Rindërtimet nga tërmeti, favorizojnë bizneset e oligarkëve

271
Sigal

Shkollat e Tiranës, shumë larg rindërtimit, numri i objekteve ndryshon si stinët e vitit

Praktikat që janë ndjekur me fondet për ndërtimin e shkollave favorizojnë oligarkët

Ja lista e plotë e shkollave, që nuk janë të sigurta për shkollimin e fëmijëve dhe ato që u hoqën nga lista për t’u rindërtuar

 

Institucionet arsimore në Tiranë të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 janë ende shumë larg rindërtimit ose rikonstruksionit, ndërkohë që shumë prej tyre janë lënë në harresë.

 

Të dhënat zyrtare tregojnë se tërmeti i 26 nëntorit 2019 dëmtoi në kategori të ndryshme disa shkolla, të cilat u organizuan për rindërtim apo rikonstruksion nga Ministria për Rindërtimin dhe bashkitë në vend. Ndërtimi i disa shkollave u bë me fonde të buxhetit të shtetit, disa të tjera me fonde të BE, disa u dhanë me koncesion… Por cili është rezultati dhe ku është ky proces sot teksa shkollat sipas vëzhgimit të Portës Vendore nuk janë gati për këtë shtator? Do të vijojë mësimi me dy-tre turne? A u neglizhua nga institucionet ky proces për shkak se mësimi u zhvillua online? Ekspertët analizojnë situatën, ndërsa shqyrtohen dokumente dhe gjendja e godinave të shkollave, që aktualisht janë në proces rindërtimi, por shumë larg finalizimit të tyre.

Rindërtimi i shkollave në Tiranë

Porta Vendore pa nga afër gjatë muajit gusht institucionet arsimore të dëmtuara nga tërmeti, të cilat janë pjesë e listës së godinave që do të rikonstruktoheshin ose rindërtoheshin. Në total janë 23 shkolla në të gjithë Tiranën, që i janë nënshtruar procesit të rindërtimit, ku 7 prej tyre do të bëhen me donacion dhe janë në proces prokurimi nga UNDP.

Në Kombinat janë tre shkolla të dëmtuara, “Lasgush Poradeci”, “Musine Kokalari” dhe “Myslim Keta”, të cilat do t’i nënshtrohen rindërtimit.

Në shkollën 9-vjeçare “Lasgush Poradeci” po punohet për ndërtimin dhe përgatitjen e godinës për nxënësit. Teksa e shohim nga afër vihen re punëtorët, të cilët vijojnë me ritme të shpejta rindërtimin e kateve të planifikuara siç duket qartë edhe në tabelën orientuese.

Në shkollën “Myslim Keta” është një heshtje totale, nuk ka asnjë njeri që po kryen punime, riparime apo thjesht lyerje. Shkolla “Myslim Keta”, në Kombinat në të cilën nuk ka nisur ende asnjë fazë e rindërtimit.

Në të njëjtin program financimi bën pjesë edhe shkolla 9-vjeçare “Musine Kokalari”, ku gjurmët e tërmetit të 26 nëntorit janë të dukshme me sy të lirë. Për shkak të pozicionit ku ndodhet është e mundur të shikosh në çdo skaj të godinës, ku duken çarjet në mure, por nuk duket asnjë njeri që të kryejë riparime. Pranë shkollës ndodhet vetëm një zonjë rreth 50 vjeçe, e cila e ka shtëpinë aty pranë, kthen kokën nga shkolla dhe thotë: “Nuk e rregullon njeri, nuk dimë çfarë do bëhet me fëmijët. Kush e di se në cilën shkollë do i çojnë”,- shprehet ajo.

Shkolla “Hasan Vogli” e pozicionuar pranë Zogut të Zi në zonën e Don Boskos, është gjithashtu e përfshirë në procesin e rindërtimit. Në bazë të vëzhgimit, nuk është gati për këtë vit shkollor, pasi puna po ecën me ritme mesatare, megjithëse Bashkia Tiranë i tha Portës Vendore se kjo shkollë do të jetë gati për vitin e ri mësimor 2021-2022.

