çmimet e artikujve ushqimore në Shqipëri, ishin sa 83.4% e mesatares së BE-së dhe gjithashtu, niveli më i lartë në Rajon. Kjo ecuri vërtetohet edhe me konsumin e brendshëm kur 42 për qind e shpenzimeve të përgjithshme mujore të shportës së mallrave shkojnë për blerjen e ushqimeve, niveli më i lartë në Rajon (në shtetet e tjera arrin maksimumi në 35%, në Kosovë) dhe BE (ku vetëm 13% e shpenzimeve totale shkojnë për ushqime). Gjithashtu Shqipëria është më e shtrenjta në Rajon edhe për veshjet. Çmimet e tyre i afrohen mesatares së BE-së me 96.2 % më 2020. Në shërbimet e transportit dhe të komunikimit, Shqipëria është  më e shtrenjta. Tarifat e komunikimit  janë më të larta se mesatarja e BE-së (108%). Ndër më të lirat janë çmimet e hoteleve dhe restoranteve (45.8% e mesatares së BE-së), duke lënë pas  vetëm Turqinë dhe Maqedoninë që i kanë më të lira.

Evropa

Sipas ‘Eurostat’ në vitin 2020, nivelet e çmimeve për mallrat dhe shërbimet e konsumit ndryshuan shumë në të gjithë Shtetet Anëtare të BE-së.

Danimarka kishte nivelin më të lartë sa (141% e mesatares së BE-së), pasuar nga Irlanda dhe Luksemburgu (të dy 136%), Suedia (130%) dhe Finlanda (126%), ndërsa nivelet më të ulëta të çmimeve u gjetën në Rumani (55% ), Bullgaria (56%) dhe Polonia (58%) e mesatares së BE-së.

Në përgjithësi, nivelet e çmimeve për mallrat dhe shërbimet e konsumit në BE, ndryshonin me pothuajse në të gjithë vendet anëtare.

Në vitin 2020, diferenca e nivelit të çmimit për restorantet dhe hotelet ishte tre herë më i lartë nga  vendi më i shtrenjtë, në atë më të lirë. Nivelet e çmimeve varionin nga 46% të mesatares së BE në Bullgari, e ndjekur nga Rumania (53%) dhe Hungaria (56%), deri në 154% të mesatares në Danimarkë, përpara Suedisë (138%) dhe Finlandës (131%).

Alkooli dhe duhani renditen të dytët për sa i përket ndryshimit të nivelit të çmimeve, me nivelet më të ulëta të çmimeve të regjistruara në Bullgari (61%), Hungari (69%) dhe Poloni (70%) dhe më të lartat në Irlandë (187% të mesatares së BE) , e ndjekur në distancë nga Finlanda (158%), Suedia (136%) dhe Franca (133%). Ky ndryshim i madh i çmimeve është kryesisht për shkak të ndryshimeve në taksimin e këtyre produkteve midis Shteteve Anëtare.

Ushqimi dhe pijet joalkoolike ishin më të lira në Rumani (66% të mesatares së BE-së) dhe Poloni (68%), ndërsa ato ishin më të shtrenjtat në Danimarkë (129% të mesatares), Luksemburg (126%) dhe Austri (125%).

Veshjet janë një grup produktesh ku çmimet ndryshonin më pak midis Shteteve Anëtare, duke filluar nga 73% e mesatares në Hungari në 130% në Danimarkë. Pajisjet personale të transportit gjithashtu regjistruan një pabarazi më të vogël të çmimeve midis Shteteve Anëtare, me Poloninë (80% të mesatares së BE-së) më të lirë dhe Danimarkën (137%) më të shtrenjtë. Dallimet në çmime ishin gjithashtu të kufizuara për elektronikën e konsumit, nga 87% e mesatares në Poloni në 112% në Hollandë dhe në Maltë.