Prof. Dr. Arben Gjata” UTM-ja, është më i preferuari i studentëve

165

Është përmirësuar përzgjedhja e studentëve, akreditimi institucional i UMT-së, dhe akreditimi i programeve më të rëndësishme të studimit,  kemi hapur edhe programe të reja specializimi

Prof. Dr. Arben Gjata, kandidat për rektor i UMT

 Nëqoftëse mbështetemi tek njerëzit e mirë, që në Shqipëri janë shumë, por nuk bëjnë kurrë protagonistin, Universiteti Mjekësor i Tiranës mund të ecë shpejt përpara, Shqipëria mund të bëhet

 Universiteti i Mjekësisë i Tiranës, tashmë është më i preferuari i studentëve

 Jakup B. GJOÇA

 Prof. Dr. Arben Gjata, kandidati për rektor i Universitetit të Mjekësisë  të Tiranës, në intervistën për gazetën “Telegraf”, duke bërë një bilanc të punës së tij si rektor, thekson se tashmë UMT  është një ndër më të preferuarit nga studentët tanë, dhe mjekët e diplomuar po punojnë kudo, në çdo vend të botës, duke dëshmuar nivelin e lartë profesional. Prof. Gjata thekson se është përmirësuar përzgjedhja e studentëve në UMT, është realizuar akreditimi institucional i UMT-së, më i larti nga universitetet publike dhe akredirimi i shumë programeve, si dhe janë hapur edhe programe të reja specializimi. Prof. Gjata, thekson edhe sfidat e veçanta të Shqipërisë si financimi i pamjaftueshëm, organizimi i diskutueshëm, infrastruktura mjekësore që lë për të dëshiruar, numri i ulët i mjekëve, kompetencat profesionale, etj.  Prof. Gjata pohon se ne akoma vuajmë nga sëmundja e vjetër, ku studentët zotërojnë shumë mirë pjesët teorike, por vuajnë nga formimi praktik, prandaj po adaptohet mbikëqyrësi klinik.

 -Prof. Gjata, a mund të na bëni një rezume të punës së rektoratit të Universitetit të Mjekësisë, gjatë udhëheqjes Tuaj, si rektor?

– Është kënaqësi për mua të jap këtë intervistë për gazetën tuaj, ku edhe 4 -vjet më parë, kam reflektuar synimet dhe programin tim, të cilin ia drejtova stafit akademik dhe studentëve me një platformë që përmbante vizionin tim për zhvillimin e universitetit, e cila më vonë u kthye në Planin Strategjik të UMT-së. Ishte një program ambicioz, i cili kërkonte shumë impenjim, por mund të pohoj me kënaqësi, se pjesa më e madhe e premtimeve janë realizuar, ndërsa një pjesë e vogël, është në rrugën e implementimit. Kështu: Është përmirësuar përzgjedhja e studentëve në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë, nëpërmjet hartimit të një formule pranimi sa më realiste dhe në gjithë këto vite, pranimet në universitetin tone, nuk kanë patur asnjë kontestim, megjithëse jemi Universiteti më i preferuar në vend.  Për të rritur akoma më shumë meritokracinë, para pak kohësh, edhe me mbështetjen e Ministrisë të Arsimit, jemi dakordësuar me Fondin Amerikan të Zhvillimit, për realizimin e një projekti që do të mundësojë një konkurs pranimi të informatizuar,  i cili do të objektivizonte në maksimum pranimin e konkurentëve më të mirë në Universitet, duke shmangur subjektivizmin e vlerësimit midis shkollave të mesme në Shqipëri, me qëllim që me të vërtetë kush ka derdhur më shumë djersë dhe është përgatitur më mire, të pranohet. Është një model meritokracie, i cili na ka rezultuar shumë i suksesshëm në pranimet për specializim, ku edhe aty, nga një proces plot zhurma dhe problematika që vëreheshin ndër vite, ështe kthyer në një proces normal rutine, me transparencë maksimale dhe pa kontestime. Një tjetër premtim  i realizuar është akreditimi institucional i UMT-së, më i larti ndër universitet publike dhe akreditimi i programeve më të rëndësishme të studimit, si Mjekësia, Mjekësia Dentare dhe Farmacia me maksimumin e afatit, pra 5 vjet. Ndërkohë, kemi hapur mjaft programe të reja studimi në të tre fakultet në fusha me shumë interes, që nga masteri në Menaxhimi Mjekësor në bashkëpunim me Fakultetin e Ekonomisë dhe Ambasadën Zvicerane, nëpërmjet programit “HAP”, deri tek tekniku dhe higjienisti dentar, specialitet ky i fundit që mungonte krejtësisht tek ne.

