Maratona e Notit në Sarandë/ FSHN dhe Bashkia e Sarandës organizuan garat e përvitshme të veteranëve të notit shqiptar

357
Sigal

Idriz Muço kampioni i 50 rekordeve ishte notari i parë shqiptar, që kaloi lumin Jance pas Mao Ce Dunit

Speciale/ FSNH, Bashkia Sarandë dhe Klubi Sportiv Butrinti organizojnë në qytetin bregdetar të “Rekordmenëve të Notit”, garat që janë kthyer në një traditë të përvitshme. Maratona e Sarandës, mozaik brezash, mjeshtërie e trashëgimie.

 Maratona e notit “çau” detin me krahët e veteranëve, dhe përkujton rekordmenin sarandiot  Idriz MUÇO.

 Nga Agron Mema

E veçantë maratona e notit në kë fillim shtatori në Sarandë. Përveç veçantisë që këtë tradicionalitet sportiv të notit FSHN-ja e zhvendos në organizimin e saj në qytetin e Sarandës për vetë arsyen e shumë rekordeve të thyera në vite nga notarët e këtij qyteti, por edhe për vetë faktin se këtij qyteti i mungon një pishinë me standartet e kërkuara për zhvillimin e garave kombëtare e ndërkombëtare. Maratona e këtij viti ka pasur okelio një të veçantë tjetër sa të bukur, emocionale, nostalgjike dhe historike për notin e Sarandës dhe atij shqiptar, ndaj FSHN-ja që në këtë qytet të zhvillojë një Maratonë noti në fillim shtatori, por këtë vit me emrin ” Kupa Idriz Muço”, rekordmen kombëtar e ndërkombëtar, Mjeshtër Sporti, Nder i Qarkut Vlorë, Qytetar Nderi i Sarandës, tanimë i larguar nga jeta. Data 10 shtator ka qenë Maratona e rradhës e zhvilluar në qytetin e Sarandës me pjesëmarrjen e vet Presidentit të FSHN-jë, zotit Agim Çiraku, pjesëmarrës edhe si ish notar në garat simbolike të Maratonës. Gjithashtu pjesëmarrës në këtë aktivitet garues, më shumë me efekte simbolike dhe përkujtuese, kanë qenë pjesëmarrës notarë veteranë të këtij sporti shpirtëror në këtë qytet si Sulejman Poda, Skënder Bajrami sarandjotë dhe vlonjati Ilirjan Kreshpa , të tre rreth 80 vjeçarë, pra notarët më të moshuar.

Por ka pasur garues dhe pjesëmarrës edhe nga veteranë të tjerë të sportit të notit si Agim Çiraku  Presidenti i Ferderatës Shqiptare të Notit, Sadik Mema, Petrit Guma, , Ladi Xhelili, Anthulla Ekonomidhi, Jani Kurti etj. sportistë notarë që kanë lenë emrin me aktivitetin dhe rekordet e tyre. Në rreth 100 notarë pjesëmarrës në këtë Maratonë tradicionale, 40 prej tyre kanë qenë veteranë të notit dhe 60 sportistë notarë të moshës 8-14 vjeç duke përcjellur kështu edhe këtë traditë të mirë dhe krenare nëpër breza. Garat u zhvilluan në kompleksin e notit “Esat Mamaca” në distancat 1-2-4 km. sipas grupmoshave garuese. E ndërsa jemi në këto rreshta të përmendjes së pjesëmarrjes së garruesve, përmendim edhe disa të rinj si Ediljana Hana, Eklea Omeri, Niki Tafruku, Jani Groshi, Martin Nika, 9-vjeçarja Joni Skëndaj, Jasona Babi, Vasja Nasto dhe shumë të tjerë, që u kërkojmë ndjesë për mospërmendje emri. Këtu mund të përmendim me plot gojën dhe respekt biznesmenin “Nasto” për spondorizim të darkës pritëse 4, në hotelin “Republika”, për akomodim, si dhe biznesmenin Tomorr Sulo për vënin në dispozicion falas të mjediseve të lokalit për zhvillimin e ceremonisë dhe koktejlit përmbyllës, pa harruar këtu Presidentin e klubit shumësportësh të Sarandës , të papërtuarin dhe të apasionuarin Fuat Karaliu për masat tekniko-organizative, të cilat ishin të shkallës superiore me aktivizimin në pjesëmarrje të policisë së shtetit si kufitare dhe të rendit, personel spitalor, personel varkar, gjyqtar si dhe kronometrues, duke mundësuar një aktivitet të qetë, korrekt dhe emocionues më tepër mbresëlënëse. Në fund le të sqarojmë lexuesin tonë se ky aktivitet mori okelion ” Kupa Idriz Muço”.

