Prefekti i Korçës: Do rindërtojmë banesat e shembura nga tërmetet

884
Sigal

Prefekti i Korçës, Spirollari: Do ta mbajmë fjalën e dhënë!

Bashkëpunimi me Drejtorin e Përgjithshëm të Emergjencave, maksimal

 

Nga Vepror Hasani

Kanë kaluar vetëm 14 ditë nga tërmeti i datës 1 qershor me epiqendër në Floq të Korçës, por ajo që u arrit brenda këtij harku kohor të shkurtër është mbreslënëse. Pse është e tillë? Shpjegimet i morëm nga prefekti i Korçës, Dhori Spirollari, gjatë një bisede që patëm me të.

 “Fal përpjekjeve të deritanishme, masave të marra, bashkëpunimit me institucionet shtetërore dhe të qeverisjes vendore, – thotë prefekti i Korçës, Dhori Spirollari, – bëmë të mundur përballimin me sukses të fazës së parë, ku  evidentuam dëmtimet nga tërmeti dhe njohëm nga afër gjendjen e krijuar. Pas kësaj faze të parë, hodhëm një hap tjetër, edhe më të rëndësishëm, atë të vlerësimit të dëmeve të shkaktuara në banesa dhe objekte të ndryshme. Aktualisht grupet e vlerësimit të dëmeve të ngritura në bashkitë Korçë, Devoll dhe Kolonjë janë në përfundim të procesit. Pas këtij hapi të dytë, i hapet rruga procedurave të mëtejshme për zgjidhjen afatmesëm dhe afatgjatë të strehimit të banorëve në zonat e prekura. Pra, tashmë jemi në prag të fazës së tretë, që do të startojë me ngritjen e banesave të shembura. Do të fillohet me banesat më pak të dëmtuara me qëllim strehimin e sa më shumë familjeve që kanë lënë banesat e tyre për të vijuar me banesat e shembura plotësisht. Fundi i verës fillimi i vjeshtës, procesi do të jetë në përfundim. Kjo është edhe kërkesa e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama”.

Bashkëpunimi me Drejtorin e Përgjithshëm të Emergjencave, Haki Çako, maksimal

“Fazat kaluan me sukses njëra pas tjetrës sepse patëm mbështetjen e kryeministrit Rama, të qeverisë dhe të të gjitha institucioneve. Bashkëpunimi me Drejtorin e Përgjithshëm të Emergjencave Civile, Haki Çako, ishte mëse i frytshëm, – shpjegon prefekti Spirollari. Çako qendroi në Korçë për tri ditë më radhë, deri në stabilizimin e situatës; vizituam tri qendrat e goditura nga tërmeti: Floqin, Qafëzezin dhe Vidohovën; u njohëm me problematikat e krijuara, dhe në përputhje me to morëm masa të menjëhershme. Tri fushimet: Në Floq, në Qafëzez dhe në Vidohovë u ngritën në kohë rekord. Që nga dita e parë e tërmetit dhe deri më sot është treguar përkushtim maksimal dhe përgjegjshmëri institucionale. Qëllimi ynë i vetëm mbetet sistemimi sa më i shpejtë i banorëve të prekur nga kjo fatkeqësi. Nga Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile patëm edhe grupe ekspertësh, të cilët u qëndruan pranë ekspertëve të Njësive Vendore të tri bashkive të goditura nga tërmeti për t’i udhëzuar mbi procedurat dhe mënyrën e hartimit të dokumentacionit të nevojshëm të dëmeve. Ndihma e tyre u ofrua për 10 ditë me radhë ku gjatë kësaj kohe ekspertët vendorë u njohën me udhëzimet. Nga kjo drejtori u furnizuam me çadra, batanije, krevate, dyshekë dhe ushqime, dhe të gjithë këto mbërritën brenda ditës. Tashmë kur dy fazat e para të emergjencës i kaluam, banorët e pastrehë do të vendosen në ambiente të tjera me kushte më të mira. Për Korçën është vënë në gatishmëri konvikti i Universitetit “Fan Noli”, me 75 dhoma, i cili do të jetë në dispozicion banorëve të pastrehë. Për Qafezezin është vënë në dispozicion shkolla e fshatit, kurse për banorët e Vidohovës janë ngritur çadra pranë shtëpie të tyre”.

Gjithë Qeveria ishte në Korçë

“Për të qenë sa më afër me banorët e dëmtuar nga tërmeti, gjithë qeveria ka qenë në Korçë, jo vetëm me grupe ekspertësh dhe me ministrat e saj. Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, bëri të ditur se do të ndihmonte me ushqime, me ilaçe dhe për rimëkëmbjen e shtëpive. E pranishme ishte edhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu. Shërbimi shëndetësor për banorët e prekur nga tërmeti u ofrua 24 orë në 24, u vunë në dispozicion të tyre dy autoambulanca, dhe një mjek infermier të gatshëm për çdo urgjencë. Në gatishmëri u vu edhe ekipi i Shëndetësisë. Gjithashtu mjekët në spitalin e Korçës ishin në pritje të çdo rasti për të ofruar shërbim. Edhe në Qafëzez, nuk mungoi shërbimi shëndetësor; ofrohej nga mjekët e shërbimit shëndetësor të Kolonjës. U mendua gjithashtu edhe për shërbimin psikosocial për banorët që mund të kishin nevojë. Kjo u konfirmua edhe nga ministrja Manastirliu, e cila tha se banorëve do t’u garantoheshin të gjitha shërbimet shëndetësore dhe psikosociale. Po kështu mund të përmendim edhe ministren e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali etj. Por, sigurisht vend të veçantë zë ardhja e kryeministrit Edi Rama, i cili i siguroi banorët për ndërtimin e shtëpive dhe dëmshpërblimet për gjithçka që u është dëmtuar”.