Ndërsa shkolla 9-vjeçare “Xhezmi Delli” e pozicionuar pranë rrugës Bardhyl dhe që i shërben më së shumti komunitetit rom dhe egjiptian që jetojnë në këtë zonë, ende qëndron në këmbë.

“Nuk ka ardhur askush ta shembë. Kanë ardhur e kanë parë nga jashtë e brenda, por deri tani s’ka thënë kush gjë fare. Presim të na vijnë e të na i rindërtojnë”,- tha një banore, e cila po thur triko përpara derës së mbyllur të shkollës, duke marrë rrezet e diellit në piskun e vapës së gushtit, nën diellin përvëlues. Kjo shkollë do të financohet nga UNDP.

“Asim Vokshi”, e pozicionuar në Rrugën e Elbasanit dhe “Emin Duraku” e cila ndodhet në zemër të Bllokut duket se kanë të njëjtin fat, pritjen. Ngrehinat qëndrojnë në këmbë si për inerci, deri në një urdhër dhe vendim prishjeje, i cili nuk është marrë ende për t’u ekzekutuar më pas, e për t’i hapur rrugë rindërtimit të këtyre shkollave me kapacitete të mëdha klasash me fondet e UNDP-së.

Sikur të mos mjaftonte vonesa e tyre, bie në sy se nga viti në vit numri i objekteve ,që ishin për rikonstruksion apo rindërtim ka ndryshuar, si për kryeqytetin, ashtu edhe për objektet e bashkive të tjera të prekura nga tërmeti, ndërsa ekspertët hedhin dyshime për afera korruptive.

Shkolla e mesme “Asim Vokshi”, e cila pret t’i nënshtrohet procesit të rindërtimit. Shkolla “Emin Duraku”, e cila pret të rindërtohet. Shkolla “Mjull Bathore”, në Farkë

Ndërsa në shkollën 9-vjeçare Mangull të Petrelës gjithçka ka përfunduar. Shkolla është rindërtuar dhe nuk ka asnjë gjurmë të tërmetit.

Shkolla “16 Shtatori” në Pezë të Madhe është duke u rikonstruktuar. Siç duket qartë në tabelën e vendosur pranë saj punimet po kryhen nga “Qatar Fund”. Punëtorë shprehen se kanë punuar me intensitet dhe do të arrijnë objektivat e përcaktuara për përfundimin në kohë të shkollës.

Situata paraqitet dramatike në shkollën  Pezë të vogël. Gjithçka ka mbetur përgjysmë, ndërsa pranë shkollës nuk ka asnjë njeri që të kryejë punime. Në oborr si për të dëshmuar rindërtimin, qëndron stoik edhe një traktor. Duket se në këtë shkollë është e vështirë të hapen dyert për nxënësit më 27 shtator, atëherë kur do të startojë edhe viti i ri shkollor. Banorët shprehen se nuk kanë asnjë informacion se si do të vijojë kjo procedurë dhe i druhen një zhvendosje të mundshme në një shkollë tjetër. “Mirë që ishim në izolim, se nuk e di se si do t’i kishim dërguar fëmijët në shkollë tjetër. Transporti ka kosto, të cilat e kemi të vështirë t’i sigurojmë”, shprehet një banor i zonës,- ndërsa shton se prej ditësh nuk ka parë njëri që punon në ambientet e shkollës. Kjo shkollë është në proces rindërtimi nga Bashkia e Tiranës.

Shkolla 9 vjeçare në Pezë të Vogël, e cila po ecën me ritme të ngadalta në procesin drejt rindërtimit.

Shkolla 9-vjeçare “Bedri Llagami” në Vaqar është një ndër shkollat, e cila duhet të rindërtohet. Por çfarë ka ndodhur? Kjo shkollë është në gjendje të mjeruar, pa çati, dyer e dritare, pa banka e tavolina. Gjithçka është e qartë, kjo godinë vështirë të përfundohet. Banorët e zonës thonë se nxënësit janë shpërndarë në shkolla të tjera duke rënduar ekonominë familjare dhe sjellë vështirësi të mëdha në transport. Në këto kushte, mbyllja për shkak të pandemisë shërbeu si një zgjidhje edhe për ta, por me ardhjen e vitit të ri akademik ata ndodhen sërish në udhëkryq.