Përtej atyre që përmendëm që në fillim të shkrimit, mund të nënvizojmë se kjo ceremoni dhe aktivitet i veçantë është organizuar me propozim të shoqatës së veteranëve të notit shqiptar dhe FSHN-Jë në mirënjohje dhe përkujtim të notarit rekordmen. Të mos harrojmë që është mbështetur edhe financiarisht nga FSHN-ja dhe Bashkia e Sarandës. Në fund të këtij aktiviteti mbresëlënës familjarët shtruan një koktejl për pjesëmarrësit në këtë koktejl dhe merituan të gjithë sponsorizuesit dhe financuesit fjalët më të ngrohta dhe mirënjohëse për zemërgjerësinë dhe humanizmin e ruajtjes së vlerave të bukura të qytetit dhe respektimit të këtyre personaliteteve që i dhanë qytetit nder, lavdi dhe krenari. Në fund të këtij shkrimi, mund t’i them lexuesit se zoti Idriz Muço ka qenë misafir dhe mik i gazetës “Telegraf” në gjallje të tij duke u prononcuar në një intervistë për aktivitetin e notit shqiptar në përgjithësi dhe në veçanti për atë sarandjot në kohën që debutoi me dinjitet dhe krenari në këtë sport duke thyer rekorde kombëtare e ndërkombëtare.

Në kujtim të  notarit sarandjot të 50 rekordeve në vitet 1968-1977 dhënë për Gazetën “Telegraf”, më 7 korrik 2013

Idriz Muço, notari i parë shqiptar, që kaloi lumin Jance pas Mao Ce Dunit

Idriz Muço, rekordmeni që dominoi për një dekadë garat e thellësisë, rrëfen për gazetën “Telegraf” historinë e rekordeve dhe medaljeve të shumta të tij, madje edhe shansin e madh të kalimi të lumit kinez, Jance, si i pari notar i huaj pas ish liderit kinez Mao Ce Dunit. Muço në dhjetë vitet e tij si notar ka thyer jo pak, por 50 rekorde. Ish-notari i madh vlerësoi zgjedhjen e z. Agim Çiraku si President i Federatës Shqiptare të Notit, duke shprehur bindjen se kreu i ri do të arrijë të gjallërojë jetën sportive dhe do të ngrejë në një stad më të lartë sportin e notit. Ai beson se, tani ikonat e notit do të ndihen më të vlerësuar dhe më të respektuar.

Z.Idriz, ju konsideroheni me të drejtë si një nga ikonat e notit shqiptar, por për lexuesit e gazetës “Telegraf” cili është Idriz Muço?

Sëpari ju falënderoj dhe i uroj suksese gazetës suaj. Kam filluar të ushtrohem në sportin e notit qysh në vitin 1963. Karriera ime sportive nis me kampionatin e zhvilluar në Shkodër, me garat e stilit të lirë. Mbeta besnik i atij stili, edhe pse shumë trajnerë më rekomanduan të ushtrohesha në stilin e shpinës. Kam qenë një notar i garave të gjata në stilin e lirë, por kjo nuk më pengoi që të thyeja dhe të vendosja rekorde më 100m dhe 200m stil i lirë dhe shpinë. Për një periudhë dhjetë vjeçare kam thyer dhe vendosur rekorde në garat e gjata.

Si u pritën në Sarandë rekordet e vendosura në Shkodër?

