Posta Shqiptare: Pensionistët me orë të tëra për pensionin

421
Sigal

Nevoja e pensionistëve për para, krijon radhë me orë, jashtë “ Postës Shqiptare”

Në një kohë kur numri i të prekurve me Covid -19, prej shumë ditësh qwndron rreth 100, dhe viktimat shtohen pas çdo dite, në ambientet jashtë “Postës Shqiptare”,  janë parë mëngjesin e sotëm dhe jo vetëm, qindra qytetarë, kryesisht të moshuar që presin në radhë.

Të moshuarit nuk respektojnë asnjë distancë fizike, dhe një pjesë e tyre nuk mbajnë as maska, e cila është bërë e detyrueshme në ambientet e mbyllura në vendin tonë, me një akt normativ të qeverisë që kaloi edhe në Kuvend.

“Kemi ardhur për pensionin, ç’a të bëjmë, nuk po ruhet distanca, nuk kam qenë këtu nëna, nuk kam qenë, nuk e di”, -shprehet një e moshuar.

Ndërkohë që një tjetër i moshuar tregon që maskën e ka në xhep, dhe nuk pranon që të shprehet për kamerën. Shumë prej qytetarëve, mbajnë në duar ndonjë shami letre, ndërkohë që mungesa e parave dhe nevoja për t’i marrë pensionet menjëherë, bëjnë që ata të harrojnë rrezikun e Covid.

Vetëm në muajt e parë të pandemisë, pensionistëve iu dërgua pensioni në banesat e tyre, ndërkohë që me rihapjen e vendit, ata janë të detyruar që të presin me orë të tëra në radhë, të grumbulluar, dhe nën temperatura të larta.