Lidhja kombëtare e ushtarakëve/ Letër e hapur: Pse statusi i ushtarakut nuk zbatohet nga kryeministri Rama? Të korrigjohen shkeljet e rënda që lënë mjerim me mijëra familje ushtarakësh. Ja kërkesat

786
Sigal

“Të drejtat ligjore të vihen në zbatim në mënyrë urgjente, duke korrigjuar shkeljet e rënda sociale e ekonomike, që lenë në mjerim me mijëra familje ushtarakësh”

 

Pse Statusi i Ushtarakut nuk zbatohet nga Kryeministri Edi Rama…?

 

Para disa kohe, konkretisht më datën 22 nëntor 2018, Shoqata “Lidhja Kombëtare e Ushtarakëve Atdhetarë të Shqipërisë”, i ka drejtuar kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, një letër ku i kërkonte zbatimin e plotë dhe nen për nen të statusit të pazbatuar të Ushtarakut. Në kundërshtim me nenin 48 të Kushtetutës, jo vetëm që nuk ka kthyer përgjigje brenda 30 ditëve; por, duke përdorur strategema të karakterit administrativ dhe individë të politizuar, ka kërkuar që kjo letër t’i nënshtrohet burokracisë antiligjore; siç është plotësimi i formularit të Kryeministrisë,

Platforma “Shqipëria që duam”; e cila, për rastin konkret nuk ka asnjë lidhje me të drejtën kushtetuese, që garanton dërgimin e letrave ankimuese me kërkesa nga qytetarët, nga njëra anë, si dhe detyrimin e institucioneve shtetërore për të kthyer përgjigje brenda afatit ligjor dhe zgjidhjen e problemeve të artikuluar.

Mospërfillja e Kryeministrit Edi Rama tenton të trajtojë në “kalendat greke” zbatimin e statusit të pazbatuar të ushtarakut, duke aplikuar disinformacionin kundrejt dhjetëra mijë ushtarakëve aktive, në rezervë, në lirim dhe pension të plotë pleqërie, të cilët i ka mbajtur larg veprimeve protestuese me shpërndarjen e lajmeve të rreme, sikur gjoja zv/ministri Petro Koçi, se bashku me shefin e shtabit të përgjithshëm të ushtrisë kanë bërë një marrëveshje me shoqatën socialiste të ushtarakëve në rezervë, që ka si kryetar kolonelin në rezervë, z. Thoma Konduri; i cili shquhet për veprimtari të cilat nuk lejojnë zbatimin e statusit të ushtarakut dhe gjithmonë kanë synuar të përçajnë ushtarakët, duke vepruar ‘prapa krahëve’ për interesa të ulëta personale, partiake dhe qeveritare.

Me këtë rast po informojmë të gjithë ushtarakët e interesuar me përmbajtjen e plotë të kërkesës, që Komiteti Drejtues i Shoqatës “Lidhja Kombëtare e Ushtarakëve Atdhetarë të Shqipërisë”, i ka bërë për herë të dytë më datën 5 shkurt 2019 Kryeministrit aktual, z. Edi Rama, si më poshtë vijon:

 

Kërkesë

Drejtuar: 1. Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, z. Edi RAMA,

Kërkues: Shoqata “Lidhja Kombëtare e Ushtarakëve Atdhetarë të Shqipërisë.

Brendia: Ja kërkesat për zbatimin ligjor të statusit të ushtarakut.

 

I Nderuar z. Edi RAMA, – Kryeministër i Republikës së Shqipërisë,

 

Ne, Komiteti Drejtues i Shoqatës “Lidhja Kombëtare e Ushtarakëve Atdhetarë të Shqipërisë”, më datën 22.11.2018 ju kemi dërguar një letër, nëpërmjet së cilës ju bëjmë me dije të gjitha problemet e shqetësimet tona, të parealizuara prej vitesh nga moszbatimi i Kushtetutës dhe Statusit të Ushtarakut, të miratuar me ligjin nr. 7496, datë 3.07.1991, si dhe me ligjin nr.9210, datë 23.03.2004.

Për fat të keq, në kundërshtim me nenin 48 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, nuk na keni kthyer përgjigje, ndonëse kanë kaluar mbi 60 ditë, kur ligji parashikon kthim përgjigjeje brenda 30 ditësh nga momenti i marrjes së letrës.

Të detyruar nga formularët burokratikë të administratës së Kryeministrisë, po ju formulojmë edhe një herë tjetër kërkesat tona legjitime për moszbatimin e statusit të ushtarakut nga data 3.7.1991 deri më sot.

Situata lidhur me zbatimin e statusit të ushtarakut është përkeqësuar, sidomos mbas nxjerrjes së VKM-së antikushtetuese nr.5/2010 dhe Vendimit “Unifikues” antikushtetues të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë nr.3, datë 18.11.2016, të drejtuar nga gjyqtari “politik dhe anti-ushtarak”, z. Xhezair Zaganjori. Këto vendime totalisht të padrejta dhe antiligjore i kanë shndërruar mijra ushtarakë nga ‘kreditorë’ në ‘debitorë’; të cilët, ndonëse kanë fituar 4 mijë gjyqe me vendime të formës së prerë, konstatohet se anti-ligjërisht po u mbahen prej 6 vitesh paratë e fituara ligjërisht 1,000 ushtarakëve nga pensioni i tyre i pleqërisë.

