Prof. Dr. Zaho Golemi: Xhevat Luri, Mirënjohje e Labërisë

726
Sigal

(Me rastin e dhënies së titullit “Mirënjohje e Labërisë” nga SHKA “Labëria”, “Nderi i Kombit”, për Xhevat Llurin)

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

Labëria nderon një nder bijtë më të përkushtuar dhe të devotshëm të Prongjisë, të krahinës së Kardhiqit, të Labërisë dhe të mbarë Shqipërisë. Njerëzit vijnë në jetë me një mision të posaçëm në një rrugëtim të limituar jo më shumë se një shekullor (dhe për disa që zoti e ka “shkruar” edhe për disa vite më shumë). Por nuk janë vitet që bëjnë karakterin, njeriun dhe tregojnë se çfarë ke arritur në jetë por puna e përkushtimi dhe çfarë në të vërtetë ke bërë dhe që brezat do të tregojnë, do flasin dhe nuk do harrojnë. Sepse maksima e mençur shqiptare thotë se, “Kush kujtohet, nuk harrohet!”. Njeriu lind si pasojë e një ideali, ku idealin për t’i dhënë jetë një jete, dhe që është burimi i njerëzimit janë padyshim prindërit që lidhin besën përpara se të sjellin fëmijë në jetë. Kështu na kanë lindur ne nënat e baballarët tanë. Kështu edhe ne jemi bërë prindër dhe kemi sjellë fëmijët në jetë. Prandaj njeriu rron me ideale, me nder e dinjitet, sepse të tillë e mëkojnë baba e nëna. Një shembull ideal e kemi sot mes nesh, një njeri i nderuar e i respektuar, që me kohë ka merituar nderimet tona, sepse, “Njeriu njihet nga ato që thotë, nga veprat e tij dhe nga ato që lë pas”. Xhevat Lluri është biri i Prongjisë, një burrë i qetë dhe i mençur, që ecën me hap të qetë, por të sigurt e të matur, që me veprimtarinë e tij ia ka rritur vlerat e intelektualizimit dhe atdhedashurisë të fshatit të tij, krahinës dhe trevës së Labërisë.

“Bëmë baba të të ngjaj”-maksima labe

Nuk është e rastit që babai i Xhevatit, Majko Lluri është kaq i njohur në trevën labe e në mbarë krahinën. Në këtë rast matërializohet më së miri maksima shqiptare: “Bëmë baba të të ngjaj”, “Bëmë baba të eci i sigurt në gjurmët e tua”, në gjurmët e atdhetarisë. Vlera e padiskutushme e trashëgimisë prindërore qëndron pikërisht edhe për të shprehur bindshëm konsideracionim që përcillet në trashëgiminë popullore labe. Majko Lluri ka qenë frymëzuesi dhe mëkuesi i karakterit të fortë e patriotik, që në Labëri është e natyrshme që bijtë mësohen nga baballarët por edhe mëkohën me qumështin e nënave. Majko Lluri ishte një burrë i njohur në krahinë e Labëri, i cili ka ndihmuar e furnizuar me ushqime, veshmbathje e municion çetën patriotike të heroit kombëtar Çerçiz Topulli kur u strehua në fshatin Prongji, në këtë çerdhe të përhershme dhe strehë të sigurt të patriotëve dhe të patriotizmit. Ishte koha kur Çerçiz Topulli me çetën e tij përndiqej nga kosharet osmanë, të cilin populli e mori në mbrojtje pas vrasjes së bimbashit turk në marsin e vitit 1908, dhe si i thonë populli di të fshehë edhe “nën gjuhë”, pra që hasmi nuk mund ta gjente kurrë. Majkua edhe në vitet 1913-1914 përsëri ka shpëtuar Barjam Ligun ish-luftëtarin e çetës  së Çerçiz Topulli, që grekët e arrestuan dhe e torturuan pa mëshirë. Më vonë ishte edhe pjesëmarrës në luftën e Vlorës, më 1920-n. Për këtë aktivitet patriotik Këshilli Qarkut Gjirokastër me vendim Nr. 7 datë 4 mars 2008, e ka nderuar me titullin “Patriot i Shquar“ me motivacion: “Për veprimtarinë e tij si patriot në shërbim të çështjes Kombëtare shqiptare”. Në 10 prillin e vitit 1914 ka marrë pjesë në kuvendin antiandart në Shtëpëz në këtë Ballkon të të gjithë Labërisë dhe Lunxhërisë, qëështë një roje e përjetshme që hasmi të mos shkelë vatanin, truallin arbëror. Familja e tij ka qënë tërësishtë e lidhur me LANÇ dy vëllezërit e tij, Ruzhdi Lluri ka qenë partizan në Brigatën VI “Heroinë e popullit” dhe Petref Lluri korier i shtabit partizan në Cepo, ndërsa babai në batalionin territorial të krahinës se Kardhiqit bashkë me komandantin fushbardhas Karafil Bello. Veprimtarinë patriotike të Majko Llurit e përshkruan me saktësi edhe publicisti Sevo Tarifa në vëllimin e 2-të librit “Shpirtra të gdhëndur “. Prandaj edhe bijtë e tij u rritën e burrëruan në prushin e atdhetarizmit.

