Rei Morina: Tregu i punës një kaotizëm i çrregulluar

297
Sigal

Ja pse të rinjtë duhet të jenë të zgjuar në përzgjedhjen e profesioneve

 

Nga degët e zgjedhura me dëshirë, në krahët e punërave të rëndomta

Tregu i punësimit në Shqipëri vijon të jetë i paorganizuar dhe i çoroditur. Edhe pse kanë kaluar tri dekada nga ndryshimi i regjimit, Shqipëria endet në një treg pune me të papritura dhe ulje ngritjet e tij konstante. Ata që e vuajnë më së shumti këtë proces janë të rinjtë e të gjitha shtresave dhe në të gjitha qarqet e vendit. Papunësia e kësaj grup moshe vijon të mbetet një problem thelbësor, që si në çdo raport të mëparshëm, shënon mospërputhje  mes të dhënave zyrtare dhe ato të studimeve dhe sondazheve bërë nga organizata jo qeveritare. Kështu ndërsa INSTAT e deklaron papunësinë e të rinjve shqiptarë në masën 21.7%, studime të tjera jashtë ndikimit të qeverisë e çojnë këtë statistikë në rreth 51% të të rinjve që vuajnë papunësinë në Shqipëri.

Nëse dalim nga shifrat dhe zbresim në realitet vihet re se një masë e madhe e të diplomuarve janë ata që vuajnë nivelet më të larta të papunësisë. Anisa D. është një studente me studime të përfunduara  në drejtësi. Por ka disa kohë që punon si recepsioniste në një klinikë private bukurie në qendër të Tiranës. “E kam të pamundur që të gjej një vend pune që t’i përgjigjet studimeve të mia. Duhet gjithkund njohje, shumë para, madje edhe më shumë se kaq…” na thotë ajo. Kur e pyesim se përse zgjodhi të studjojë në drejtësi, Anisa na shpjegon se u orientua nga shoqëria, nga trendi për të zgjedhur një degë “elitare”. Edhe Erioni nga Fieri ka mbaruar studimet për frëngjisht, por tani punon si barist në një klub në ‘Bllok’. “Kisha ëndrra kur i nisa studimet”- na thotë ai. -Ëndërroja përkthyesin,mësuesin në një gjimnaz, apo specialist në ndonjë dikaster qendror” rrëfen  duke përgatitur koktejin e radhës. Me një talent të lindur në njohjen e pijeve e pyesim se, nëse ndoshta do të ishtë më mirë të kishte studiuar për merceologji apo ndonjë degë tjetër të përafërt. Tund kokën në shenjë aprovimi  por  e pranon si ishte një zgjedhje e “çastit”, e nxituar, se nuk pati një sugjerim, një këshillim nga dikush që ta orientonte në drejtimin që duhej të merrte.

Në oborrin e shkollës “Ismail Qemali” hasim një grup të rinjsh maturantë. Janë nën ethet e provimeve,  por edhe të zgjedhjeve që duhet të bëjnë për të vijuar studimet universitare. Disa prej tyre na thonë së kanë pranuar sugjerimet e prindërve për degën që kanë zgjedhur, të tjerë janë në një dilemë, në pavendosje apo në një zgjedhje pa dëshirë. Lorini na thotë se nuk është optimist në atë çfarë ka marrë si sugjerim nga familja, por që do t’i bindet asaj. Pyesim për funksionimin e zyrës së këshillimit në shkollë. Të rinjtë të shohin me çudi ndaj kësaj pyetje. Na thonë se këtë rol e luan sporadikisht mësuesja kujdestare. Por edhe ajo më shumë me perceptimet e saj individuale, se sa e bazuar në ndonjë studim, statistikë apo…..Një dilemë e madhe kjo për mijëra maturantë që do të vihen këtë vit përballë zgjedhjeve të jetës. Specialistët e punësimit thonë se ka një seri arësyesh që të cojnë tek kjo dilemë e madhe e të rinjve. Për ekspertin e karrierës Erion Muço, “deri tani shihet pak përpjekje në shkollat e mesme për të mbështetur me orientim cilësor dhe profesional karrierën e maturantëve” . “Kjo, -shton Muço, – sepse edhe një pjesë e literaturës që është në dispozicion nuk është e specifikuar, jo vetëm mbi mënyrën se si të rinjtë mund të orientohen në karierë, por edhe mbi përshtatjen dhe profilizimin e tyre në rrethanat dhe kontekstin e tregut të punës”…Për studiues të tjerë të tregut, famija mbetet burimi i parë ku të rinjtë këshillohen në lidhje me zgjedhjen e karrierës së tyre në të ardhmen. Por prindërit në momentin kur ato duhet të këshillojnë fëmijët në lidhje më karrierën udhëhiqen vetëm nga dëshira dhe jo nga vendime racionale. Gjithashtu mungesa e informacionit  të prindërve në lidhje me nevojat e tregut të punës i udhëheqin fëmijët e tyre drejt zgjedhjeve të gabuara në lidhje me profesionin e ardhshëm. Është kjo një ndër arësyet kryesore së përse në Shqipëri ka një sasi të madhe të rinjsh të kualifikuar akademikisht, por që nuk përputhen me kërkesat e tregut, sepse nuk ka një përqasje multisektorale. Ndaj shanset e gjetjes së një pune në vend, nuk ndikohen nga niveli arsimor i të rinjve, por ndikohen nga fusha (dega) ku të rinjtë kanë studjuar. Dhe perspektiva mbetet e zymtë për aq kohë, sa vijon të funksionojë mekanizmi i ndryshkur i raportit që një pjesë e madhe e shoqërisë ka me tregun e punës.

 

Rei Morina