Pjesa më e madhe e fshatrave të Maliqit pa kanalizim të ujërave të zeza

826
Sigal

Bashkia Maliq ka 84 fshatra. Zyrtarisht dihet që pjesa më e madhe e tyre nuk kanë rrjet kanalizimesh të ujërave të zeza. Sa është saktësisht numri i fshatrave pa kanalizime nuk ka të dhëna. Kjo do të thotë se fshatrat pa kanalizime janë shumë më shumë nga gjysma; flitet për një gjendje të rënduar të banorëve të këtyre fshatrave. Kanalizimet mungojnë prej 30 vitesh, pasi investimet në këtë drejtim kanë munguar. Popullsia e Bashkisë Maliq, sipas censusit të vitit 2011, ka 41,757 banorë, kurse sipas Regjistrit Civil, (i cili është i përditësuar), popullsia aktuale është 64,664 banorë, që do të thotë se më shumë se 30 mijë banorë përballen me aromën e keqe dhe frikën e përhapjes së sëmundjeve dhe epidemive.

Mungesa e investimeve

Mungesa e investimeve në rrjetin e kanalizimit të ujërave të zeza, nga drejtuesit e Bashkisë Maliq justifikohet me faktin se Bashkia në fjalë është një bashki e madhe me fshatra nga 5,000 banorë deri te fshatrat më të vegjël me 50 banorë, ndaj ka qenë e vështirë mbërritja deri në zgjidhjen përfundimtare të këtij problemi. Por justifikimi nuk duket bindës, sepse një bashki e madhe siguron të ardhura më të mëdha ose në raport të drejtë me numrin e banorëve apo familjeve, pasi çdo familje paguan për të marrë shërbimet e duhura, për përmirësimin e jetës së saj. Për më tepër ato që vuanin mungesën e sigurimit të të ardhurave ishin njësitë administrative vendore më të vogla. Gjithashtu nga ana e drejtuesve të Bashkisë Maliq, pretendohet se në një sërë fshatrash nuk është i mundur realizimi i rrjetit të kanalizimeve, pasi ato ndodhen nën nivel, gjë që nuk mundëson qarkullimin (lëvizjen) e ujit. Për këtë arsye e vetmja rrugëzgjidhje mbetet ndërtimi i gropave septike. Të tilla janë fshatrat Pojan, Rrëmbec etj. Mirëpo nga banorët e fshatrave që gjenden nën nivel, pohojnë se kjo gjë është e vërtetë, por jo se nuk ka zgjidhje. Para viteve ’90, – na thonë ata, – ujërat e zeza tërhiqeshin me autobote, dhe kjo gjë bëhej rregullisht në mënyrë periodike. Pretendimi i banorëve është pranuar edhe nga drejtuesit e bashkisë Maliq, madje këta të fundit kanë premtuar se do të blihet një autobot, por deri më sot, as kjo zgjidhje e mundshme nuk është vënë në praktikë.

Mungesa e kanalizimeve, rrezik për jetën e banorëve

Problematika e fshatrave pa rrjet kanalizimesh për ujërat e zeza nuk përfundon këtu. Në mungesë të tyre, ujërat e zeza, (për ato familje që nuk kanë gropa septike dhe ato janë shumë) shkarkohen në tubacionet e ujit të pijshëm. Si shembull po sjellim fshatin Zvarisht, banorët e të cilit janë ankuar në Bashki herë pas here, por pa gjetur zgjidhje. Ankesa e tyre shkon edhe më tej: ujërat e zeza, pasi përshkojnë kanalet e ujit të pijshëm, derdhen në toka të mbjella. Për rrjedhojë rreziku i përhapjes së sëmundjeve rritet edhe më tepër, ndërsa prodhimet bëhen të pa tregtueshme, pasi mund të bëhen burim infeksionesh edhe për qytetarë të tjerë. “Vetëm kaq duhej të mjaftonte që Bashkia të vinte dorë në zgjidhjen urgjente të problemit”, – thonë banorët. Si fshati Zvarisht ka edhe fshatra të tjerë. Dhe e keqja nuk përfundon këtu, fshatra të tjerë, që nuk kanë kanalizime, i derdhin ujërat e zeza në përrenjtë që kanë pranë, duke ndotur kështu gjithë ambientin ku kalon përroi. Si të tillë mund të përmendim fshatin Leminot, ku një investim i kryer kohë më parë për këtë qëllim, u erdhi në ndihmë 6 apo 7 familjeve, ndërsa gjithë fshati mbeti në të njëjtat kushte si më parë. Por janë të shumtë banorët, që ankesën e tyre e çojnë edhe me tej, sepse ka shumë familje, (pothuajse pjesa më e madhe), që falë emigracionit siguruan të ardhura, ngritën shtëpi të mëdha e të bukura, ndërsa tashmë vetëm për shkak të mungesës së kanalizimeve, vuajnë kundërmimin e pakëndshëm të ajrit që u hyn në shtëpi nga dritaret, kjo i bën të ndihen të turpëruar para syve të miqve dhe vizitorëve. “Mbi të gjitha, – na thonë ata, – të investosh kaq shumë për një jetë më të mirë dhe të jetosh në këto kushte, është e papranueshme”.