Rrënimi i Universiteteve/ Azgan Berbati: Arsimi i Lartë i mbushur me skandale, drejtuesit fitojnë miliona, por ndëshkohen roja dhe laborantët

666
Sigal

“Pse duhej të isha dëshmitar i rrënimit të Universitetit; pse duhej të isha armik, kur tentoja ndalimin e atij rrënimi”? Pse pra?! Ndërsa, një gjë është e qartë: Bukuria e një kombi fillon tek arsimi i tij, sikundër edhe shëmtia, gjithçka.

 Ashtu si në një organizëm jetësor depërton një virus, i cili e sëmur atë, ose më keq akoma, e vret, ashtu, njeriu që dikur ishte projektues i modelit të duhur shoqëror, sot është shndërruar në një virus vrastar brenda organizmit që dikur projektohej ky produkt për shoqërinë; kaq paradoksalisht. Ky transformim ka qenë gradual, prandaj i mundshëm, ndonëse kaq i paimagjinueshëm.Shpjegimi i kësaj është tepër i hidhur; jo vetëm pse thelbi i referohet një virusi, por sepse virusi brenda organizmit ku projektohej e bukura, është vet njeriu; më tepër se kaq; njeriu me mision të shenjtë, profesori brenda Universitetit/virusi brenda organizmit.

Jo rrallë janë dëgjuar skandale në Universitetet shqiptare. Në rastet më të mira, ndëshkueshmëria ka rënë mbi laborantët, rojet, etj. Edhe në rastet kur bëhet fjalë për tendera, që në fakt nuk kanë dijeni profesorët dhe askush tjetër, përveç atyre që firmosin; vjedhja fryhet e fryhet, prandaj shpërthen diku. Sapo ndodh ky shpërthim, dita bëhet e zezë për rojet, laborantët, njerëzit që në fakt janë më të ngratët, jo për funksionet që mbajnë dhe pagat që kanë, por për skllavërinë që përjetojnë, deri në pikën e marrjes së dënimit në vend të autorit.

Kokëulur, ata pranojnë gjithçka dhe megjithëse kushdo, madje edhe drejtësia e di kush është e vërteta, çdo gjë kopsitet me shpejtësi dhe firmëtarët: rektori me shokë, shpëtojnë sërish “pa u lagur”.Nëse sot ndiqet një rrugë nga drejtësia, se ku kanë shkuar paratë dedikuar Universitetit, drejtuesit e këtij të fundit do të mendonin se si mund të përshtaten me jetën e re në burg.Nëse, gjithashtu shikohet me vëmendje Universiteti, evidentohet tragjedia e përditshme aty. Në faqet zyrtare shpërndahet hipokrizia dhe propaganda, por njëkohësisht edhe e vërteta; kjo e fundit pa vetëdije. Në asnjë rast nuk thuhet diçka esenciale për dijen, shkencën, profesoratin, lirinë akademike dhe ja pse aluzioni i kësaj ndërton të vërtetën.

Madje, guxohet deri në pikën që zëvendës rektorja komplimentohet për bukurinë e saj, në faqen zyrtare të Universitetit; tragjikomike!!Nga ana tjetër, “doktorët e shkencës” që specializohen jashtë Shqipërie, pa asnjë dallim nga reklamuesit e produkteve në “Top-Shop”, me një kamer dhe tekst përballë, dalin dhe thurin elozhe për rektorin, që sipas tyre iu mundësoi formimin shkencor atje.

Vjedhja, injoranca, e keqja kanë shkuar në pikën. që nuk i bën më përshtypje askujt, prandaj, pikërisht këtu ndodh edhe përshtatshmëria me to.

Askush në Shqipëri nuk frikësohet të bëjë keq, ngaqë e keqja këtu nuk ndëshkohet. Dhe kjo origjinon nga arsimi. Përgjegjësi i departamentit në një nga Universitetet publike të Tiranës, është injorant, dhe këtë e ka të shkruar edhe në ballin e vet edhe në ballin e dy drejtuesve të tjerë kryesor: dekanit dhe rektorit, secili për pjesën e vet. Nuk është parë ndonjëherë një ngjashmëri e tillë, aq identike. Është një injorancë vëllazërore, e cila të treve iu rri si emërues i përbashkët, ndoshta njëherazi është edhe arsyeja e miqësisë krejt të ngushtë midis tyre.