Jemi në përfundim të programit të specializimit për Farmacist Spitalor dhe kemi hapur edhe programe të reja specializimi, si ai i Kirurgjisë  Plastike, që është edhe nga programet më të kërkuara nga mjekët e rinj. Kemi filluar implementimit e sistemit të Mbikqyrësit Klinik, që mundëson atashimin e të gjithë mjekëve të spitaleve universitare, por edhe një pjesë të stafit infermieror,  në Universitetin e Mjekësisë dhe përmirëson ndjeshëm formimin praktik të studentëve tanë. Janë nënshkruar shumë marrëveshje bashkëpunimi me Universitete partnere, qoftë brenda vendit, qoftë në hapësirën mbarëshqiptare, por edhe me institucione arsimore nga më prestigjozet, duke filluar nga Universiteti i Bolonjës, që është edhe universiteti më i vjetër në botë, çka na ka siguruar mobilitet për studentët, stafin akademik dhe administrativ, por edhe mundësinë së fundmi për hapjen e programeve të përbashkëta të doktoraturave.

Po punohet fort për ofrimin e programeve të përbashkëta me Universitete Perëndimore, sidomos të Mjekësisë, në gjuhën angleze dhe jemi drejt draftimit të një marrëveshje me Universitetin e Salernos për këtë qëllim. Kemi përfituar në total fondin më të lartë nga të gjitha universitet shqiptare, përsa i përket projekteve të financuara nga organizmat ndërkombëtare, por hapësirat këtu janë për shumë më tepër, ku edhe do të fukosohemi gjatë katër viteve të ardhshme, duke krijuar një sektor të veçantë për mbëshjtetjen e projekteve. Universiteti vazhdon të jetë i pari ndër universitetet shqiptare, përsa i perket botimeve shkencore, qoftë në periodikët ndërkombëtare, qoftë nëpërmjet botimit të 4 revistave mjekësore shqiptare, tre prej të cilave janë në anglisht. Falë protestave studentore dhe paktit për  Universitetin  kemi marrë një mbështetje të rëndësishme nga Ministria e Shëndetësisë, me të cilën kemi nënshkruar edhe një marrëveshje bashkëpunimi. Falë kësaj mbështetje është mundësuar implementimi dhe funksionimi i qendrës së simulimit klinik me mulazhe, ku studentët mund të trainohen para se të kenë kontakte me pacientët. Përveç ristrukturimit të sallave të leksioneve dhe kabineteve mësimore, është realizuar gjithashtu, po me mbështetjen e Ministrisë të Shëndetësisë projekti për ndërtimin e korpusit qendror të universitetit, që parashikohet të ndërtohet pas prishjes së spitalit të sëmundjeve të brendëshme në hapësirat e QSUT-së, ku do të jetë Aula Magna, Biblioteka, kabinetet dhe laboratorët e UMT-së, qendra moderne e simulimit klinik dhe administrata e Rektoratit. Është realizuar digjitalizimi i disa funksioneve administrative në mbështetje të studentëve dhe stafit akademik, është fuqizuar sistemi online i bibliografisë dhe fuqizimi i bibliotekës në Universitetin e Mjekësisë Tiranë, nëpërmjet bibliotekës digitale dhe modernizimit të bibliotekës  të  FM  falë  mbështetjes të miqve dhe dashamirësve tanë të hershëm të “Albanian Health Found”. Është rritur ndjeshëm koptimi i lektorëve të huaj, qoftë nëpërmjet leksioneve online, qoftë  nëpërmjet pranisë fizike si dhe nëpërmjet ëorkshopeve të përmuajshme, që janë zhvilluar sidomos nga Fakulteti i Mjekësisë. Ka patur një jetë të gjallë sociale dhe sportive në Universitet dhe para 2 vjetësh kemi qenë autorët e rikthimit të Universiadës, si promotore dhe organizatore të saj. Ceremonia e bluzave të bardha dhe ceremonia e Diplomimit, janë kthyer tashmë në mënyrë të qëndrueshme në agjendën e Universitetit.

Cilat janë problemet që shtrohen para Universitetit të Mjekësisë, për t’ju përgjigjur edhe nevojave të shërbimit shëndetësor në Shqipëri?

