Ofendime, rrjedhje informacioni dhe mashtrim: Shkeljet digjitale janë shtuar ndjeshëm në mes të pandemisë

544
Sigal

Një monitorim ka treguar se shkeljet e të drejtave digjitale u shtuan ndjeshëm në Europën Qendrore dhe Juglindore gjatë pandemisë së koronavirusit. Më shumë se gjysma e këtyre shkeljeve përfshinin propagandë, dezinformim ose publikim të informacioneve të pa verifikuara

Nga 26 janari deri më 26 maj, BIRN mblodhi informacione për rreth 163 raste të shkeljeve të të drejtave digjitale në Bosnjë dhe Hercegovinë, Kroaci, Hungari, Maqedoninë e Veriut, Rumani dhe Serbi.

Gjashtëdhjetë e tetë prej rasteve kanë të bëjnë me manipulimin në mjedisin digjital, ndërsa 25 kanë të bëjnë me publikimin e informacioneve të rreme dhe të pa verifikuara me qëllim dëmtimin e reputacionit të dikujt.

Monitorimi i të drejtave digjitale nga ana e BIRN, i zhvilluar së bashku me fondacionin SHARE, ka treguar që njerëzit e zakonshëm ishin më të prekurit nga shkelje të tilla, ku anëtarë të publikut ishin shënjestra në 126 raste.

Ndërkohë, institucionet ose zyrtarët shtetërorë shkelën të drejtat digjitale në gjithsej 37 raste.

Shtetet rrallë adresuan abuzimet që rrodhën nga këto shkelje, dhe në 45 raste, autorët nuk u identifikuan, ndërsa 139 nga gjithsej 163 raste nuk u zgjidhën.

Tetë raste ishin rezultat i presionit në lidhje me publikimin e informacionit, 12 ishin të lidhura me fyerje dhe akuza të pabazuara dhe 11 ishin gjuhë urrejtjeje dhe diskriminim.

Shkeljet e të dhënave mjekësore dhe personale përbënin 18 raste, mashtrimet kompjuterike janë regjistruar në 11 raste, ndërsa shkatërrimi dhe vjedhja e të dhënave dhe programeve kanë ndodhur në tre raste.

Përtej vendeve të listuara më lart, BIRN vuri re një rritje të paparë të shkeljeve digjitale në Mal të Zi dhe Turqi, ku pati arrestime arbitrare dhe shkelje të të dhënave.

Hakera, shkelje dhe përpunim i paligjshëm i të dhënave

Dokumente të rrjedhura, faqe interneti të rreme dhe publikim i të dhënave personale dhe shëndetësore të njerëzve kanë qenë të zakonshme gjatë pandemisë që është ende në vazhdim e sipër, por shkalla dhe pasojat e shkeljeve dhe të përpunimit të paligjshëm të të dhënave ende nuk është përcaktuar.

Spekulimet për numrin dhe identitetin e personave të infektuar me COVID-19 çuan në ekspozimin masiv të të dhënave personale dhe private në rrjetet sociale dhe platformat e mesazheve. Në disa raste, rrjedhjet ishin të vogla përsa i përket të dhënave, por kishin pasoja të mëdha dhe serioze, sidomos në situatat në të cilat u zbuluan të dhënat personale të pacientëve.

Rastet më serioze u raportuan në Kroaci, Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi.

Në mars në Kroaci, një mesazh që përmbante një listë të pacientëve të infektuar u shpërnda midis njerëzve që jetonin në ishullin Murter, kryesisht përmes aplikacioneve të mesazheve.

Përpunim të paligjshëm i të dhënave personale dhe shkelje të privatësisë pati gjithashtu në Maqedoninë e Veriut. Agjencia e vendit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale ngriti padi penale kundër një personi të panjohur për publikimin e të dhënave personale të personave që jetojnë në qytetin e Kumanovës.

Publiku në Serbi u shqetësua kur u zbulua se kredencialet e hyrjes në sistemin e informacionit të Serbisë për analizimin dhe ruajtjen e të dhënave shëndetësore gjatë pandemisë ishin në dispozicion të publikut në një faqe interneti të institucionit shëndetësor për tetë ditë.