 

Biografia e Xhevat Llurit – një jetë në shërbim të atdheut

Xhevat Lluri është lindur në stinën e qershive, më 15 qershor vitit 1939 në fshatin Prongji të krahinës së Kardhiqit, rrethi Gjirokastër. Ai lindi në ditë të errëta pushtimi, ka parë e prekur të djeshmen, luftën, punën vështirësitë, fshatin ku lindi dhe u rrit, ku u mëkua me atdhedashuri.

Xhevati ka kryer arsimin fillor e 7-vjeçar në fshatin e lindjes, në Prongjinë e bukur të Krahinës së Kardhiqit; ndërsa arsimin e mesëm e kreu në Teknikumin Bujqësor në Fier, në vitet 1954 -1958, me rezultate të shkëlqyera. Më vonë kreu edhe arsimin e lartë juridik. Iu përgjigj thirrjes për të kryer shërbimin ushtarak në vitet 1958 deri 1960, ku kreu me sukses shërbimin e detyrueshëm ushtarak në Elbasan, ku me pas ka kryer edhe një kurs profesional për t’u formuar plotësisht në rrugën e mundimshme të jetës. Xhevati i apasionuar pas studimeve, duke parë arsimimin, sikurse thoshte Sami Frashëri, si “mendjen e një kombi”, përfundoi sukseshëm Fakultetin Juridik të Universitetit Shtetëror në Tiranë në vitin 1976 dhe është titulluar “Jurist”. Detyra në një kohë të trazuar për shqiptarët e thirri në një front të vështirë dhe lebërit nuk e kanë zakon të tërhiqen nga vështirësitë, por dinë ta tregojnë veten denjësisht e krenarisht. Kështu në vitin 1961 titullohet Oficer dhe shërben me korrektësi në organet e Punëve të Brendëshme në disa rrethe të Shqipërisë, ku e kërkonte detyra, nderi, Atdheu. Nga viti 1971 deri në vitin 1992 shërbeu në Aparatin Qëndror të Ministrisë Punëve të Brendshme, duke gëzuar nderimin respektin dhe konsideratën e shokëve, eprorëve dhe vartësve. Era e re demokratike e gjen Xhevat Llurin relativisht në moshë të re, por kushtet e rrethanat dhe sidomos një tranzicion i formatit të shtetit bëri që, sikurse shumë kuadro të tjerë pas vitit 1992 të dalë në rezevë pas reformës së ndërmmarë dhe pas ndryshimeve demokratike me gradën e lartë “Nënkolonel”, që gjatë punës së tij ishte vlerësuar me tre dekorata: dy urdhëra dhe një medalje. Xhevati në vitin 1994 ka dalë në pension, por pensioni nuk ishte për të, pasi ka kryer detyra shoqërore në shërbim të komunitetit ku banon në Tiranë, në Organizatën e Veteranëvetë LANÇ si pasardhës veterani dhe atë të dëshmorëve; Në vitin 2016 është zgjedhur Kryetar i Nëndegës së Shoqatës Kulturore-Atdhetare “Labëria”, “Nderi i Kombit”, për Njësinë Administrative nr.3, në Tiranë. Më 8 dhe 9 dhjetor 2018 ka qenë delegat i Rrethit të Tiranës i mandatuar si pjesëmarrës në Kuvendin VI të SHAK “Labëria” që u mbajt në sallën e teatrit “Petro Marko” në Vlorë si dhe në Universitetin “Pavarësia” të Vlorës. Ai ka qenë shërbëtor i devotshëm i shtetit, sepse ka shërbyer me ndershmëri në detyrën oficer me gradën Nënkolonel me karierë ushtarake 36 vjeçare, dhe aktualisht në pension. Ai është i martuar me tre fëmijë, tre vajza, të cilat banojnë në qytetin e Tiranës. Xhevati rrjedh nga një familje me rrënjë të thella atdhetare e patriotike e me kontribute për çështjen e lirisë e pavarësisë së Atdheut.

