Prespa pa drita, banorët ikin në spitalet e Maqedonisë

546
Sigal

Qendra Shëndetësore e Pustecit – Tensioni i energjisë elektrike i ulët, asnjë aparaturë nuk punon

 

Qendra shëndetësore e Bashkisë Pustec në rrethin e Korçës prej kohësh përballet me një problem tejet serioz për shëndetin e banorëve të saj dhe që deri më sot nuk ka gjetur zgjidhje. Aparaturat e kësaj qendre, edhe pse janë në gjendje të mirë pune, nuk mund të funksionojnë, pasi tensioni i energjisë elektrike është i ulët, 150-160 volt. Për pasojë ato nuk janë më në dispozicion të shëndetit të banorëve. Aktualisht ato mund të shërbejnë vetëm si relikte për të treguar gjendjen në të cilën ndodhet kujdesi shëndetësor. Dhe kjo ndodh në Bashkinë e Pustecit, e cila sipas censusit të vitit 2011, ka 3.290 banorë, kurse sipas regjistrit civil 5.191 banorë, ku përfshihen fshatrat: Pustec, Diellas, Lajthizë, Zaroshkë, Cerje, Goricë e vogël, Goricë e madhe, Kallamas, Gollomboç. Pra numri i banorëve që marrin shërbimn mjekësor në këtë qendër është i madh. Burime pranë kësaj qendre shëndetësore pohojnë se për shkak të energjisë së pamjaftueshme, nuk arrijnë të bëjnë as sterilizimin e mjetve të punës, përpiqen t’i vënë aparaturat në punë, por ato nuk ndizen.