Qytetarët e Malit të Zi vuajtën më shumë nga stigmatizimi për shkak të një sërë rrjedhjesh të të dhënave të pacientëve me COVID-19. Identiteti i pacientëve të infektuar u zbulua në postime në rrjetet sociale, duke sjellë si pasojë një gjuhë urrejtjeje ndaj tyre.

Nën shënjestër u vunë edhe individët që shkelën masat e vetë-izolimit dhe, shpesh, ishin qeveritë që po zbulonin informacionet e tyre personale.

Në Republikën Srpska autoritetet hapën një faqe në internet në të cilën ata publikuan emrat e njerëzve që nuk zbatonin masat e izolimit në entitet. Lista mund të gjendet ende në internet.

Si masë kundër përhapjes së koronavirusit, qeveria e Malit të Zi publikoi një listë të individëve që u futën në izolim pasi u kthyen në shtëpi nga jashtë. Listat përfshijnë emrat e individëve, mbiemrat, datën kur u futën në izolim dhe adresat e shtëpive të tyre. Lista u hoq vetëm një muaj pasi u publikua.

Njerëzit gjithashtu ishin nën shënjestër të sulmeve të hakerave dhe mesazheve apo emaileve mashtruese, zakonisht duke u përpjekur të mblidhnin informacionet e tyre personale ose të kërkonin pagesa në banka të huaja ose në llogari me kripto-monedha,  ndërkohë që kriminelët kibernetikë përfituan nga shqetësimet e publikut dhe konfuzioni i krijuar nga pandemia.

Mashtrimet, fushatat e mashtrimit online dhe sulmet në internet, duke shfrytëzuar frikën e njerëzve nga COVID-19, ishin më të zakonshmet në Kroaci, Serbi, Hungari, Maqedoninë e Veriut dhe Rumani. Gjiganti rumun i sigurinë kibernetike Bitdefender tha në mars se përpjekje të tilla për mashtrim “janë rritur me 475 për qind në mars në krahasim me një muaj më parë” dhe pritej të vazhdonin të rriteshin.

Kërcënime, gjuhë urrejtjeje dhe diskriminim

Ndërkohë që disa vende kufizuan fushën e lirisë së fjalës gjatë pandemisë, disa njerëz përdorën lirinë e tyre në internet për të bërë kërcënime, fyerje, postime diskriminuese dhe fushata urrejtjeje.

BIRN vuri re disa kategori shkeljesh:

Gjuhë urrejtjeje dhe diskriminim

Përmbajtje kërcënuese dhe rrezikim i sigurisë

Ofendime dhe akuza të pabazuara

Informacione të rreme e të paverifikuara me synim prishje të reputacionit

Në total, më shumë se 15 për qind e të gjitha rasteve që u monitoruan përfshinin një nga këto lloj shkeljesh.

Kjo lloj sjelljeje në internet shpesh u kombinua me përdorimin e llogarive të rreme dhe promovim të përmbajtjes së rreme.

Njerëzit më të prekur nga shkeljet digjitale që u monitoruan ishin gazetarët, punonjësit mjekësorë dhe njerëzit në karantinë.

Postimet dhe aktet diskriminuese ishin kryesisht për refugjatët, kinezët dhe hebrenjtë, gratë dhe komunitetin rom, me numrin më të madh të këtyre rasteve në Hungari.

Diskriminimi me bazë gjinore u raportua në Serbi, ku viktimat ishin kryesisht individë të angazhuar politik dhe gazetarë që kritikojnë qeverinë.

Kërcënimet dhe thirrjet për dhunë ndaj policisë në Serbi dhe Bosnjë dhe Hercegovinë u gjetën në Facebook. Në të dy rastet, autoritetet reaguan menjëherë dhe autorët u identifikuan dhe u ndaluan. Në Maqedoninë e Veriut dy oficerë policie u gjobitën pasi tallën dhe ofenduan njerëz në rrjetet sociale.

Shkeljet që lidhen me dëmtimin e reputacionit prekën kryesisht kundërshtarët politikë të qeverive, mediat e pavarura dhe gazetarët.

Serbia ishte vendi me numrin më të madh të posteve që synonin të dëmtonin reputacionin e gazetarëve të pavarur. Në tre ose katër raste publikimi informacionesh të rreme, gazetarët që ishin nën shënjestër ishin gra.