 

14 ditë në veprim të vazhdueshëm

“Po, 14 ditët nga rënia e tërmetit, për të gjitha institucionet e qarkut Korçë kanë qenë ditë të mbushura me përpjekje për përmirësimin e jetës së banorëve të prekur nga tërmeti. Gjithçka nisi në orën 06.27, datë 01.06. 2019, kur unë si Prefekt i Qarkut Korçë dhe Qendra Operacionale e Emergjencave Civile, morëm njoftimin. Që atë çast kontaktova me administratorët dhe kryetarët e fshatrave të zonave Mollaj, Mollas dhe Vidohovë, dhe me kryetarët e bashkive respektive për situatën e krijuar. Nga kryetarët e fshatrave kërkova informacion sa më të detajuar për dëmtimit dhe pasojat e krijuara. Gjithashtu, pa humbur kohë, mblodha Komisionin e Planifikimit, Përballimit të Emergjencave Civile dhe Krizave. Sektori i Emergjencave Civile dhe Krizave u gjend menjëherë në Floq dhe zonat e tjera. Anëtarët e shtabit dhe pjesëmarrësit raportuan për situatën e krijuar dhe paralelisht u përcaktuan detyrat për çdo institucion dhe anëtar të shtabit, në varësi me banorët e dëmtuar dhe nevojën e akomodimit të tyre në fushim dhe vende të tjera. U përcaktuan vendet ku mund të ngriheshin fushimet. Drejtorisë Rajonale të Shërbimit Spitalor dhe Shëndetit Publik iu vu detyrë  mbështetja shëndetësore e banorëve të zonave të prekura, ngritja e qendrave shëndetësore, mbajtja në gatishmëri e mjekëve dhe autoambulancave, furnizimi me medikamentet e nevojshme mjekësore, evidentimi i banorëve me problem shëndetësore kronike, të grave shtatzëna, të fëmijëve etj”.

Informacionet e para

“Nga informacionet e para u mësua se ishin dëmtuar 5 shkolla (Shkolla 9-vjeçare në Qafëzes, bashkia Kolonjë; dhe shkollat “Naum Veqilharxhi”, “Demokracia”, “Tefta Tashko Koço” dhe “Themistokli Gërmenji të Bashkisë Korçë. Gjithashtu kishin pësuar dëmtime edhe 8 kabina elektrike të Njësisë Administrative Mollas Bashkia Kolonjë. Paralelisht u punua për ngritjen e fushimeve dhe akomodimin e banorëve sidomos në zonat më të dëmtuara si në Floq, ku u ngritën 13 çadra duke akomoduar 70 banorë. Në këtë fshat u shfrytëzua edhe Qendra “Kenedi”, në të cilën u akomoduan 25 banorë, kurse 50 të tjerë në shkollën e fshatit; gjithsej 145 banorë. Në Qafëzez u dërguan 27 çadra prej të cilave u ngritën dhe u sistemuan 80 banorë. Në Vidohovë u ngritën 18 çadra, ku u strehuan 64 banorë. Në kuadrin e ngritjes së fushimeve dhe akomodimin e banorëve rëndësi e veçantë iu kushtua furnizimit me ushqim, sigurim shëndetësor, ruajtjes së fushimeve si dhe kufizimit të zonave të prekura dhe ruajtjes së tyre nga strukturat e Komisariatit të Policisë së Shtetit dhe ato Bashkiake”

Të gjithë bashkë

“Gjithashtu, Drejtoria Rajonale e Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Policinë Bashkiake dhe struktura të tjera morën në ruajtje fushimet dhe shtëpitë që do të liheshin nga banorët. Komanda e Detashmentit të Mbështetjes Rajonale organizoi punën për ngritjen e fushimit në fshatin Floq, Bashkia Korçë; në Qafëzes, Bashkia Kolonjë; dhe në Vidohovë, Bashkia Devoll. Përfaqësues të bashkive Korçë, Kolonjë e Devoll, në bashkëpunim me administratorët dhe punonjësit socialë organizuan punën për largimin e banorëve nga shtëpitë e dëmtuara në fushim, bënë  evidentimin e shtëpive të lëna dhe të banorëve, ku shënohej edhe përbërja familjare e tyre me qëllim sistemimin në çadra për çdo familje Bashkëpunuam me Fondacionin “Kryqi i Kuq”, me Kompaninë “TAP” dhe organizata të tjera për sigurimin ndihmave në materiale dhe ushqime. Falënderojmë gjithashtu Komunitetin Mysliman, “Kenedi”-in, bizneset, “Karitasi”-n etj., të cilët na mbështeten pa rezerva. Gjithashtu dua të veçoj përkujdesin e treguar nga Kryeministri Rama, i cili në takimin që pati me banorët e Floqit në rrethin e Korçës dhe të Qafëzezit në rrethin e Kolonjës i siguroi banorët për rindërtimin e shtëpive dhe kompensimin e dëmeve për të gjitha objektet brenda tyre. Kryeministri bëri të ditur gjithashtu se tashmë qeveria e ka një bilanc të parë për të gjitha dëmet dhe ka gati planin e ndërhyrjes i cili pritet të nisë së shpejti. Pra e gjithë puna jonë ka konsistuar në synimin tonë që banorët të kenë shtëpitë e tyre pa filluar shirat e vjeshtës”, përfundoi rrëfimin e tij, prefekti i Qarkut Korçë, Dhori Spirollari