Shkollat që u hoqën nga lista e rindërtimit

Bashkia e Tiranës, në përgjigje të interesit të Portës Vendore rendit 11 godina arsimore që janë për t’u rindërtuar në këtë zonë.

Vihet re se në listën aktuale është shtuar shkolla “Sami Frashëri”, e cila nuk rezulton në listat e shkuara. Po ashtu pjesë e listës aktuale nuk është shkolla 9-vjeçare “Bedri Llagami –Vaqarr” dhe ajo e Selitë Malit në Zall Bastar.

Shkolla 9-vjeçare “Mjull Bathore” në Farkë u dëmtua nga tërmeti dhe fillimisht ishte në listën për rindërtim, më pas kaloi në listën për rikonstruksion. Në oborrin e kësaj shkolle nuk ka asnjë njeri për të punuar dhe as nuk duken gjurmë të tërmetit. Janë dy vajza, nxënëse të kësaj shkolle që na shoqërojnë dhe na tregojnë se si mund të hyjmë brenda rrethimit të shkollës, ku e vetmja gjë që i frikëson është një mur ndarës që duket sikur nga çasti në çast do të bjerë. Shkolla është me xham dhe përveç atij muri nuk duket asnjë shenjë tjetër e tërmetit. Vajzat na tregojnë edhe shkollën e vjetër ku kanë mësuar më parë, një godinë e rrënuar, ndërsa tregojnë shkollën me gisht thonë: “Kjo ishte shkolla jonë, shikojeni si është. Të renë e ndërtoi Sali Berisha, ndryshe do ishim ende këtu”.

E bindur në sqarimin e saj, nis e tregon ëndrrat dhe sesi këtë verë nuk ka mundur të lexojë pasi biblioteka e shkollës është zhdukur për t’i lënë vend infermierisë.

Porta Vendore iu referua me një kërkesë për informacion lidhur me procesin mësimor dhe si mendohet të zhvillohet ai edhe Drejtorisë Arsimore Tiranë, por nuk mori një përgjigje. Ndërsa Instituti i Ndërtimit, i pyetur nëse pas më shumë se 20 muajsh kishte përfunduar procesi i vlerësimit të dëmeve në shkollat e kryeqytetit, ia delegoi topin bashkisë, ku kjo e fundit vuri në dispozicion të Portës Vendore shkollat, që bëjnë pjesë në projektin e rindërtimit, të cilat janë reflektuar edhe më lart.

Eksperti për arsimin Ndriçim Mehmeti, i cili ka ndjekur të gjitha zhvillimet dhe shifrat e publikuara analizoi situatën në një prononcim. Sipas tij ka dy arsye përse kanë ndryshuar listat e shkollave që duhet të rindërtohen: “Së pari qeveria nuk dha fonde të mjaftueshme për të investuar për arsimin. Ne vijojmë të mbetemi vend i fundit në Ballkan për përqindjen e GDP, që shpenzojmë në arsim dhe së dyti, qeveria nuk e ka prioritet arsimin. Në fillim u deklarua se ishin vetëm 42 shkolla për të ndërtuar dhe riparuar, pastaj u bënë 56, 78, dhe përfunduan me 98 shkolla nga të cilat ende nuk dimë sa janë rindërtuar, sa do të jenë nxënësit që përfitojnë, sa nxënës mbeten me dy, tri dhe katër turne etj”,- shprehet ai.

Ngecja e procesit dhe mospërfundimi i rindërtimit të godinave në shtator kur nxënësit pritet të ulen në banka pas një shkëputje të gjatë në procesin mësimor do të ketë pasoja. Këtë e konfirmoi eksperti Mehmeti, i cili thotë se: “Nxënësit vijnë me mangësi të mëdha për shkak të thuajse 1 viti e gjysmë shkollor të humbur nga pandemia, mungesa e mjediseve shkollore dhe orëve të shkurtuara dhe për më tepër mësimit online, efektshmëria e të cilit është në dyshim të madh. Mësuesit do të jenë të lodhur, për shkak të orëve të gjata të punës dhe rendimenti i tyre do të vijë duke rënë, duke ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në cilësinë e dijeve që do të përfitohen prej nxënësit,”- vijon eksperti Mehmeti.