– Sistemi shëndetësor jo vetëm në Shqipëri, por në gjithë botën është vazhdimisht para sfidash të rëndësishme dhe të vazhdueshme. Vetë situata e pandemisë që po kalojmë tregoi se sa të paparashikueshme dhe të rënda janë keto sfida, kur edhe vende shumë të përparuara dhe me mundësi të pakrahasueshme me ne, dolën jashtë kapaciteteve për t’iu përgjigjur situatës. Natyrisht, Shqipëria ka sfidat e veta specifike, duke filluar nga financimi i pamjaftueshëm, organizimi i diskutueshëm, infrastrukura mjekësore që lë për të dëshiruar, numrin relativisht të ulët sidomos të mjekëve në përgjithësi dhe atyre specialistë në veçanti, kompetencat profesionale, të stafit, veçanërisht për teknologjitë e reja. Universiteti i Mjekësisë përfshin në rradhët e tij elitën e Mjekësisë Shqiptare dhe marrëveshja e nënshkruar me Ministrinë e Shëndetësisë parashikon që studimet për reformimin dhe përmirësimin e sistemit tonë të shëndetit të bëhen në bashkëpunim me specialistët përkatës në UMT, duke u mbështetur në ekspertizën e lartë profesionale që ata kanë. Që të jem realist, edhe më parë nga Ministria e Shëndetësisë është marrë ekspertiza profesionale e pedagogëve tanë, por tashmë kjo marrëdhënie  është  institucionalizuar, duke i hapur mundësinë edhe studentëve të përfshihen në këto studime, bile të mund t’i përdorin të dhënat edhe në Tezën e Diplomës.

Universiteti ka qenë gjithashtu promotor i ndryshimeve ligjore në Kodin Penal, përsa i përket depenalizimit të gabimit mjekësor. Ne jemi perpjekur gjatë këtyre viteve të çojmë në kapacitet maksimal pranimet e reja në Universitet, sidomos në programe prioritare për vendin siç është Mjekësia, por gjithnjë duke ruajtur standardet ligjore. Ndërtimi i ambjenteve të reja na mundëson edhe rritjen e kapaciteteve pritëse. Ndërkohë, prej 5 vitesh, ciklet e treta të formimit, siç njihen ndryshe edhe specializimet, janë hapur në mënyrë të rregullt, duke mundësuar formimin e qindra specialistëve të rinj për nevojat e sistemit tonë shëndetësor.

Mendoj se është e domosdoshme nga ana jonë të shtohet oferta për edukim në vazhdim, bile edhe në formën e fellowshipeve nga 6 mujore në disa vjeçare për të siguruar mbajtjen në korent të mjekëve me të rejat që ofron përditë përparimi i shkencës mjekësore, si kontribut të rëndësishëm në përmirësimin e cilësisë që ofron sistemi ynë shëndetësor. Besoj se Universiteti është përpjekur të japë mbështetjen e vet maksimale në përballimin e sfidave që shtrohen përpara mjekësisë shqiptare, por natyrisht kemi edhe shumë për të bërë. Për këtë arsye kam bërë publike platformën time për një vizion të përbashkët të edukimit mjekësor dhe zhvillimit të UMT-së,  dhe pres me etje dhe padurim sygjerimet e kolegëve për të ndërtuar në të ardhmen e afërt një strategji zhvillimi sfiduese, por edhe të mbështetur në realitetin tonë.

– Cilat janë shkaqet e mungesës së mjekëve tanë në sistemin shëndetësor publik?

– Mungesa e mjekëve është një fakt relativ, pasi ka disa mënyra si matet. Nëqoftëse do të shohim numrin e mjekëve për banorë, ka nevojë për më shumë mjekë, por nëqoftëse do të gjykonim për Tiranën, kemi më shumë se sa nevojiten, ndërsa ka zona të tjera, ku mungesat janë dramatike. Mendoj se në bazë si gjithnjë janë shumë shkaqe, por dua të veçoj aspektin social dhe ekonomik. Përgjithësisht deri para 4-5 vitesh ka qenë karakteristik migrimi i brendshëm, ku për shkak të kushteve social-ekonomike më të mira, si dhe mundësive më të mëdha për të përparuar në karrierë dhe profesion, pjesa më e madhe e mjekëve, sidomos atyre të rinj, preferonte të afrohej drejt Tiranës, duke zbrazur nga shërbimi mjekësor zona të tëra, por emigrimi jashtë nuk ka qenë shqetësues, për shkak të vështirësive që lidheshin me njohjen e diplomës, ndërsa këto 4-5 vitet e fundit, edhe për shkak të politikës punësimit të mjekëve, që ndjek kryesisht Gjermania, emigrimi i mjekëve po bëhet përherë e më tepër një problem seroiz, thënë kjo jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjitha vendet e ngjashme me ne si nga ana e financave, si nga mundësitë e zhvillimit të karrierës. Besoj që kjo sfidë kërkon politika specifike dhe që shumë mirë mund të shërbejë edhe si projekt midis Ministrisë dhe Universitetit për përpilimin e politikave përkatëse.