Në qytetin e Sarandës ishin të informuar për rezultatin e shkëlqyer, që arrita në Shkodër. Kur kemi mbërritur në qytet, na kanë pritur me shumë entuziazëm, çka më krijoi emocione të atilla si ato të garës. Një pritje e mrekullueshme, dhe nga disa që nuk besonin dikur në aftësitë e mia. Krijova një raport të mrekullueshëm me trajnerët dhe sportdashësit e notit, të cilëve ua shpërbleva me daljen kampion për dhjetë vite rrjesh, duke thyer shumë rekorde, kjo falë stërvitjes intensive dhe profesionale, por edhe entuziazmit që të krijon publiku.

Përmendet rekordet, ku konsistojnë ato?

Po të numërosh ato që kam thyer nga viti 1968 dhe deri në vitin 1977, dua të theksoj se isha kampioni i parë dhe rekordmeni i parë i parë i qytetit të Sarandës. Kam thyer 50 rekorde kombëtare, këto në 100,m, 200m, në garat e gjatë në stil të lirë, por dhe të përzier. Për këto rezultate, qyteti i Sarandës më ka përgëzuar dhe mbështetur për arritjet e mia. Sportdashësit e notit më kanë nxitur shpesh me pyetjet e tyre, nëse do të dilja kampion në kampionatin e radhës. Kjo më ka nxitur gjithmonë.

Tej mbështetjes së dashamirësve të sportit, po pushteti lokal si sillej?

Mbështetja e pushtetit ka qenë maksimale, si nga Sekretari i Parë i Komitetit të Partisë së rrethit, ashtu dhe nga Kryetari i Komitetit Ekzekutiv, të cilët përveç përgëzimeve dhe inkurajimit për rezultatet e arritura, më kanë hapur dyert për çdo problem. Më respektonin shumë. Dhe kjo u konkretizua me faktin që, ekipi i Butrintit doli kampion për shumë vite rresht. Ndërtuam një ekip të shkëlqyer që fitoi shumë trofe.

A keni pasur rastin të takoheni me udhëheqës dhe drejtues të lartë të regjimit të mëparshëm?

Po, sigurisht. Kujtoj një takim me ministren Tefta Cami, e cila na përgëzoi për sukseset që kishim arritur. Nuk mund të harroj edhe takimet titullarët e Ministrisë së Mbrojtjes, Beqir Ballukun dhe Petrit Dumen, kur unë isha pjesë e ekipit të Partizanit. Natyrisht që, kam pasur shumë takime me figurat politike të Sarandës. I mbaj mend si mbështetës të sportit.

Cilët nga këta të fundit e respektonte më shumë sportin?

Do të veçoja Jashar Menzelxhiun, por edhe ish-kryetarin e Komitetit Ekzekutiv, Stefan Qirjako, një mbështetës i rrallë.

 

Ju keni qenë pjesëtar i ekipit Kombëtar. Çfarë do të kujtonit?

Në vitin 1972 jam grumbulluar me ekipin Kombëtar të notit, me të cilën shkuam në Kinë. Patëm rezultate të mira në gara, por nuk mund të harroj pritjen e mrekullueshme nga ana autoriteteve dhe popullit kinez. Ruaj kujtime shumë të mira nga garat e zhvilluara në vitet 1973, 1974 dhe 1975. Ishin aktivitete të veçanta që, Kina zhvillonte me pjesëmarrjen e mbi 50 shteteve nga Europa, Azia, Afrika dhe vende të ndryshme komuniste.

Përse e organizonte Kina këtë aktivitet?

Në atë kohë “Lufta e Ftohtë” ishte në pikën kulminante të saj. Federata Ndërkombëtare e Notit, FINA, nuk e ftonte Kinën në garat ndërkombëtare që organizonte ajo, pasi ishte pengesë “Lufta e Ftohtë” dhe anëtarësimi në organizma botërore në ato vite. Por, Kina duke e njohur fuqinë e saj organizonte vetë aktivitete të nivelit botëror, ku merrnin pjesë shumë shtete. Në 200m stil shpinë dola i parë nga notarët shqiptarë dhe i gjashti në një garë ku morën pjesë 50 shtete. Në Kinë mësova shumë nga teknika e të notuarit, çka më ndihmoi më pas të thyeja shumë rekorde kombëtare.