Ajo çka bie në sy në këtë proces është futja në listën e shkollave për rindërtim e godinës së gjimnazit “Sami Frashëri” e cila ishte planifikuar të hapej në janar për të pritur nxënësit. Mehmeti hedh akuza për një aferë të fshehur korruptive. “Një aferë e pastër korruptive. Shkolla kishte më pak se dy vjet që ishte rikonstruktuar dhe ky ishte rikonstruksioni i tretë që iu bë. Është rikonstruktuar kur ishte kryetar bashkie z. Rama dhe përfundoi me tavan të rënë dhe dy herë në kohën e z. Veliaj. Shkolla u deklarua se do të hapej në janar, por u shemb dhe u kthye në shesh ndërtimi, nga ku nuk dihet nëse do të rifitojë hapësirën që ka pasur, apo do të tkurret në favor të ndonjë sheshi ndërtimi. Po ashtu shkolla kishte tabletë të të ashtuquajturit mësim online që do të shtrihej në gjithë gjimnazet e Shqipërisë e që sot nuk dihet se ku kanë përfunduar. SPAK ka një skenë krimi të pastër dhe kjo është shkolla ‘Sami Frashëri’ dhe shkolla ‘Ramazan Jangozi’, në Thumanë, e cila u ndërtua e re me fond 500 mijë euro në 26 shtator dhe u rrëzua në 26 nëntor 2019”,- tha ai.

Por, nga ana tjetër edhe shkollat të cilat janë në proces rindërtimi janë lënë në harresë nga institucionet, të cilat nuk kanë ushtruar kontrolle për të penalizuar ata që nuk zbatojnë kontratat. “Asnjë masë penalizuese nuk do të aplikohet pasi ato janë shtyrë qëllimisht për t’u ndërtuar më vonë me qëllim përfitimin e fondeve shtesë. Bashkitë dhe qeveria nuk dënojnë, penalizojnë apo marrin masa ndaj atyre që i favorizojnë në përfitimin e tenderave me fonde publike të majme”, përfundon eksperti i arsimit Ndriçim Mehmeti.

Eksperti i ekonomisë Zef Preçi i pyetur lidhur me funksionimin e procesit të rindërtimit të objekteve arsimore në kryeqytet tha se e gjitha duket si një proces rutinë me pak emergjencë.

“Me aq informacion sa i është ofruar publikut nga Bashkia dhe vetë           mediat, duket si një proces rutinë më shumë se sa proces emergjence në përgjigje të ndikimit të tërmetit të 26 nëntorit 2019. Avash-avash po bëhen dy vite dhe nëse për një ndërtim privat shumëkatësh nevojiten vetëm disa javë, maksimumi pak muaj, në këto ndërtimet shtetërore me sa duket edhe problemet që kanë patur me përzgjedhjen e firmave, me negocimet e drejtpërdrejta, me shmangien e konkurrencës, etj, i kanë vonuar proceset dhe vendimmarrja bëhet në emergjencë, kurse ndërtimi merr shumë kohë dhe nuk u përgjigjet nevojave imediate që ka sektori i arsimit në rastin konkret”, shprehet ai, ndërsa ndalet gjithashtu edhe tek kostoja reale e këtyre investimeve, ku përveç asaj financiares, ka edhe kosto në elementin kohë, në           pritjen shumë mujore të           realizimit të projektit të rindërtimit.

“Vlerësimi i kostove është i ndryshëm. Sipas meje, shqetësimi kryesor është dhe duhet të jetë lidhur me koston e rindërtimit për njësi. Për fat të keq, praktikat që janë ndjekur qoftë edhe me fondet e BE-së, janë që çojnë favorizime klienteliste të oligarkëve të caktuar dhe nuk marrin parasysh koston e ndërtimit që ofron Enti Kombëtar i Banesave. Pra, është shmangur rruga e prokurimit normal dhe po ndiqen rrugë të tërthorta, që në fund fare çojnë fitim parash për zgjedhjen e fituesve, favorizim dhe klientelizëm të një numri firmash. Për rrjedhojë kosto të lartë të ndërtimit të larguar nga kushtet e tregut”, përfundon eksperti i ekonomisë Zef Preçi për Portën Vendore.

