Pesë skandale, asnjë i dënuar

401
Sigal

Të dhënat e qytetarëve dhe bizneseve në Shqipëri janë sabotur në mënyrë masive 5 herë, dhe jo nga sulmet kibernetike por nga vetë duart e shtetit. Shitja e Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile, kopjimi i të dhënave në serverin e Tatimeve, Lista e Patronazhistëve, Targat e Mjeteve dhe Lista e Pagave janë të dhënat më të ndjeshme që kanë përfunduar në duart e krimit dhe zyrtarët në vend të ndëshkimit, krenohen me trafikantët

Të dhënat të ndjeshme të qytetarëve dhe bizneseve në Shqipëri janë sabotuar dhe jo prej ndonjë sulmi kibernetik, por nga vetë duart e shtetit dhe në tri rastet e mëparshme hetimet janë mbyllur pa përgjegjës e fajtorë

Janë katër raste në vetëm 12 vite kur të dhënat të ndjeshme të qytetarëve dhe bizneseve në Shqipëri janë sabotuar dhe jo prej ndonjë sulmi kibernetik, por nga vetë duart e shtetit dhe në tri rastet e mëparshme hetimet janë mbyllur pa përgjegjës e fajtorë.Hera e parë është skandali me regjistrin kombëtar të Gjendjes Civile të 2008-s. Regjistri u mor, me gjasë nga persona të brendshëm dhe me akses në sistem dhe dyshohet se u shit në tregun e zi. Në regjistër janë të dhëna të të gjithë shtetasve shqiptarë deri në vitin 2008. Aty ata shfaqen me emër, mbiemër, datëlindja, statusi i gjendjes civile, atësia, mëmësia dhe të dhëna të tjera familjare që pasqyrohen në regjistrin kombëtar të gjendjes civile.

Skandali i dytë mbërriti në nëntor të 2013-s, kur sipas hetimit të mëvonshëm të prokurorisë u kopjuan pa autorizim të dhënat në serverin e Tatimeve. Nga pamjet e publikuara në atë kohë në mjediset e kësaj drejtorie tregohej edhe Spartak Braho, që mbante postin si kryetar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare në Kuvend.

Është e vërtetë që kam qenë tek tatim-taksat si deputet dhe si kryetar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare dhe si tillë unë kam të drejtë të shkoj kudo ku shikoj se cenohet siguria e vendit dhe, në rastin konkret, siguria financiare e strukturave të shtetit dhe kam konstatuar se Sali Berisha është ideatori i një komploti financiar, që i ka kushtuar rëndë shtetit. Në ditët në vijim unë do t’ia hap petët këtij byreku, ku ka kullotur banda financiare e Saliut”, deklaronte Braho pas shpërthimit të këtij skandali.

Ish-drejtori i IT në Tatime, Renald Rista dhe ish-drejtorja e Përgjithshme e Tatimeve, Brisida Shehaj u përplasën në gjykatë për fajtorin. Drejtorja Shehaj akuzonte Ristën se kishte lejuar fshirjen e të dhënave nga tatime. Hetimi i prokurorisë doli në përfundimin se të dhënat nuk ishin fshirë, por kopjuar dhe rrëzuan padinë.

Nga hetimi i mëvonshëm, Prokuroria shprehet se është e vërtetuar se grupi i auditit i kryesuar nga Panajot Gjiknuri dhe Ermal Beqiri ka kryer kopjimin e të dhënave në server, provuar nga deklarimet e specialistëve, por dhe nga akti i ekspertimit ku u provua lidhja e një pajisje kopjuese të hard disqeve.

Megjithatë, në 2015 prokurorët Julian Zonja dhe Antoneta Sevdari pushuan hetimin duke thënë se asnjë e dhënë nuk ishte fshirë nga serveri i tatimeve përgjatë vitit 2013.

Sipas dosjes së prokurorisë, të dhënat janë fshirë përkohësisht nga sistemi, por ishin plotësisht të rekuperueshme, ndërsa ekspertët thanë se të dhënat mund të jenë zhdukur përkohësisht edhe për çështje teknike të gabimeve në konfigurim.

Sipas prokurorëve, kopjimi dhe klonimi i të dhënave është i justifikuar në funksion të auditimit. Eksperti i grupit auditues, Olsi Karapici pranoi para prokurorëve se propozimi për kryerjen e klonimit të të dhënave u bë nga Panajot Gjiknuri, ndërsa procesi i klonimit u krye nga shtetasi Ermal Beqiri dhe filloi me serverin e deklarimeve, duke e fikur serverin nga punonjësi i DPT.

Skandali i tretë ndodhi në fillim të këtij viti, para zgjedhjeve të 25 prillit. Të dhëna personale të mbi 900 mijë shqiptarëve përfunduan në treg. Të dhënat ishin të Partisë Socialiste dhe përmbante numrin e kartave ID, pozicionin e punës, punëdhënësin dhe preferencën politike të mbi 900 mijë qytetarëve.

PS tha se të dhënat ishin grumbulluar derë më derë nga patronazhistët dhe se nuk kishte asnjë shkelje ligji. Por, pati akuza se kjo databazë ishte marrë direkt nga serverat e e-Albanias dhe po shfrytëzohej për të blerë zgjedhjet.

Në lidhje me këtë skandal SPAK nisi një hetim edhe me akuzën e “korrupsionit aktiv në zgjedhje”. Në maj të këtij viti, Prokuroria e Posaçme njoftoi se nuk ka elementë të veprës penale të korrupsionit zgjedhor dhe hetimi vazhdon për veprën penale “hyrje e paautorizuar në sisteme kompjuterike”.

Skandali i fundit duket edhe më i madh dhe që vazhdon të konsumohet. Pas publikimit të pagave të muajit janar të rreth 637 mijë shqiptarëve, në rrjet po qarkullojnë edhe të dhënat për muajin prill. Hetimi, në këtë rast nuk ka nisur nga SPAK, por nga Prokuroria e Tiranës.