Prof. Gjata, sa ndihmoi Arsimin e Lartë në Universitetin Mjekësor reforma që u ndërmor për Arsimin e Lartë në Shqipëri nga qeveria e “Rilindjes”?

-Mendoj se Reforma dhe ndryshimi i Ligjit për Arsimin e Lartë ishin nga nismat më të mira dhe gjithashtu transparente që ndërmori qeveria, ku dua të kujtoj në veçanti qëndrimin shumë të hapur të Ministres Nikolla, pasi ligji i mëparshëm lejoi  formimin e atyre kioskave të quajtura Universitet, që shërbenin për ndarjen  dhe tregëtimin e diplomave, duke injektuar në damarët e shoqërisë një të keqe që është vështirë ta kurosh më vonë. Rritja e autonomisë të universiteteve mendoj që është nga pikat e forta të ligjit. Gjithashtu kalimi i kompetencave për financat dhe prokurimet nga rektori tek administratori është një tjetër risi pozitive. Megjithatë, nganjëherë ka paqartësi në ndarjen e kompetencave, varesinë midis Bordit dhe Administratorit, raporteve Rektor/Administrator, Rektor/Bord, Bord/Senat, etje që kanë çuar ndonjëherë në ngërçe të IAL. Mendoj se mund të rishikohen disa aspekte të veçanta, për të mundësuar zgjidhjen ose nëpërmjet ndryshimeve ligjore, apo akteve nënligjore. Në fakt, kur vjen fjala te diskursi publik, me të drejtë, të mirat apo të metat bien mbi Rektorin, pasi ai është figura publike e Institucionit, megjithëse ndonjëherë ngërçet e krijuara nuk hynë fare në kompetencat e tij. Nevojitet gjithashtu një harmonizim më i mirë i Ligjit të Arsimit të Lartë me ligje dhe Akte të tjera, pasi nëse ligji për Arsimin e Lartë të jep pavarësi, atë ta pengon një ligj tjetër dhe kjo bën që të mos realizohen dot politika apo strategji të caktuara të Universiteteve për të motivuar edhe financiarisht stafin. Si çdo ligj, edhe ky ligj ka frymë, ka dhe gërmë, dhe jo gjithnjë gërma interpretohet sipas frymës së ligjit.

-Përse në spitalet e Qarqeve ka mungesa të mjekëve dhe, më shumë akoma, të mjekëve specialistë?

-Mungesa mjekëve specialistë nëpër spitalet rajonale dhe bashkiake lidhet me disa elemente. Së pari, ka lidhje me fenomenin e migrimit të brendshëm ndër vite, ku për shkak të largimit të popullsisë, lënies pasdore të spitaleve dhe nevojës së vetë mjekëve për kushte më të mira pune dhe jetese një pjesë e tyre u larguan për t’u stabilizuar në spitale publike, apo spitale dhe klinika private në Tiranë, sidomos, por edhe në qytete të tjera më të mëdha. Së dyti, ka lidhje këto vitet e fundit me emigrimin jashtë vendit. Po ashtu, një pjesë e tyre pas përfundimit të specializimit, duke përdorur mekanizma të ndryshme, nuk u kthyen në rrethet për të cilët ishin formuar. Gjithashtu, mendoj se ka influencuar edhe mos hapja e shkollave të specializimit nga 2009-2013.

– Çfarë bëhet me përgatitjen e mjekëve sipas specializimeve? Ju, çfarë politike sygjeroni të ndiqet, për të plotësuar nevojat e shërbimit shëndetësor?.