Shifra kontradiktore për objektet e dëmtuara nga tërmeti, jo vetëm në Tiranë

Megjithatë, nga ajo që vihet re rezulton se të dhënat janë kontradiktore dhe kanë ardhur gjithmonë duke ndryshuar. Lista e godinave që do të rindërtohen apo rikonstruktohen janë ndryshuar apo zëvendësuar nga institucionet përkatëse. Por, të dhënat kontradiktore dhe që kanë ndryshuar nuk janë vetëm për Bashkinë e Tiranës, e njëjta situatë ka ndodhur edhe për shifrat në të gjitha bashkitë e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Të dhënat e para publike, Ahmetaj: 143 objekte arsimore të dëmtuara

Në një nga prezantimet e Ministrit për Rindërtimin Arben Ahmetaj më datë 22/07/2020 u bë me dije se janë 143 objekte arsimore në 11 Bashki të dëmtuara nga tërmeti, nga të cilat 53 do të financohen nga buxheti i shtetit dhe 90 shkolla do të financohen nga donatorët.

Ndërkohë sipas raportit të përgatitur nga qeveria “Vlerësimi i nevojave pas fatkeqësisë”, rezulton se janë të dëmtuara 321 institucione arsimore që përfaqësojnë 24% të institucioneve të vend. Bashkitë e Tiranës dhe Durrësit kanë pjesën më të lartë të dëmit, me 55% dhe 21%, respektivisht. Vlera totale e dëmeve dhe humbjeve në sektorin e arsimit vlerësohet në 72.35 milion euro. Nga kjo, vlera e dëmit është 63.59 milionë euro , ndërsa humbjet janë 8.76 milionë euro. Nevojat totale për rindërtimin dhe rimëkëmbjen vlerësohen të jenë 94.83 milionë euro (11.67 miliardë lekë). Në këtë pikë numri i institucioneve arsimore është 321, ndërkohë që më herët, sipas ministrit të rindërtimit ishin të dëmtuara nga tërmeti 143 objekte arsimore. Pra shifrat kanë ndryshuar. Ndërkohë që sipas raportit sektori më i prekur nga tërmeti është ai i arsimit me 8.56%.

Ahmetaj: Në programin e rindërtimit janë 171 objekte arsimore

Ministri i Shtetit për Rindërtimin nëpërmjet zyrës së shtypit tha për Portën Vendore se sipas sekretariatit teknik 171 objekte arsimore janë të përfshira në Programin e Rindërtimit, prej të cilave: 114 objekte arsimore janë klasifikuar për Rindërtim dhe 57 objekte arsimore janë për Rikonstruksion. I pyetur për procesin se në cilën fazë janë këto godina ky institucion thotë se nuk është kompetencë e tij. “Lidhur me pikat e tjera, sqarojmë se ato nuk bëjnë pjesë në fushën e përgjegjësisë së Ministrit të Shtetit për Rindërtimin, por në fushën e përgjegjësisë së Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Njësive Zbatuese”, thuhet në përgjigjen zyrtare. Ndërsa e pyetur për këtë çështje Ministria e Arsimit ia delegoi sërish topin Ministrisë së Rindërtimit. Ndërkohë që më herët Ahmetaj tha se janë dëmtuar 143 objekte arsimore. Vetë ministri ka publikuar dy shifra të ndryshme. Pra, në fillim rezultonte se ishin të dëmtuara 321 institucione arsimore, sipas raportit të qeverisë, ndërkohë që më vonë, kjo shifër u ul ndjeshëm dhe u deklaruan vetëm 143 objekte arsimore të dëmtuara, ndërkohë që tashmë është rritur sërish, duke e çuar në 171 objekte arsimore të dëmtuara.

Albina Hoxhaj/Porta Vendore/