Procedurat e përfitimit të pensionit dhe sigurimet vullnetare për emigrantët

1685
Sigal

Pensioni familjar për emigrantët. Njohja e viteve të punës jashtë Shqipërisë dhe marrja e dy pensioneve

Njohja e viteve të punës jashtë Shqipërisë

Pyetje

  1. Hysen Gjorllaku nga Priska e Madhe e Tiranës, në bisedë telefonike tha: Jam i datëlindjes 2 qershor të vitit 1949 dhe kam punuar në ish kooperativën bujqësore në Kalanë e Dodës në Peshkopi, në kooperativën bujqësore Priskë, dy vjet kam qenë ushtar dhe nga viti 2001 emigrova në Greqi dhe atje kam punuar i siguruar. Kohët e fundit jam kthyer pranë familjes në Priskë. Pyes, cilat janë kushtet për të përfituar pension në vendin tonë dhe procedurat që duhet të ndjek, dhe a bashkohen vitet e punës me ato që kam punuar në Greqi?

Përgjigje

Ju moshën e pensionit e keni plotësuar 65 vjeç më 2.6.2014 dhe për pension duheshin 15 deri 35 vite punë të siguruara gjithsej në Shqipëri përfshirë dhe periudhën që keni qenë ushtar. Pavarësisht se në cilën kooperativë keni punuar i siguruar, vit i plotë pune për pension burrave u njihet kur kanë bërë 280 ditë pune në një vit ose 24 ditë pune në muaj nga mosha 16 vjeç, plus periudha që keni qenë ushtar sipas vërtetimit të degës ushtarake dhe periudha që keni punuar në ish ndërmarrjen artistike “Migjeni” në Tiranë. Ju rekomandoj që sa më shpejt të paraqitni kërkesën për pension në agjencinë e sigurimeve shoqërore pranë ish Shkollës së Bashkuar dhe dokumentet e mësipërme. Minimumi i domosdoshëm për pension është 15 vjet punë të siguruara gjithsej në vendin tonë. Pagesa e pensionit fillon nga dita që dorëzoni dokumentet e mësipërme dhe jo nga data që keni plotësuar moshën 65 vjeç. Aktualisht vitet e punës të siguruara në Greqi nuk janë të vlefshme për të marrë pension në Shqipëri, mbasi aktualisht nuk ka marrëveshje për këtë problem midis dy Qeverisë të vendit tonë dhe asaj Greke. Sqarime më të hollësishme mund të merrni në drejtorinë rajonale të sigurimeve shoqërore në Tiranë.

Marrja e pensionit për emigrantët

Pyetje

Zonja Violeta Korçari nga Tirana me banim në Detroit të Amerikës, shkruan: Jam e datëlindjes 18.11.1955 dhe në Shqipëri kam punuar shitëse  rreth 17 vjet deri në mesin e vitit 1991, pa përfshirë lejen e lindjes. Pyes, kur e kam plotësuar moshën e pensionit, sa vite pune të siguruara duhen dhe procedurat që duhet të ndjek?

Përgjigje

Ju moshën e pensionit e keni plotësuar 60 vjeçe e 4 muaj më 18 shkurt të vitit 2016 dhe për pension duheshin 15 vite deri 35 vite e 8 muaj punë të siguruara në Shqipëri nga mosha 16 vjeçe. Meqenëse ju keni 17 vite punë,  do të merrni pension të pjesshëm në masën 48% që del duke pjesëtuar vitet e punës që keni me 35 vite e 8 muaj që duhen për pension të plotë. Dokumentet që duhen plotësuar janë libreza e punës, ose deklarata për periudhat që keni punuar, fotokopje e kartës së identitetit, 2 fotografi, certifikatë e gjendjes familjare dhe martesës (që sigurimet shoqërore ia marrin direkt zyrës së gjendjes civile), të cilat duhet t’i dorëzoni në agjencinë e sigurimeve shoqërore në rrugën “M. Shyri”. Pagesa e pensionit fillon nga dita që do të dorëzoni dokumentet e mësipërme në sigurimet shoqërore dhe jo nga dita që keni plotësuar moshën. Pensioni paguhet në lekë e vetëm në Shqipëri. Sa herë rriten apo indeksohen pensionet përfitojnë edhe emigrantët pa qenë e nevojshme të plotësoni dokumente shtesë. Pensionet pavarësisht nga shuma nuk tatohen. Pensionet e pa tërhequra mund të merren në çdo kohë brenda 3 vjetëve. Ju mund të autorizoni ndonjë të afërmin tuaj për tërheqjen e pensioni ose sigurimet shoqërore për ta depozituar pensionin në një bankë të nivelit të dytë.

