Martin Leka, modeli abuziv i punësimeve nepotike në RTSH

570
Sigal

 

 Emërimet e Martin Lekës në Radiotelevizionin Shqiptar (RTSH) fshehin çudira dhe probleme që nuk janë hetuar akoma. Po publikon një rast abuziv: Vendimin nr 1 për vitin 2021, kur Martini, megjithëse kishte një drejtor mbi kokë (nuk ishte zv.drejtor pa drejtor), me sa duket kishte hapësirën të bënte si të donte, pa pyetur për asgjë.Me vendimin nr 1, datë 6 janar 2021, Martin Leka emëron të fejuarën e djalit të tij Fabio Leka, znj. Klea Muçmata, specialiste në sektorin GIS- regjistrim dhe administrim të pronave, në drejtorinë e administratës pranë drejtorisëë së përgjithshme të RTSH-së. Ndonëse nuk kishte pozicion të lirë, Martini e vendos Klean “jashtë strukture”, pra i hap edhe vendin që nuk ekzistonte në organigramën e miratuar të TVSH. Kontrata e parë bëhet tremujore, por Klea ka vazhduar punën në RTSH deri para pak ditësh, pra në tetor 2021, rreth 10 muaj gjithsej. Në kategorinë e shtatë të pagës! Klea është studente dhe emërohet specialiste pa një diplomë të shkollës së lartë.

Por ajo që përbën skandal është fakti se Klea, e fejuara e djalit të Martinit nuk doli asnjë ditë në punë. Asnjeri nuk e pa dhe nuk e njohu, ka shkuar vetëm ditën e parë sa për të nënshkruar kontratën. Nuk kishte as zyrë, nuk u mor me asnjë punë në strukturën GIS. Nuk pati asnjë shef, asnjë shok a shoqe pune, asnjë koleg e bashkëpunëtor. Njohu vetëm vjehrrin, Martinin. Deri para disa ditësh, kur Martini, i frikësuar pas një vizite të strukturës së SPAK në dy zyrat e tij (atë të zv.drejtorit dhe zyrës së drejtorit të përgjithshëm ku rri sot), vendosi ta largojë nga puna të fejuarën e djalit ,zonjushën Klea. Po të shihen kamerat e godinës së RTSH-së për 10 muaj si zor se do të gjendet Klea duke hyrë në RTSH. Pavarësisht se, nën presionin e Martinit, nuk ka guxuar njeri t’i vërë mungesë. E fejuara e djalit të Martinit mori rrogën plot 10 muaj pa e parë njeri dhe pa e njohur kush në RTSH. Ne e kemi foton e Kleas në një event familjar, ku ka dalë bashkë me familjen Leka. Me siguri nuk ka njeri në RTSH ta njohë. Po e njeh Martini, kaq mjafton! Ky rast hap kutinë e Pandorës për emërimet në RTSH të bëra nga Martin Leka gjatë këtyre 5 muajve, ku është vetë i parë në institucion.

Burimet e në RTSH bëjnë fjalë për njerëz të rinj që shtohen çdo ditë. Por ka edhe një periudhë 3 vjeçare 2013-2016, kur Martini ishte përsëri zv.drejtor pa drejtor. Aty flitet për shumë punësime me rregulla dhe parime të dyshimta. E keqja është se KLSH-ja nuk e ka kontrolluar fare këtë periudhë në RTSH (gabimisht apo qëllimisht). Kur të merren letrat e kësaj periudhe, kushedi çfarë do dalë.

Rasti që paraqitëm është abuzim ndoshta më i parëndësishmi nga veprimtaria e Martin Lekës. Një auditim profesional do nxjerrë shumë shpërdorime të tjera./ Pamfleti