Çfarë kujtoni si të veçantë nga Kina?

Në vitin 1972, delegacioni i notarëve të Shqipërisë, meshkuj dhe femra kaloi lumin e famshëm Jance, vetëm gjashtë vjet pasi udhëheqësi shpirtëror kinez, Mao Ce Duni, e kishte kaluar atë. Ne notarët shqiptarë, përfshirë dhe mua, ishim të huajt e parë që e kaluam atë. Ajo kronikë u dha në kanalin televiziv shtetëror italian, “RAI UNO”. Morëm shumë përgëzime, si nga Qeveria jonë ashtu dhe nga shoqata të ndryshme, teksa këtë nuk duhet të harroj faktin se privilegjin për të kaluar lumin Jance na e dha Kina. Ishte koha kur miqësia dhe dashuria midis dy vendeve ishte në kulmin e tyre.

Keni punuar me disa trajnerë, cilët do të veçonit?

Ruaj respekt për të gjithë, por dua të përmend Eqerem Hasanin, falë të cilit fitova titull “Mjeshtër Sporti” qysh në vitin 1966, por dhe Esat Mamacën, nën drejtimin e të cilit dola kampion në Durrës. Do të përmendja dhe Petrit Cacin, si dhe Spiro Koçën, ky i fundit u nda nga jeta vetëm pak ditë më parë.

 

“Saranda ka nxjerrë shumë talente dhe kampionë, por duhet treguar më shumë vëmendje për notin”

“Kam besim te presidenti i  ri i Notit, Agim Çiraku”

Veterani i notit Idriz Muço tha për gazetën se, situata në të cilin ndodhet ky sport në Sarandë është për të ardhur keq. “Është vërtet e dhimbshme. Vlerat e këtij sporti në Sarandë janë nëpërkëmbur, por unë mendoj se e njëjta situatë është dhe në të gjithë vendin. Gjatë këtyre viteve të këtij tranzicioni kaq të gjatë i kanë kushtuar pak vëmendje notit, për të mos thënë që e kanë braktisur atë. Saranda ka nxjerrë shumë talente dhe kampionë, ka elementë me të ardhme të madhe, talente të padiskutueshme, por duhet më tepër vëmendje, më tepër kujdes, do një përkushtim më të madh. Më vjen mirë që me ardhjen e kryebashkiakut Stefan Çipa, si pjesë e jetës sportive të qytetit, xadra, u ristrukturua. Nuk ishte venë do të në të nga viti 1965. Po kështu kam besim tek Kryeministri i ri, Edi Rama, për ringritjen e sportit se vjen nga bota sportive dhe shpirti u dhëmb për sportin. Kam besim se kjo mugëtirë që shoqëron sportin, e në veçanti notin, do të zhduket me ardhjen edhe të një njeriu të përkushtuar për notin, Presidenti i ri i Federatës së Notit, Agim Çiraku. Shpreh besim tek rigjallërimi i këtij sporti nga energjitë përkushtuese të zotit Çiraku. Dua të kujtoj diçka, nga përvoja që fituam në Kinë: të gjithë mjeshtrit e notit ishin këshilltarë dhe trajnerë. Shteti i shtrydhte për përvojën dhe përgatitjen e talenteve të reja. Vetëm ata dëgjoheshin në Kinë,dhe zoti Çiraku do ta bëjë këtë, sidomos moslënien në haresë të elementeve të krenarisë së notit shqiptar”, – tha ish-rekordmeni Idriz Muço.

Vlerësime të shumta

Idriz Muço ka qenë në nga sportistët shembullorë të Sarandës, dhe për të vlerësuar kontributin e tij ai është nderuar me medalje dhe pllakatë nderimi. Ai është vlerësuar me medaljen “Qytetar Nderi” i Sarandës dhe “Nderi i Qarkut të Vlorës”. ( Ribotim)