Pensioni familjar për emigrantët

Pyetje

Zonja Merita nga Tirana me banim familjarisht në Amerikë shkruan: Pasi mbaruam studimet e larta në Universitetin e Tiranës, bashkë me burrin, deri në vitin 2006 punuam të siguruar në Shqipëri dhe pastaj emigruam në Boston me lotari. Unë më 1 qershor të këtij viti plotësova moshën 54 vjeçe. Kohët e fundit bashkëshorti ndërroi jetë. Pyes, a përfitoj unë pension familjar në Shqipëri dhe cilat janë procedurat që duhet të ndjek?

Përgjigje

Mbështetur në legjislacionin e sigurimeve shoqërore në vendin tonë, nga dita që plotësoni moshën 55 vjeçe do të përfitoni 50% të pensionit të bashkëshortit deri në moshën e pensionit tuaj 61 vjeçe e 10 muaj në vitin 2025 dhe për pension do t’ju kërkohen 15 deri 38 vjet e 8 muaj punë të siguruara në vendin tonë përfshirë dhe periudhën e studimeve të larta ditën e vërtetuar me kopjen e diplomës së noterizuar. Kur të dilni vetë në pension keni të drejtë të zgjidhni pensionin tuaj ose të vazhdoni të merrni pensionin familjar të bashkëshortit, cila shumë të dalë më e lartë. Ju sugjeroj që ju ose të afërmit tuaj në Shqipëri të paraqesin në agjencinë e sigurimeve shoqërore të vendbanimit tuaj në vendin tonë këto dokumente: librezën e punës të bashkëshortit, certifikatën e vdekjes, certifikatën e gjendjes familjare, dy copë fotografi dhe vërtetimin e pagës të burrit nga 1 janari  i vitit 1994 deri ditën që ka punuar në Shqipëri. Sa herë rriten pensionet në vendin tonë përfitoni edhe ju. Pensionet në Shqipëri paguhen vetëm në lekë. Pensionet e pa tërhequra mund ti merrni deri në 3 vjet. Sa herë rriten apo indeksohen pensionet përfitoni edhe ju pa qenë e nevojshme të paraqitni dokumente shtesë. Periudha që do të përfitoni pension familjar juve nuk  quhet vjetërsi pune për pensionin tuaj.  Sqarime më të hollësishme mund të merrni në drejtorinë rajonale të sigurimeve shoqërore të vendbanimit tuaj në Shqipëri.

Pagesa e sigurimeve vullnetare

Pyetje

  1. Stavri nga Erseka me banim në Itali i cili ka ardhur me pushime në vendin tonë shkruan: jam 40 vjeç. Mbasi mbarova studimet e larta ditën në Universitetin e Bujqësisë në Tiranë në vitin 1997, deri në vitin 2012 punova i siguruar. Ne vitin 2013 emigrova në Breshia ku punoj i siguruar. Pyes, kur i plotësoj kushtet për pension, sa vite punë duhen, a njihet vjetërsi pune periudha e studimeve të larta ditën dhe a mund të bëj sigurime vullnetare në Shqipëri për të shtuar vitet e punës, sa lekë duhet të paguaj dhe cilat janë procedurat?

Përgjigje

Ju do të dilni në pension në moshën 65 vjec e 6 muaj në vitin 2038 dhe për pension në vëndin tonë do t’ju kërkohen 15 deri 40 vjet punë të siguruara. Për të plotësuar 15 vjet punë të siguruara që është minimumi i viteve të punës për pension në Shqipëri, para moshës mësipërme, keni të drejtë të bëni sigurime vullnetare për periudhat e pa siguruara, nga mosha 18 vjeç përfshi dhe kohën e studimeve ditën dhe periudhën që banoni në Itali po të keni nënshtetësi shqiptare ose dy nënshtetësi por gjithnjë për periudhën 1 tetor 1993 e në vazhdim deri në plotësimin e moshës së pensionit. Për periudhat e kaluara duhen paguar 62.208 lekë në vit, ndërsa pë periudhat e ardhshme po të bëni pagesa paradhënie këtë vit për shembull të paguani për vitin 2019 dhe në vitin e ardhshëm për vitin 2020 bëhet ulje 6% baras me 3.733 lekë në vit e kështu me radhë edhe për vitet e tjera deri sat ë dilni në pension. Për kohën që punoni i siguruar në Itali do të merrni pension sipas legjislacionit Italian, pra janë mundësitë që ju të përfitoni dy pensione njëkohësisht. Periudha e studimeve të larta ditën  njihet vjetërsi pune për femrat që dalin në pension deri më 31.12.2032. Sqarime më të hollësishme mund të merrni në agjencinë e sigurimeve shoqërore në Ersekë ose drejtorinë rajonale të sigurimeve shoqërore  në Korçë.