-Nisur nga nevojat e vendit që prej 5 vjetesh, sidomos me hyrjen në fuqi të Ligjit të Arsimit të Lartë që e lë këtë proces në kompetencë të Universitetit, ne kemi ofruar çdo vit kuota për specializime, duke përfshirë në to me qindra mjekë të rinj çdo vit. Besoj që në një periudhë 2-3 -vjeçare mungesa e specialistëve në spitalet rajonale dhe bashkiake do të mbushet, aq më tepër me politikat që po ndjek  Ministria e Shëndetësisë, që nuk pranon lëvizjen nga këto spitale të specialisteve pa përfunduar kontratën 3- vjeçare që kanë, dhe gjithashtu Urdhri i Mjekut që nuk lëshon certifikatën e sjelljes së mire, pa përfunduar kontrata. Investimet në këto spitale dhe politikat e edukimit në vazhdim janë ato çka mund të përmirësojnë dhe zgjidhin në afatgjatë këto problematika, duke i siguruar mjekëve të njëjtat premisa për zhvillimin e karrierës profesionale, pavarësisht vendit ku punojnë.

-Mjekët tanë, të cilët emigrojnë, u përgjigjen shumë mirë kërkesave të punës të atyre vendeve të zhvilluara. Sipas jush, kujt i dedikohet: Nivelit arsimor universitar në Shqipëri, apo aftësive personale?

– Në universitetin tonë, sidomos në Mjekësi, është një fakt i mirënjohur që pranohen gjimnazistët më të mirë të vendit, pasi Mjekësia mbetet akoma një nga degët më të preferuara. Rreth 70% e tyre, sipas të dhënave tona mbeten edhe në Universitet studentë ekselentë, apo studentë të mirë. Nisur nga këto premisa nuk ka asgjë për t’u çuditur që kudo që shkojnë ata janë në gjendje t’u përgjigjen kërkesave profesionale. Është padyshim meritë e tyre, por nuk kemi pse të mos theksojmë edhe nivelin e formimit që përfitojnë në UMT. Nga sa kemi analizuar, ne vazhdojmë të vuajmë nga një sëmundje e vjetër e sistemit tonë të formimit universitar, ku studentët përgjithësisht zotërojnë shumë mirë pjeset teorike dhe nga sa kemi biseduar me ta, vuajnë nga formimi praktik. Kjo është arsyeja që ne adaptuam mbikqyrësin klinik si metodë për të forcuar përgatitjen praktike.

-Prof. Gjata, përse doni të rikandidoni sërish për Rektor i UMT-së? Cilat janë synimet, objektivat që ju keni?

-Në fakt për shkak të ngarkesës së madhe, kam qenë disa herë i dyzuar në lidhje me rikandidimin.  Bile, me fillimin e situatës Covid-19 dhe me angazhimin në task forcën për burimet njerezore gjatë pandemisë, ia kalova që në mars, një pjesë të madhe të kompetencave të mia si Rektor, zv.Rektores, Prof.Anyla Bulo, të cilën dua edhe ta falenderoj publikisht për angazhimin. Në fakt, ishte pikërisht kjo periudhë që më hoqi çdo dyshim në lidhje me rikandidimin, pasi kam kontaktuar gjatë kësaj periudhe për nevoja pune me qindra njerëz, profesionistë  të shëndetit apo qytetarë të thjeshtë, që treguan përkushtim të paimagjinueshëm dhe më bindën që, nëqoftëse mbështetemi tek njerëzit e mirë, që në Shqipëri janë shumë, por nuk bëjnë kurrë protagonistin, ky universitet mund të ecë shpejt përpara, ky vend mund të bëhet. Akoma ndjej emocion nga qindra mesazhe që kam marrë nga stafi mjekësor dhe studentët, kur iu drejtova sëbashku me Ministren e Shëndetësisë, për t’ju bashkuar frontit anti-Covid, atëhere kur për 3 ditë, mbi 3 mijë punonjës të shëndetit shprehën gadishmërinë për t’u përballur në vijën e parë, duke riskuar edhe shëndetin e tyre, në frontin e luftës për jetën.  Pikërisht për t’jua shpërblyer gadishmërinë, vendosa të rikandidoj, duke ju shërbyer me gjithë mundësitë e mia këtyre shqiptarëve të mrekullueshëm, që rivendosën në piedestal, aty ku realisht e ka vendin, figurën e punonjësit të shëndetit.

– Prof. Gjata, ju urojmë suksese në kandidimin tuaj!