Një “ministri” për Ilir Beqaj/ Krijohet agjencia për trajtimin e fondeve që vijnë nga BE për Shqipërinë. “Ujkut” po i varin mëlçitë në qafë

478
Sigal

Një ”ministri” për Ilir Beqaj?

Tabaku: Kode për të fshehur vjedhjet që i’u bëhen fondeve

Partia Demokratike ka reaguar përmes deputetes Jorida Tabaku, për vendimin e qeverisë Rama për drejtorinë që do të merret me menaxhimin e fondeve, që vijnë nga BE. Kjo drejtori është përfolur se do të drejtohet nga ish-ministri Ilir Beqaj, dhe duket të jetë një mbivendosje e roleve që kanë institucione të tjera, përfshirë ministrinë e Financave dhe atë të Rindërtimit.Tabaku thotë se shtimi i agjensive dhe ministrive pa portofol bëhet me qëllim për të fshehur vjedhjet që iu bëhen fondeve.

Deklarata e plotë e Tabakut: Rama shpik agjenci të reja për interesa klienteliste dhe korruptive. Mania për të kontrolluar gjithçka dhe gjithkënd nuk ndalet. Ka vite që në Ministrinë e Financave ndër modelet më të mira është ngritur një drejtori specifike për menaxhimin e fondeve që vijnë nga BE. Ky model specifik dhe i mirë trajnuar po shkatërrohet nga njeriu i vetëm, që zhduku kufijtë ndarës të partisë me shtetin. Mbrëmë është publikuar një VKM e Qeverisë për një agjensi të re për Manaxhimin e Fondeve të Donatorëve, mbas asaj të Medias dhe Platformës digjitale. Sot Rama ka ideuar dhe ndërtuar shtetin më të madh dhe me një centralizim pushteti të pa ekzistuar me parë. Sajesat e tij, që mbajnë emrin e Agjencive dhe Ministrive pa portofol janë një goditje ndaj demokracisë dhe decentralizimit.

Agjencia në fjalë njësoj si 2 agjencitë e tjera është thjesht një kod për të fshehur punën reale që ato do bëjnë. Pra, Agjencia do të ndërtojë politika, do menaxhojë fonde, do të jetë një ministri e re e financave. Kjo sajesë, njësoj si Agjencia e Mediave dhe ajo e Bashkëqeverisjes, do të jenë hambari i punësimeve politike dhe partiake, që do të zhvlerësojnë dhe shumëzojnë me zero infrastrukturën dhe paratë e shpenzuara për punësimin e administratës civile. Së fundi, jo nga rëndësia, kjo Agjenci do të distancojë qytetarët dhe përfituesit nga entitetet që ofrojnë fondet. Kjo agjenci e sajuar është për të mbivendosur funksionet kuptohet për interesa klienteliste dhe korruptive.

Pasi ajo i jep mundësinë Edi Ramës dhe natyrisht atij që Rama do vendosë aty që të abuzojnë me fondet e BE-së dhe donatorëve të tjerë më lehtësisht. Shqipëria kështu po degjeneron përditë e më shumë në një shtet të kapur nga mafia, oligarkia dhe korrupsioni permanent që po shpërthen metastazat e tij çdo ditë e më shumë.