Busti i Bajram Prongjisë me arkitekt Xhevat Llurin

Njerëzit janë produkt i familjes dhe shoqërisë dhe Xhevati ka qenë produkt i një familje të nderuar dhe një shoqërie të shëndoshë e me vlera. Xhevat Lluri është zgjedhur Anëtar i Komitetit Kombëtar të Veteranëve në tre konferenca rresht dhe është pjesë e stafit të gazetës “Kushtrim Brezash“, botim dinjitoz i Komitetit Kombëtar të Organizatës Veteranëve të Popullit Shqiptar. Me aparatin e tij fotografik është kthyer në një fotografues të historisë të organizatës së Veteranëve, ku në 25-vjetorin e fillimit të botimit të gazetës “Kushtrim Brezash” ka marrë mesazhe të shumta falenderimi nga kryesia e këtij Komiteti, por edhe nga shumë veprimtarë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Një nder meritat shumë të mëdha të llojit të veçantë që normalisht nuk mund të ketë shpërblim është kontributi për ringritjen dhe nxjerrjen në dritë të figurës së madhe patriotike të Bajram Ligu- Prongjia. Është fakt se Xhevat Lluri ka kryer studime dhe hulumtime të mirëfillta për njohjen dhe promovimin e figurave historike e me kontribute të veçanta siç ishte edhe rasti i patriotit prongjiotas Barjam Ligu që njihet në histori si atentatori i vrasjes së bimbashit Turk, në mars 1908, në qytetin e Gjirokastrës, dhe me insistimin dhe kontributin e tij u realizua busti prej bronzi që u inaugurua, më 18 korrik 2018 vendosur në qendër të fshatit Prongji, ku pati pjesëmarrje të gjërë nga Prefektura, Shtabi i Përgjithshëm i FARSH, nga Bashkia, dhe mori me meritë falënderime të shumta nga të gjithë komuniteti, krahina, Prefektura, Bashkia e Qarku. Xhevat Lluri është hartuesi dhe përpunuesi i Historikut të fshatit Prongji, promovuar në një Ceremoni të veçantë me pjesmarrje të madhe në Tetor 2006, ku morën pjesë edhe titullarë të qarkut dhe të Bashkisë Gjirokastër. Ai e ngjiti Prongjinë në piedestalin e kulturës që i takon, me shkrimet e tij të pareshtura, me librin e fshatit të vet, Prongjisë. Nga ana tjetër Xhevati ka qënë bashkautor në realizimin e filmit dokumentar për 55-vjetorin e krijimit të Organizatës së Veteranëve të LANÇ, në korrik 2012. Së bashku me veteranin e LANÇ Vasil Rrapi realizuan filmin dokumentar për Heroin e Popullit, Shefqet Peçi, në Qershor 2016 me rastin e 110-vjetorit të lindjes, themeluesi i kësaj Organizate me emër në Shqipëri. Shokët e miqtë e tij e njohin mirë që në vitin 2004 me rastin e 60-vjetorit të Çlirimit të Atdheut me kërkesë të Federatës Internacionale të Rezistencës anti-fashiste në Fier, ka përgatitur një fotoekspozitë mbi rezistencën e popullit Shqiptar kundër pushtuesve nga viti 1939-1945 me fotografi dhe dokumente arkivore të përgatitura në një CD, e cila është dërguar edhe Institutit të Veteranëve në Bruksel, kryeqendrën e Belgjikës. Ka qenë mjaft aktiv në publikimin e shkrimeve të ndryshme historike në organet e shtypit të pëditshëm e atë periodik në përkujtim të ngjarjeve të mëdha të historisë së popullit shqiptar dhe të LANÇ, si dhe të figurave historike protagonistë kryesorë të ketyre ngjarjeve.