Gazetarët u vunë nën shënjestër edhe në Maqedoninë e Veriut dhe Hungari.

Presion dhe arrestime për publikim informacionesh

Për shkak të peizazhit shumë të kontrolluar të mediave dhe nivelit të dobët të shkrimit dhe leximit në vendet që u monitoruan, publiku ishte mbingarkuar me informacione kontradiktore dhe pati shumë më tepër vështirësi se zakonisht në dallimin e informacioneve të rreme dhe mashtruese gjatë pandemisë. Në të njëjtën kohë, nevoja e publikut për informim në kohën dhe mënyrën e duhur nuk kishte qenë kurrë më e madhe.

Ndërsa fluksi i informacionit vazhdoi të rritej pa masë, shtetet filluan të arrestojnë qytetarë për postime në rrjetet sociale nën akuzën se shkaktuan panik dhe trazira. Disa vende vendosën rregullore autoritare që kufizonin fluksin e informacionit.

Anëtarë të publikut, përfaqësues të mediave dhe politikanë u arrestuan dhe u gjobitën për shkrimet e tyre në rrjetet sociale, shpesh pa ndonjë kriter të qartë. Gazetarë u arrestuan në Serbi, Kosovë dhe Turqi.

Arrestimet dhe gjobat janë bërë një nga taktikat kryesore për të luftuar lajmet e rreme dhe shkeljet e kufizimeve të vendosura nga të gjitha qeveritë në shtetet që janë monitoruar. Në Hungari, Serbi, Bosnjë, Kroaci dhe Maqedoninë e Veriut, zyrtarë të lartë të shtetit paralajmëruan publikun se ata përballeshin me sanksione të menjëhershme për përhapjen e lajmeve të rreme në mes të pandemisë.

Nga teoritë konspirative deri te masat e rreme

Nga 163 raste, numri më i madh, 68, ishte i lidhur me keqpërdorimin ose manipulimin e informacionit. Ato kishin të bënin kryesisht me lajme të ndryshme të rreme, përdorim të identiteteve të rreme në internet, shkëmbim të teorive konspirative ose postime të klasifikuara nga autoritetet si shkaktare paniku dhe trazirash.

Disa nga temat që u keqpërdorën në këtë mënyrë përfshinin:

Mjekime që mund të shërojnë koronavirusin, vaksina dhe teste laboratorike

Procedura dezinfektimi

Udhëzime dhe këshilla mbi si të kurohet koronavirusi

Numri i personave të infektuar

Informacione mbi personat e infektuar

Informacione mbi institucionet mjekësore dhe punën e tyre

Fillimi i virusit dhe si u zhvillua ai

Masat dhe veprimet e shteteve që nuk janë deklaruar/ndërmarrë kurrë

Mungesë ushqimesh

5G

Teori të tjera konspirative

Mësimi online dhe informacione të tjera lidhur me nxënësit

Postime dhe video ofenduese për qytetarët në karantinë dhe njerëzit që vinin nga një shtet i huaj

Lajmërime shqetësuese për shpërthimin e COVID-19

Në disa vende, të tilla si Serbia dhe Hungaria, nivelet e lirisë së mediave janë të ulëta, me mediat kryesore që shpesh përhapin dezinformim, ndërsa media e pavarur që konsiderohen se sajojnë gënjeshtra nga autoritetet.

Rreth 25 për qind e të gjitha rasteve të keqpërdorimit ose manipulimit të informacionit u zgjodhën, në një farë mënyre. Rezultatet përfshinin:

Mbyllje e faqes së internetit ose heqje e përmbajtjes nga shteti

Kërkesë për heqjen e postimit problematik

Ndalimi ose arrestimi i një personi

Deklaratë zyrtare në lidhje me incidentin ose ndjesë publike

Në Rumani, shumica e rasteve në këtë kategori përfunduan duke hequr përmbajtjen e postuar. Në Serbi, Hungari dhe Kroaci, arrestimi ishte rezultati më i zakonshëm.

