Ndryshon formula e kompensimit të pronarëve me 10% e vlerës të pronës

691
Sigal

 

Pronarët do të kompensohen nga shteti bazuar në zërin kadastral që ka pasur toka në vitin 1945, por gjithsesi kjo vlerë nuk do të jetë më e ulët se 10% e vlerës aktuale.

Këshilli i Ministrave ka kryer një seri ndryshimesh në Ligjin e Kthim Kompensimit të Pronave të miratuar në 2016, duke pasqyruar edhe vendimmarrjen e fundit të Gjykatës së Strasburgut, e cila riktheu për rishqyrtim në vend rreth 80 ankimime nga pronarët shqiptarë. Pas pikës 15 të ligjit aktual shtohet një pikë me këtë përmbajtje: Vendimet, të cilat janë vlerësuar financiarisht bazuar në zërin kadastral që ka pasur prona në momentin e shpronësimit, por që rezultojnë me zërin aktual të pronës të ndryshuar, kompensohen me 10% të vlerës sipas zërit aktual kadastral të pronës së njohur për kompensim. Në rastet kur vlera prej 10% e pronës së llogaritur sipas zërit aktual rezulton më e vogël se vlera e llogaritur, sipas zërit kadastral në momentin e shpronësimit, subjekti përfiton vlerën më të madhe dhe mbetet në fuqi vlerësimi i parë sipas zërit kadastral në momentin e shpronësimit.

 Vlera që përfiton kjo kategori subjektesh llogaritet, si më poshtë vijon:

  1. a) prona e njohur për kompensim vlerësohet financiarisht, në bazë të zërit kadastral aktual;
  2. b) vlera e pronës së kthyer, të kompensuar fizikisht apo të përfituar në një nga mënyrat e tjera sipas legjislacionit për kthimin dhe kompensimin e pronave, zbritet nga vlerësimi i kryer sipas shkronjës “a”, të kësaj pike;
  3. c) vlera e llogaritur nga diferenca e shkronjës “a” dhe e shkronjës “b”, të kësaj pike, ekzekutohet në masën 10 (dhjetë)%. Ndryshimet përcaktojnë se ATP-ja, brenda afatit 3-mujor nga data e hyrjes në fuqi të këtyre ndryshimeve, përditëson vendimet duke kryer vlerësimin financiar, formulës së mësipërme.