Projektligjet/ Ulje e numrit të gjyqtarëve në trupat gjykuese, titujt ekzekutivë të lëshohen nga noterët

64
Sigal

KShH: Noterët dhe nëpunësit publikë, duke mos patur ekspertizën e duhur profesionale në lëshimin e titujve ekzekutivë, mund të sjellin edhe më shumë vështirësi për procesin dhe palët e përfshira.

 

Për më tepër, kalimi i përgjegjësive nga gjykatat tek shërbimi noterial/noterët mund të dëmtojë në tërësi besueshmërinë e individëve në ndjekjen e këtyre proceseve për lëshimin e titujve ekzekutivë;

Publikimi në platformën e Konsultimit Publik të Kuvendit të tri projektligjeve për ndryshimet e kodit të procedurës penale, të procedurës civile dhe ligjit për gjykatat administrative ka sjellë reagimin e Komitetit Shqiptar të Helsinkit për shkelje të natyrës kushtetuese.

Oponenca e KShH-së fokusohet kryesisht në parime kushtetuese specifike, si parimi i sigurisë juridike dhe i pritshmërive të ligjshme, parimi i ankimit efektiv në një shkallë më të lartë, parimi i cilësisë së vendimmarrjes gjyqësore si tërësi e elementëve të procesit të rregullt ligjor, por po aq dhe i administrimit të drejtësisë, parimi i proporcionalitetit në ndërhyrjen kufizuese të të drejtave themelore të njeriut.

Sipas KShH-së, ndryshimet që kundërshtohen janë ulja e numrit të gjyqtarëve në trupat gjykuese si në çështjet penale, ashtu dhe në çështjet civile. Kjo për faktin se qëndrimet e ndryshme, pakicat dhe paralelet brenda një trupi gjykues i japin vlerë vendimmarrjes cilësore dhe janë një garanci më tepër për individin, edhe për vendimin potencial në favor ose disfavor të tij. Gjithashtu rrit cilësinë për kontrollin e mëtejshëm efektiv të tij në rast rekursi në Gjykatën e Lartë dhe ankimi kushtetues në Gjykatën Kushtetuese.

Sa u përket ndryshimeve ligjore në Kodin e Procedurës Penale gjykimi në apel me një gjyqtar nga tre që përbëhej më parë trupa gjykuese për gjykime themeli penale mbi fajësinë ose jo, mund të zbehë cilësinë e gjykimit për një sërë procesesh penale për vepra penale ku parashikohet dënimi nga gjobë deri dy vite burg.

Për më tepër thekson Komiteti, në maj 2021 pati disa ndryshime në kodin e procedurës penale dhe atij të procedurës civile.

Ndryshimet e shpeshta legjislative, në hapësira kohe shumë të ngushta për ligje procedurale që kërkojnë shumicë të cilësuar, në kuadër të problematikave që janë shfaqur për sa i takon efiçiencës gjyqësore si rrjedhojë e uljes së numrit të gjyqtarëve/prokurorëve, po krijojnë në vlerësimin e KShH-së modele të dëmshme eksperimentale në drejtim të aksesit në drejtësi dhe cilësisë së drejtësisë në vendin tonë.

Gjithashtu, Komiteti kundërshton zgjerimin e rasteve të kufizimit të së drejtës së ankimit. Parashikimi i së drejtës për heqje dorë nga ankimi në apel, në Kodin e Procedurës Penale, me vullnetin e të pandehurit, edhe pse në pamje të parë duket se i pandehuri do të përfitojë (ulje e dënimit me burgim ose gjobë me një të gjashtën), në fakt shuan thelbin e së drejtës për ankim në një gjykatë më të lartë, sipas parashikimeve të nenit 43 të Kushtetutës, duke i hequr të drejtën për të kërkuar pafajësi të dënuarit, me argumentin përfitues të uljes së dënimit.

Ndërsa në Kodin e Procedurës civile, Komiteti kundërshton zgjerimin e rretheve të subjekteve që kanë kompetenca të lëshimit të urdhrit të ekzekutimit, sikundër noterët, organet publike dhe nëpunësit publik.

KShH argumenton se noterët dhe nëpunësit publikë, duke mos patur ekspertizën e duhur profesionale në lëshimin e titujve ekzekutivë dhe duke u ngarkuar edhe me këto kompetenca quasi gjyqësore, mund të sjellin edhe më shumë vështirësi për procesin dhe palët e përfshira.

Për më tepër, kalimi i përgjegjësive nga gjykatat tek shërbimi noterial/noterët mund të dëmtojë në tërësi besueshmërinë e individëve në ndjekjen e këtyre proceseve për lëshimin e titujve ekzekutivë.

Në respektim të parimit të panësisë dhe objektivizmit, noterët, të cilët janë përgjegjës për nënshkrimin e kontratave apo akteve noteriale të palëve që përbëjnë titull ekzekutiv nuk mund të jenë edhe lëshues të urdhrave të ekzekutimit.

E njëjta logjikë vlen edhe për lëshimin e urdhrave të ekzekutimit nga vetë nëpunësi publik, ose organi, ose personi juridik i së drejtës publike për vendime, të cilat përbëjnë tituj ekzekutivë sipas ligjit. I njëjti organ që harton dhe lëshon titullin ekzekutiv, kështu noteri apo organi publik, nuk mund të nxjerrë në të njëjtën kohë edhe urdhrin e ekzekutimit.

Gjykata e caktuar me ligj, në lëshimin e titujve ekzekutivë si gjykatë kompetente ka qenë në nivel tradite legjislative dhe organizimi të sistemit juridik, dhe si çdo traditë e konsoliduar nuk është e thjeshtë ta ndryshosh dhe të krijosh një tjetër model nga e para, sidomos në kushtet ku ndodhet i gjithë sistemi i drejtësisë sot, nën një proces të fortë reformimi shumëplanësh, ku duket se fokusi dhe qëllimi kryesor i ekzistencës së tij, dhënia e shërbimit publik të drejtësisë me profesionalizëm dhe eficencë qytetarit duket se është spostuar, thuhet në deklaratën e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.