Informacionet e manipuluara, teoritë e komplotit dhe pretendimet e pabazuara u shfaqën masivisht në platformat e rrjeteve sociale dhe në faqet e internetit të lajmeve kur shumica e vendeve ndërmorën masa emergjente.

Dezinformimi u shpërnda më intensivisht përmes YouTube, ku përmbajtja fajësonte zgjerimin e teknologjisë 5G për shpërthimin e COVID-19, ose fajësonte kompanitë shumëkombëshe ose qeveritë e huaja për pandeminë. Në Kroaci, një person shkatërroi madje pajisjet e tij WiFi, duke menduar se ishin infrastrukturë 5G. Pretendime për ndikimin e dyshuar të rrjeteve 5G në pandemi u vunë re në Rumani dhe Serbi, si në faqet e internetit të lajmeve ashtu edhe në rrjetet sociale.

Faqet e internetit të lajmeve në Serbi, Rumani, Hungari dhe Kroaci shpesh publikuan përmbajtje manipuluese që përfshinin informacione të rreme.

Prilli ishte muaji me numrin më të madh të rasteve të raportuara në këtë kategori. Rreth 30 nga 68 rastet e manipulimeve në mjedisin digjital u regjistrun në atë muaj.

Informacionet që qarkullonin në prill dhe maj, të cilat ishin të manipuluara ose të rremë, kryesisht i referoheshin izolimin, numrit të pacientëve dhe testeve COVID-19, provimeve të studentëve, personave në karantinë, rrjetit 5G dhe financimit të komuniteteve fetare. Pothuajse të gjithë ata të prekur nga kjo kategori ishin anëtarë të publikut.

Shtimi i sulmuesve “të panjohur”

Në krahasim me rastet e shkeljeve në internet të raportuara para shpërthimit të COVID-19, monitorimi i BIRN vuri në dukje një rritje të konsiderueshme të rasteve në të cilat autorët nuk mund të identifikohen. Numri i këtyre rasteve u rrit dhjetëfish në bazë mujore.

Këta autorë të panjohur kanë krijuar faqe në Facebook, duke shfrytëzuar situatën e virusit për të përndjekur gazetarë të pavarur dhe të tjerë, për të dërguar mesazhe mashtruese me qëllim shkatërrimin e sistemeve kompjuterike ose për të vjedhur para, si edhe kanë krijuar llogari të rreme në internet për të përhapur teori konspirative ose dezinformim mjekësor.

Autorë të panjohur kanë qenë gjithashtu përgjegjës për mashtrime kompjuterike, shkatërrim dhe vjedhje të të dhënave, si edhe për bërjen e përmbajtjes të padisponueshme duke përdorur aftësitë e tyre teknike. Hungaria kishte shumicën e rasteve që përfshinin autorë të panjohur, kryesisht të lidhur me mashtrime kompjuterike.

Rastet kanë treguar gjithashtu se si shtetet mund të jenë shkelës të të drejtave dhe lirive digjitale. Rritja e numrit të çështjeve që përfunduan në arrestim ose ndalim zbuluan tendencën e shteteve për të përdorur më shumë fuqi sesa ishte e nevojshme, veçanërisht për të arrestuar gazetarë dhe qytetarë për postime në rrjetet sociale.

Nga pasja e standardeve të dyfishta kur bëhet fjalë për reagimet ndaj lajmeve të rreme deri te përdorimi i autoritetit të tyre për të heshtur njerëzit, qeveritë shpesh vepruan kundër interesave të qytetarëve të tyre. Sipas gjetjeve të monitorimit, në pothuajse 25 për qind të të gjitha rasteve, vetë shteti ose një zyrtar shtetëror përshkruhej si autor i shkeljes së disa të drejtave ose lirive të garantuara.

Nga ana tjetër, anëtarët e publikut qenë viktima të shkeljeve në 126 raste.

Rregulloret e mediave në të gjithë rajonin janë shtrënguar nën gjendjen e jashtëzakonshme dhe gazetarët janë arrestuar me akuzën e përhapjes së dezinformimit rreth përgjigjeve të autoriteteve për përhapjen e koronavirusit. Disa vende, si Serbia, u përpoqën ta përqendronin shpërndarjen e informacionit zyrtar dhe ndaluan pjesëmarrjen e medieve të caktuara në konferencat e rregullta.

