Qeveria premtoi rritje pensionesh, por ato u ulën me 30%

557
Sigal

Mashtrimi i qeverisë për rritjen e pensioneve, pas reformës u ulën me 30%

 

Në prill 2015, kryeministri Edi Rama vizitoi Fierin dhe në një ceremoni publike deklaroi se po shpërndante pensione më të larta në bazë të skemës së re të krijuar nga reformimi i sistemit kombëtar të pensioneve. Sipas një njoftimi publik të kryeministrisë në atë kohë, “si kryeministri Rama ashtu edhe Ministri Veliaj theksuan se me reformën e re të pensioneve është hequr tavani prej 240 mijë lekë dhe se për rrjedhojë, pensionet do të jenë mbi 300 mijë lekë për çdo pensionist”. Njoftimi i referohet një rregulli të ligjit të mëparshëm që nuk lejonte pensione më të ulëta se sa 12 mijë lekë dhe më të larta se 24 mijë lekë, ndërsa flet me lekë të vjetra, gjuha e përdorur zakonisht nga shqiptarët për t’iu referuar monedhës kombëtare me një zero më shumë nga vlera nominale. “Jam i lumtur se 39 mijë pensionistë që dalin në pension çdo vit do të kenë pensione më të larta nga sa do të kishin nëse do të kishin dalë në pension vitin e kaluar. Rreth 39 mijë – 40 mijë pensionistë të tjerë do të përfitojnë nga kjo skemë vitin e ardhshëm. Nga fundi i mandatit, 120 mijë njerëz do të jetojnë më mirë për shkak të pensioneve më të larta,” deklaroi Veliaj në takim sipas njoftimit për shtyp të kryeministrisë.

 

Tre vjet më pas, të dhënat statistikore të Institutit të Sigurimeve Shoqërore japin një panoramë të ndryshme nga kjo

 

Sipas raportit statistikor vjetor për vitin 2018, 24 mijë shqiptarë dolën në pension gjatë vitit të kaluar dhe masa mesatare e pensioneve të reja ishte 14,449 lekë në muaj. Nga këto, afro 16 mijë meshkuj morën pension mesatar 15,838 lekë në muaj ndërsa afro 13 mijë femra morën pension mesatar prej 12,808 lekësh në muaj. Në vitin 2017, pati afro 22 mijë pensionime me masë mesatare pensioni mujor prej 14,443 lekësh, ndërsa në vitin 2016, pati 23 mijë pensionime me pension mesatar prej 14,497 lekësh. Ndërkohë, të dhënat e ISSH për periudhën para reformës, tregojnë se masa mesatare e përfitimit për pensionet e reja ishte afro 30% më e lartë. Të dhënat e vitit 2014 tregojnë se 23 mijë shqiptarët e pensionuar atë vit përfituan mesatarisht 17,887 lekë pension mujor. Siç pritej, edhe mosha mesatare e daljes në pension është rritur si pasojë e reformës. Gjatë vitit 2018, mosha mesatare ishte 63.1 vjeç nga 62.7 në vitin 2017 dhe 62.4 në vitin 2014. Gjergj Erebara