Prof Përparim Kabo: Kush e shiti interesin publik…???!!!

1024
Sigal

 

Kush e shiti interesin publik, dhe si kaloi ai nga publiku te privati? Po sigurisht shteti në këta 30 vite duke e kaluar pronën shtëterore dhe atë publike në proneësi private. Ministrat dhe ministritë, stafet teknike dhe ato juridike, ata që kanë përgatitur kontratat, dhe firma është e ministrit apo ministreshës së rradhës, dhe vendimi është i qeverisë dhe miratimet janë të parlamentit.

Çfarë ndodhi me rafinerinë e naftës në Ballsh? Kur u ble në Rumani në vitet 80-të ajo ishte e teknologjisë më të mirë të kohës dhe përpunonte naftën e jepte nënprodukte të saj për tregun e brendshëm dhe atë të huaj. Ca kohë atje punuan edhe teknologët dhe specialistët kinezë. Në fund te viteve 80-të,  pata fatin një muaj të isha atje, të shihja nga afër atë vepër dhe punën që bëhej, të takoja njerëzit e shkëlqyer të asaj zone. Atje takova inxhinerin Nako Petro që drejtonte. Pas 1990-atje nisën abuzimet dhe u tha, më mirë ta privatizojmë se atje vidhet. Dhe ashtu u bë, u shit dhe u rishit nga të gjitha palët gjoja investitorëve stradegjikë, por që në fakt paraqiteshin në procesionet e firmosjes së kontratave me xhonglerë shqiptarë, të cilet bënë si deshën me këtë pasuri kombëtare; dhe si njeri dhe tjetri; miq kryetarë partish politike, i mbetën shtetit jo pak, por nga 20 milionë euro akcizë të papaguar secili, kjo shifër sipas revistës “Monitor”.

U bënë pothuaj dy vjet që shohim falë medias se si përpëliten për pagat punëtorët e atij sektori. Kryefamiljarë që prej pothuaj një viti nuk shpien rrogë në shtëpi, ka raste kur janë dhe burrë e grua, pra familje pa të ardhura. Shtet heshti, heshti gjatë, deri sa një ditë kryeministri zoti Edi Rama tha: “Nuk e kane punën me mua, e kanë me privatin.”

Po mirë more zoti kryeministër atë kontratë që bëhet mes palëve dhe që ka kushte dhe penalitete, detyrime dhe përgjegjësi reciproke ; mes atij që e shet dhe atij që e blen veprën, kush e bëri? E bënë naftëtaret që u vjen turp të shkojnë në shtëpi sepse janë të pafuqishëm para vetes, fëmijëve dhe prindërve?  Një i papunë hyn  në krizë të thellë personaliteti sepse i duket vetja i pavlerë dhe i padobishëm. Ministri që e firmosi dhe ata që e këshilluan, a menduan për këta njerëz që nuk janë privatë por janë publikë, janë qytetarë të republikës, janë njerëz që kanë të drejtën e jetës, janë shqiptarë që duan atdheun dhe familjen, janë zgjedhës që votojnë?! Po këtë a e mendoni ju zoti Kryeministër, apo kjo s’ka rëndësi për ju dhe qeverinë tuaj? Nëse ajo kontratë shitje është bërë e tillë që pas dy apo tre vjetësh njerëzit të lihen edhe pa paga dhe vepra mos punojë më, kjo është falje e pasurisë kombëtare. Kam një pyetje për ju qeveritarët dhe deputetët e këtij vendi. Pasurinë kombëtare që ju e keni shitur te privati kush ua la si pasuri që e bëtë rrush e kumbulla? Si ka mundësi që atje ku ka dhe nxirret krom, ka varfëri? Si ka mundësi, që atje ku ka naftë dhe nxirret e shitet naftë, ka varfëri dhe nuk jepen pagat? Po si ka mundësi që ato subjekte që shfrytëzojnë këto pasuri i janë debitore shtetit shqiptar, taksave dhe tatimeve në miliona euro?

Nëse i thua popullit tënd shko zgjidhe me privatin, ke pohuar se ti nuk drejton më shtetin, por tregun, se ti s’je më qeveri, po ortak me tregun dhe operatorët e tij, do të thotë se ty nuk të intereson qytetari dhe populli,  por alibia dhe xhepi yt. Zoti Edi Rama, kur more pushtetin në 2013 iu drejtove njerëzve të nesërmen e asaj dite të fitores së zgjedhjeve me këto fjalë: ” Pushteti është i juaji mos e harroni këtë, ne do administrojme atë, votën tuaj.” Tani në 2020  u thua njerëzve meruni me privatin, jo me mua….Çfare digresioni…! Zonjëza Balluku zgjidhe çështjen dhe mos u fsheh pas gishtit, populli fisnik i Ballshit kërkon rrogën dhe jo luksin që u ka mbuluar trupin, sytë dhe shpirtin. Njerëz të bëhemi solidarë me popullin që nëpërkëmbet….rasti është sot me gratë e Ballshit që kanë hyrë në grevë urie, …mos heshtni se janë motrat tona, janë shqiptarë të ndershëm, janë atdhetarë dhe fisnik në varfërinë e tyre. Të jemi me ata dhe me fëmijët e tyre…Sot, jo neser, nesër është shumë vonë.