Petrit Sinaj: Projekt për kanalizimin e ujërave të zeza në Drobonik

714
Sigal

Drobonik, projekt për kanalizmin e ujërave të zeza

 

Adriatik Mema

 

Ditën e djeshme, Kryetari i Bashkisë, i shoqëruar nga një pjesë e stafit të vet, ka inspektuar punimet që janë duke u kryer për kanalizimin e ujërave të zeza në fshatin Drobonik, Njësia Administrative Velabisht. Ky investim, me vlerë 90 milionë lekë, kryhet me fondet e Bashkisë dhe është në fazën e përmbylljes së tij.  Për realizimin e këtij projekti është kryer një volum i madh punimesh; janë bërë gërmime për hapjen e kanaleve, janë shtrirë 924 metra linear tuba të brinjëzuara, janë hedhur shtresa rëre nën dhe mbi tuba,  janë vendosur rreth 24 puse kontrolli, janë hedhur dhe ngjeshur me makineri shtresa çakulli etj. Droboniku, i konsideruar ndryshe si “Ballkoni i Beratit”, edhe pse shtrihet përgjatë rrugës nacionale Berat – Tepelenë, në një distancë prej 5 km nga Berati, duket më shumë larg sesa afër Beratit, për shkak të degradimit të rrugës, e cila ka krijuar vështirësi në qarkullim, duke ua pamundësuar banorëve të këtij fshati nxjerrjen e produkteve të tyre në treg, apo kryerjen e aktiviteteve të tjera. Bashkia e Beratit, veçanërisht Kryetari i Bashkisë, z. Petrit Sinaj, edhe pse qysh herët kanë përgatitur një projekt të plotë për rehabilitimin e kësaj rruge, nuk kanë mundur të ndërhyjnë, sepse kjo rrugë konsiderohet pjesë e aksit nacional, duke qenë në kompetencën e strukturave të qeverisë dhe ministrisë përkatëse, të cilat asnjëherë nuk i janë përgjigjur kërkesave të bashkisë lidhur me këtë çështje.