Por, nuk është vetëm injoranca ADN-ja përbashkuese; janë edhe ligësia, babëzia, çnjerëzorja, etj. Injorancën brenda Universitetit nuk e fshehën dot kurrë, sepse ambjenti është kaq zbulues, në këtë pikpamje.Kjo kuptohet edhe prej studentit më të dobët, jo më prej kolegut që ndoshta njeh edhe mënyrën e rekrutimit. Babëzia e tyre evidentohet, veçanërisht tek votuesit, që ndryshe quhen “pedagogët e rinj”.Të cilët, në fakt s’kishin si të mos ishin, gjithashtu injorantë, deri në atë pikë, saqë të mos dinë ta shkruajnë si duhet gjuhën amtare.

Të vjen t’i ndihmosh, por vasaliteti është kaq absolut tek ta, saqë ndihmesa shpërfillet, madje përbuzet. Ata janë kaq të ngratë. Jo gjë tjetër, veçse garanci e vrasësve të Universitetit, mbajtës të tyre; ata përdoren një herë në katër vjet. Pedagogët e rinj, aty, janë jo pedagogë të vërtetë; më shumë se gjithçka, janë vota të sigurta për shokët që kalojnë pushtimin e Universitetit nga njëri tek tjetri. Të pafuqishëm, pa autoritetin e duhur përballë auditorit me studentë, një pedagoge e re, e cila sa herë vishej për të shkuar në Universitet e pështynte komisionin e etikës, e neutralizonte me hiret dhe gjithçka tjetër nxirrte para tij, por jo vetëm; një ditë duke kopjuar diçka nga një material i përgatitur në një letër para auditorit, në një ushtrim elementar matematikor, ajo dorëzohet, skuqet, turpërohet, ngaqë, konkretisht nuk dinte mbledhjen e zbritjen e fuqive. Atë moment s’ishte më asgjë, për më tepër, as ashtu siç ajo përgatitej me më shumë kujdes: nuk ishte më, as femër e bukur.

Si ajo, një koleg i saj, (i cili ndërronte makinat e shtrenjta më shpesh se ai pedagogu i vërtetë xhaketën) sa herë e gjente veten para studentëve, bënte apelin dhe i nxirrte me shpejtësi përjashtë. Një ditë u mërzit; nuk kishte faj; donte të bënte diçka ndryshe dhe prandaj mbasi bën apelin, iu thotë studentëve: “çfarë të bëjmë tani?”; kaq i dorëzuar ishte. Një tjetri (ky me më shumë përvojë) e tërhiqte vëmendja për të mësuar si shkruhet gjuha amtare, prej studentit të tij. Shumë prej këtyre problemeve janë paralajmëruar, janë adresuar, por deri sot nuk janë zgjidhur. Megjithatë, kur kjo ka ndodhur prej studentëve, hakmarrja kundrejt tyre, me urdhër të rektorit, ka qenë kaq e ligë dhe e paimagjinueshme. Për hir të vërtetës, asnjë nga sa më lartë nuk meritojnë të faktorizohen në këtë shkrim, sikundër, absolutisht nuk meritonin kurrë të shkelnin në një vend aq të madh për ta, aq të papërshtatshëm, si Universiteti. Por, është rasti më sinjifikativ, më shpjegues i së keqes, gjymtimit dhe errësimit që iu bë universit të së bukurës, vendit ku projektohen dritat e kombit, Universitetit. Është rasti, i cili shpjegon, pothuajse deri në palcë rrënimin universitar dhe rrënimi universitar brenda shkatërrimit të vet, ka: edhe rrënimin njerëzor, moral, profesional, shoqëror, pra i ka të gjitha rrënimet. Pastaj, nëse shtojmë edhe ndonjë tjetër rast, shpjegueshmëria e së keqes bëhet më shumë se thjesht një shpjegim. Pra, Universiteti me raste shumë; kështu, ka kohë që është. Imagjinoni se çfarë formimi merr një student në të tilla kushte e rrethana. Kjo është e vërteta, ndërsa e vërteta si e tillë, në Shqipëri është shndërruar në një mitër armiqsh. Madje, përballë të vërtetës së vet, edhe urrejtësi më i madh i gënjeshtrave, shpeshherë është tjetërsuar; së paku e ka lëkundur raportin e vetes me dinjitetin njerëzor, që përftohet nga pranimi i së vërtetës, edhe kur ajo nuk të favorizon. Dhe autorit të këtij shkrimi i dhemb pyetja e shpeshtë e tij: “Pse duhej të isha dëshmitar i rrënimit të Universitetit; pse duhej të isha armik, kur tentoja ndalimin e atij rrënimi”? Pse pra?! Ndërsa, një gjë është e qartë: Bukuria e një kombi fillon tek arsimi i tij, sikundër edhe shëmtia; gjithçka.