 

Vlerësime e nderime të merituara

Në trevën e Labërisë ka një fjalë të urtë proverbiale: “çdo mundim kërkon vlerësim”, edhe pse Xhevat Lluri nuk ka punuar kurrë për vlerësime e dekorata ato vijnë natyrshëm kur organet kolegjale dinë të vlerësojnë njerëzit e përkushtuar si Xhevati. Kështu për gjithë aktivitetin e realizuar ka marrë edhe vlerësime si më poshtë: Titullin “Nderi Organizatës Veteranëve“ dhënë nga Kryesia e Komitetit Kombëtar të veteranëve të LANÇ, në vitin 2011. Titullin “Nderi i organizatës për dëshmorët e LANÇ-it dhe dëshmorët e tjerë të Atdheut” dhënë nga Kryesia e kësaj organizate i është akorduar me rastin e 70 vjetorit të çlirimit në Nëntor 2014. Titullin “Anëtar Nderi” i Organizates së Veteranëve dhënë nga Kryesia e Komitetit të Veteranëve të Tiranës, në vitin 2005. Dëshmi nga shoqata atdhetare për dëshmorët e atdheut për botimin e librit historik “Prongjia dhe njërzit e saj” për përkushtimin atdhetar të treguar në veprimtaritë për dëshmorët e Atdheut. Dhe së fundi, portretizimin e aktivitetit të tij e përshkruanme mjaft realizëm publicisti i mirënjohur Sevo Tarifa në serine e librave “Shpirtra të gdhënndur” Vëllimi III-të. Xhevat Lluri është gjithmonë me lebërit dhe për lebërit, me veteranët dhe për veteranët, dhe punon parreshtur për të mbrojtur me fanatizëm emrin e ndritur të dëshmorëve që kanë derdhur gjakun për atdheun dhe qëështë shprehje shumëdomethënëse e karakterit të formuar të labit fisnik. Por për dëshmorët e atdheut është shkruar, kënduar e do shkruhet e këndohet gjithmonë. Në çdo varg të shkruar, aty gjen të freskët pika gjaku, nga ku lulja e lirisë qëndron ngaherë e pa vyshkur,me rrënjë ngulur në tokën tonë të ujitur nga gjaku i dëshmorëve të Prongjisë, Labërisë, Shqipërisë. Por pranë çdo aktiviteti që lidhet me LANÇ është gjithmonë burri serioz dhe i papërtuar Xhevat Lluri. Prandaj ai është bërë njësh me historinë si dhe nga ana tjetër ka e mbart vlera të veçanta atdhedashurie. Xhevat Lluri merr një vlerësim sinjifikative dhe plotësisht të merituar nga Shoqata atdhetare patriotike ndër më vitale që ka Shqipëria. Është një vlerësim që vjen nga Kryesia e Përgjithëshme e Shoqatës Atdhetare-Kulturore “Labëria”, “Nderi i Kombit”; një vlerësim e nderim plotësisht të gjetur në kohë për Xhevat Majko Lluri, Kryetari i Nëndegës së Shoqatës Atdhetare-Kulturore “Labëria”, në Njësinë Administrative nr.3, titulli “Mirënjohja e Labërisë”, që i jepet sot me motivacionin:

 “Për kontribut të shquar në fushën e njohjes, studimit dhe promovimit të figurave të shquara patriotike të Labërisë, për punë e përkushtim të palodhur për përjetësimin në një bust prej bronxi të patëriotit prongjotas Bajram Ligu (Prongjia), i njohur në historinë e kombit shqiptar si atentatori i vrasjes së bimbashit turk në mars 1908 në Gjirokastër. Aktivist i spikatur në promovimin e vlerave labe, si kryetar i Nëndegës së ShKA “Labëria”, i Njësisë Administrative nr.3 në Tiranë, por edhe në fotografimin dhe evidentimin me ilustrime të aktiviteteve bashkëpunuese të Organizatës së veteranëve të LANÇ-it, Organizatës së Dëshmorëvetë LANÇ-it, me Shoqatën Kulturore-Atdhetare “Labëria”, “Nderi i Kombit, Dega Tiranë”.

Ky është në të vërtetë Xhevat Lluri-Prongjia, që gjykimet mendimet dhe idealet i ruan të pandryshueshme, ashtu sikurse thoshte “Klauzeviçi i madh se “ngjarjet dhe figurat historike nuk mund të kuptohen në se në analizën e tyre nuk vesh e mban parasysh “qyrkun” e kohës” dhe këtu kemi parasyshn “qyrkun” kur partizanët jetuan, luftuan e vepruan”. Xhevat Lluri është besnik i idealeve të mëdha të lirisë së kombit dhe i mbron ato me krenari dhe plotësisht me të drejtë! Ngado të takosh shokë e miq të tij kanë vetëm një urim: jetë të gjatë, të shëndetshme, mendje të kthjellët, energji pozitive për të vijuar punën në interes të Organizatës Veteranëve të Luftës së Popullit shqiptar, Organizatës së dëshmorëve dhe si kryetar i Nëndegës së ShAK “Labëria”, i Njësisë Administrative nr.3 në Tiranë!