Rruga e dëmtuar që po mban peng turizmin në fshatin Dardhë

1158
Sigal

Kryetari i Shoqërisë dardhare “Shpresa” Niko Balli: 700 metra rrugë po mbajnë peng turizimin në Dardhë.

 

Turizmi i sivjetshëm në fshatin turistik të Dardhës po mbahet peng nga 700 metra rrugë e dëmtuar gjatë stinës së dimrit që lamë pas dhe të një viti më parë, na thotë kryetari i Shoqërisë Dardhare “Shpresa”, Niko Balli, dhe banorët e saj. Mungesa e fondeve po zvarrit nga njëri behar te tjetri, kthimin e rrugës në parametra normalë. Për pasojë, kontratat e lidhura me turistët e vendeve të huaja, madje dhe me turistët që vijnë nga Izraeli, të cilët gjatë viteve të fundit kanë qenë frekuentues të rregullt, rrezikojnë të prishin kontratat me pronarët e hoteleve, restoranteve dhe bujtinave. Për rrjedhojë, familjet dardhare që jetojnë me të ardhurat e turizmit gjenden në panik, sepse vizitorët dhe turistët me të mbërritur te “Kthesa e Musait”; kështu quhet vendi ku rruga është e dëmtuar, qëndrojnë makinën, vështrojnë me habi për të kuptuar çfarë ka ndodhur me rrugën e Dardhës dhe vihen në dilemë nëse duhet të vijojnë rrugën drejt Dardhës apo të kthehen andej nga kanë ardhur, por të tërhequr nga bukuritë dardhare tentojnë të bëjnë të pamundurën për mbërritjen në destinacion. Megjithatë ka edhe nga ata që kthehen prapa, pa dashur të rrezikojnë. Kjo është gjendja aktuale që po përjeton fshati turistik i Dardhës së Korçës, i njohur për klimën dhe bukuritë e tij një shekull më parë.

Për këtë arsye banorët e Dardhës i kërkojnë qeverisë që 700 metrat e dëmtuara të rrugës të riparohen sa më parë të jetë e mundur me qëllim mos-humbjen e një viti turistik dhe mundin e investimeve të kryera”.

Rruga e Dardhës, vetëm 14 km

 

Për të shkuar në fshatin turistik të Dardhës, nuk duhet shumë kohë. Gjithsej janë 14 kilometra rrugë, të cilat mund t’i përshkosh me lehtësi të çuditshme. Përgjatë rrugës, në krahun e majtë, të shoqërojnë ujërat e ftohta që zbresin nga pyjet, kurse më të djathtë, thepisjet e kodrave që krijojnë tablo tërheqëse e të rrëmbejnë me bukurinë e tyre të magjishme. Kur i afrohesh fshatit, provon ndjesinë se po hyn në kufijtë e ëndrrës së dëshiruar, të cilën e gjen edhe më të nxehtë nga ç’mund ta kishe menduar. Ndoshta është emri i Dardhës së dikurshme, i mbetur në tregime njerëzish të moçëm, që flisnin për shkëlqimin e Dardhës, për serenatat e famshme të saj (të veçanta nga ato të Korçës), ku poshtë dritareve, djemtë thurnin ëndrrat e arta për vajzat. Këto të fundit, ishin ato, që me kostumin tradicional popullor, të ardhur nga thellësia e shekujve, me ngjyrat kuq e zi, në vallet shpërthyese të tyre, shpalosnin bukurinë femërore që në këngë thuhet përmes vargut:

“Ja do ta marr o moj nënë, ja moj do ta vras!”.

Por sot me të mbërritur te “Kthesa e Musait”, të prishet humori, kur shikon një rrugë të dëmtuar me rrëshqitje dhe gropa, ku askush nuk vë dorë”.

Të shkosh apo të mos shkosh, ko është çështja?!

Megjithatë, emocionet të nxitin të vijosh rrugën , sepse dy apo tre vjet më parë mund të kesh përjetuar ndjesi të mrekullueshme; mund të kesh njohur njerëz të ardhur nga vise të largëta të botës. Në Dardhë vinin për pushime edhe motra e mbretit Zog. Pjesa me e madhe e shtëpive në Dardhë presin vizitorë dhe turistë në çdo verë. Vijnë aty nga Greqia, Amerika, Spanja, Kosova dhe vende të tjera të botës, tashmë edhe nga vende më të largëta. Në Dardhë ka qenë edhe ish-ambasadori amerikan, Limpreht, ish-ambasadori i BE-së Elio Germano, ish-ambasadori grek, Iliopulos dhe mjaft njerëz të mirënjohur nga vendi ynë. Dardha ka nxjerrë njerëz të mençur, si: Teodor Laço, Sotir Peci, fisi Keko, Koçi, Glozheni dhe shumë të tjerë; 80 për qind e dardharëve ishin me arsim të lartë. Por, gjithë investimet e kryera mbahen peng nga 700 metra rrugë, që nuk po rregullohen. Shpenzimet për rregullimin e së cilës janë një pikë uji në krahasim me investimeve e kryera nga vetë banorët. Kjo është dëshpëruese për ta.

 

Të duhet të shëtitësh?

Nëse të duhet të shëtitësh Dardha të jep mundësinë të vizitosh tri kisha të rralla e të mirëmbajtura: Kishën e Shën Gjergjit, të Shën Pjetrit dhe atë të Shën Thanasit. Ndërkohë të bën shoqëri era e freskët e pishave; më tutje të grishin peizazhe të gjelbra të mahnitshme. Në atë terren malor, të rrethuar nga pyjet, gjen shtëpi të mbuluara me plloça guri të zbritura nga mali përkarshi, rrugë të kalldrëmta që të çojnë portë më portë, pas të cilave të pret një dikush që të hysh brenda. Nëpër oborre shtëpish dëgjohet zukatja e bletëve; i zoti i shtëpisë të nxjerr rakinë e kumbullës të zierë tre here; ndërkohë zonja e shtëpisë hap petët e lakrorit të famshëm dardhar që piqet nën saç si një herë e një kohë. Të gjitha gatesat aty janë të pa përsëritshme, siç është i pabesueshëm shija e mishit të qengjit, me aromën e trëndelinës së Gramozit. Megjithatë prej gati dy vitesh, “Kthesa e Musait” mban peng turizmin e Dardhës dhe investimet e banorëve të kryera për këtë qëllim. Ndaj gjithë dardharët i kërkojnë qeverisë të mundësojë ndërhyrjen për rregullimin e 700 metrave rrugë, pasi turistët kanë filluar të prishin kontratat, gjë që do të thotë se humbjet e tyre do të jenë të mëdha.

Këtu merr fund rrëfimi i banorëve të Dardhës dhe kryetarit të Shoqërisë Dardhare “Shpresa”, Niko Balli.