Gjithashtu grupimi i dytë, që po u mbahen paratë nga pensioni i pleqërisë, janë ata qindra Ushtarakë, të cilët janë punësuar duke qenë në pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi. Ky veprim bie ndesh me parimin e sigurisë juridike, ose të drejtën e fituar sipas nenit 35, pika 2 të statusit të ushtarakut, ligjin nr.9210, datë 23.03.2004. Qëndrime të tilla antiligjore i ka miratuar dhe zbatuar jo vetëm qeveria berishiane, por edhe Qeveria Socialiste, që Juve drejtoni..; e cila nga qershori i vitit 2013 deri më sot nuk e ka mbajtur premtimin elektoral dhe detyrimin ligjor për trajtimin e ish ushtarakëve në përputhje me kërkesat ligjore të statusit së tyre.

 

Kërkesat tona përputhen me statusin e ushtarakut dhe përmbledhtas po ua paraqesim si më poshtë:

 

Mbi 4 mijë ushtarakët e dalë në lirim dhe rezervë në korrik të vitit 1992, pas trajtimit me pagesa kalimtare, nga data 1.01.1996 deri më 31.12 1998, u është ndërprerë pensioni i pjesshëm për vjetërsi shërbimi, siç përcaktohet në nenin 16 të ligjit nr.7496, datë 3.07.1991. Kërkojmë trajtimin financiar për 3 vjet e gjysmë të këtyre ish ushtarakëve.

Ish ushtarakët e nxjerrë në lirim dhe rezervë nga data 3.07.1991 deri më datën 22.03.2004 nuk janë trajtuar sipas statusit të datës 23.03.2004. Atyre u ka takuar të marrin nga data 1.01.2006 deri më 30.06.2009 nga 3 deri në katër pensione bazë. Kërkojmë që t’u jepet diferenca që ekziston midis pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, të dhënë deri më tani dhe pensionit të parakohshëm, siç u takon sipas ligjit.

Pas daljes së VKM-së antikushtetuese nr.5/2010, nga data 1.07.2009 deri më sot mijëra ish ushtarakë janë trajtuar me pensione të ulëta minimale deri 11,000 lekë në muaj dhe tani marrin nga 14,500 lekë në muaj. Duke mbajtur parasysh vendimin nr.10, datë 06.03.2014 të Gjykatës Kushtetuese, VKM-ja nr.5/2010 cilësohet antikushtetuese, por vazhdon të jetë në fuqi. Kërkojmë që ish ushtarakët të trajtohen sipas kërkesave të nenit të pandryshuar dhe në fuqi nr.14 të ligjit nr.10142, datë 15.05.2009.

Qeveria të nxjerrë akte nënligjore për zbatimin e kërkesave të statusit të ushtarakut, duke mbajtur parasysh faktin se VKM nr.5/2010 juridikisht nuk ekziston, si dhe të drejtat e tjera që ju takojnë sipas statusit te Ushtarakut; si për sigurimin shëndetësor falas, për rimbursimin e ilaçeve, për punësimin e ushtarakëve në rezervë dhe sidomos për rikthimin e shtëpive të ushtarakëve në qendër dhe në rrethe; për strehimin dhe zhvillimin e ceremonive mortore të ushtarakëve, që ndërrojnë jetë ,kartën e identifikimit të Ushtarakut. si dhe të tjera të drejta të sanksionuara në Statusin e Ushtarakut.

 

Zotëri Kryeministër,

Kërkojmë që të drejtat ligjore të përcaktuara me statusin organik të vihen në zbatim në mënyrë urgjente, duke korrigjuar shkeljet e rënda social ekonomike dhe financiare, që lenë në mjerim me mijëra familje ushtarakësh.

Duke shpresuar në mirëkuptimin Tuaj, për zgjidhjen e drejtë dhe ligjore të çështjes, e shohim të arsyeshme të na bëni të mundur edhe një takim me përfaqësues të Komitetit Drejtues të Shoqatës “Lidhja Kombëtare e Ushtarakëve Atdhetarë të Shqipërisë”, me Ju z. Kryeministër; sepse në statusin dhe programin e kësaj shoqate janë të parashikuara edhe përdorimi “i peshës së votës” vetëm në favor të forcës politike që zbaton statusin e ushtarakut..

Në të kundërtën, Ne, mijëra ushtarakët e diskriminuar, në rast të mos zbatimit të statusit, do të kërkojmë shkarkimin dhe ndjekjen penale të personave përgjegjës për shkak të moszbatimit të statusit të ushtarakut dhe shpërdorim detyre; si dhe do të përdorim të gjitha mjetet demokratike, që nga protestat, grevat dhe mosbindjen civile, deri sa të filloj zbatimi i statusit nen për nen, lidhur me të drejtat e gjithë ushtarakëve aktivë, në rezervë, në lirim dhe në pension të plotë pleqërie.

Me konsideratë,

Komiteti Drejtues i Shoqatës “Lidhja Kombëtare e Ushtarakëve Atdhetarë të Shqipërisë”