Nisma e parë juridike shqetësuese u vërejt në Kroaci, ku qeveria propozoi një ndryshim në Aktin e Komunikimeve Elektronike, sipas të cilit, në situata të jashtëzakonshme, ministri i shëndetësisë do t’u kërkonte kompanive të telekomunikacionit të siguronin të dhëna për vendndodhjet e përdoruesve. Ndryshimi legjislativ aktualisht është në pritje.

Në Hungari, Projektligji për Mbrojtjen Kundër Koronavirusit, i cili i jep qeverisë pothuajse kontrollin e plotë të fluksit së informacionit në lidhje me pandeminë, u miratua në fund të marsit. Qeveria hungareze vendosi gjithashtu të kufizojë zbatimin e Rregullores së Përgjithshme të BE-së për Mbrojtjen e të Dhënave, GDPR, dhe të zgjasë afatin që institucionet publike të japin të dhëna të kërkuara përmes të drejtës së informimit nga 15 në 45 ditë.

Organizatat rumune të shoqërisë civile gjithashtu tërhoqën vëmendjen për mungesën e transparencës zyrtare dhe kufizimin e lirive të medieve nga dispozitat e gjendjes së jashtëzakonshme. Dispozitat e miratuara si pjesë e gjendjes së jashtëzakonshme për të luftuar përhapjen e koronavirusit u mundësuan autoriteteve të mbyllnin faqet e internetit që publikojnë lajme të rreme dhe i hoqën autoriteteve mundësinë që t’i përgjigjen pyetjeve urgjente nga gazetarët. Që atëherë është bllokuar qasja në shumë faqe interneti.

Në Maqedoninë e Veriut, mediat u përballën me procedura të reja për marrjen e lejeve të punës gjatë orëve të izolimit në shtëpi për shkak të koronavirusit. Qeveria këmbënguli që masat e saj për frenimin e përhapjes së pandemisë nuk do të ndikonin në të drejtën e publikut për informim, por në praktikë, institucionet ishin më pak të përgjegjshme ndaj kërkesave për të drejtën e informimit.

Në përgjithësi, në shumë vende pati një prirje për të pezulluar kërkesat për të drejtën e informimit.

Të drejtat digjitale dhe të drejtat privatësisë dhe lirisë së shprehjes, janë përballur të gjitha me kufizime serioze dhe shkelje në Europën Juglindore dhe Qendrore. Në gjysmë-demokracitë e rajonit, të mbizotëruara nga regjime me elemente autoritarizmi, ekziston një shqetësim i drejtë për ndërhyrje jo proporcionale në të dhënat personale të qytetarëve dhe shqetësimi se masat e vendosura kohët e fundit nuk janë përshtatur siç duhet për të arritur objektivat e tyre, ndërkohë që u shkaktojnë dëme të drejtave të garantuara.

Jetët e shumë njerëzve gjatë kësaj periudhe janë zhvendosur plotësisht në botën online, ku sjellja e dëmshme zakonisht mbetet pa u vënë re nga autoritetet e preokupuara për shkeljet e kryera offline.

Gjatë periudhës së monitorimit të BIRN, mungesa e një qasje të bazuar në të drejtat e njeriut në botën digjitale çoi në diskriminim, gjuhë urrejtjeje dhe kërcënime. Edhe pse mbrojtja e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut duhet të garantohet në internet në të njëjtën mënyrë siç është jashtë tij, në praktikë kemi parë një rritje të numrit të rasteve të shkeljeve në internet. Edhe format e këtyre shkeljeve kanë evoluar gjithashtu.

Mungesa e njohurisë dhe e të kuptuarit të hapësirës online, si edhe mungesa e qeverisjes në internet kanë hapur një Kuti Pandore, duke lejuar institucione të ndryshme shtetërore të interpretojnë në mënyrë arbitrare, pjesërisht dhe jo të barabartë sjelljen në internet të njerëzve.

Natyra intensive e betejës për kontrollin e narratives për koronavirusin e ka bërë më të ashpër se kurrë mbikëqyrjen e jetës dhe praktikave në internet, si edhe përcaktimin e përgjegjësisë për veprimet në të.