Lavdosh Ferruni: Inceneratorët, skenar për vjedhje nga pushtetarët

655
Sigal

Ideja  për të dhënë koncesione për ndërtim incineratorësh në Shqipëri duket të jetë shfaqur menjëherë pak muaj pas zgjedhjeve të vitit 2013, padyshim ideja është konsultuar fillimisht me Edi Ramën. Një propozim, për përpirje të  plehrave, shëmtuar shfaqur kudo  nëpër atdhe, prej  djegësve të plehrave në më shumë se gjysmën e territorit të vendit, madje djegësa që prodhojnë edhe energji elektrike, edhe pse me kosto dukshëm të lartë  ka marrë lehtësisht një OK prej Edi Ramës, kryeministër dhe piktor. Dhe ky është opsioni i naivitetit kryeministror. Ky opsion tashmë nuk ekziston  më. Mjafton një vështrim serioz i procesit ligjor për incrneratorët dhe arrin menjëherë në konkluzionin se qëndron vetëm opsioni i një skenari vjedhje banale. Pse skenar banal?

Së pari, vlen të sqarohet termi incenerator. Enciklopedia Britanike e përcakton inceneratorin si një impiant të projektuar për djegie në shkallë të gjerë të mbetjeve dhe ku si pajisje ndihmëse mund të përfshihet (shënimi im: mundet jo) edhe kaldaja me avull për të përdorur nxehtësinë e mbetjeve për të gjeneruar elektricitet ose për të ngrohur ndërtesat aty pranë. Ndërtimi dhe funksionimi i një inceneratori është një sipërmarrje e sofistikuar nga ana teknike, shumë e rrezikshme për nga ndotja që gjeneron dhe shumë e kushtueshme. Shqipëria nuk ka asnjë ekspert teknik të vetëm për inceneratorët ( ndryshe nga çka me qindra, për shembull, për hidrocentralet). Shqipëria nuk mund të përballoj ndotjen e inceneratorit që është një nga 23 industritë më ndotëse në planet, ku bëjnë pjesë dhe centralet bërthamore, rafineritë e naftës etj.) Shqipëria është shumë e varfër për të financuar kostot disa  herë më të larta të trajtimit të mbetjeve me incenerator, krahasuar me trajtimin me landfill e me ricklim të mbetjeve.

Vendimmarrja i injoroi me dashje të gjithë këta faktorë pengues dhe i hyri ” me kokë” rrugës së spekulimeve ligjore. Injorohet ligji i menaxhimit të integruar të mbetjeve (Nr.10 463, datë 22.9.2011) , injorohet  VKM (nr. 178, datë 6.3.2012) Për incenerimin e mbetjeve; injorohet VKM (nr.452, datë datë 11.7.2012) Për landfillet e shumë akte ligjore, që nëse do zbatoheshin do ta përjashtonin mundësinë e ndërtimit të inceneratorit. Por hajduti legal deri tash ja ka dalë të ndërtoj një incenerator dhe ti hap rrugën 2 të tjerëve. Spekulimi brilant është trajtimi i inceneratorëve jo si trajtues të mbetjeve, por si prodhues i vogël energjie, si HEC i vogël, apo panel fotovoltaik nën 2 MW, duke nënshkruar kontratën koncesionare me referencë ligjore ligjin nr. 43/2015 (neni 49), “Për sektorin e energjisë elektrike”, dhe si për ironi në vendim nr. 907, datë 17.12.2014 për dhënien e miratimit për sigurimin e financimit të nevojshëm të kontratës së koncesionit (pika 7) shkruhet:

Koncesionari “është i interesuar të investojë në ndërtimin e inceneratorit të përpunimit të mbetjeve urbane në qytetin e Elbasanit me qëllim prodhimin e energjisë elektrike dhe rritjen e sigurisë të furnizimit me energji elektrike të zonës.”  Fakti është se promovimi si rast suksesi i inceneratorit të Elbasanit ka rezultuar thjesht një dështim. Po bëhen 2 vjet dhe inceneratori i Elbasanit nuk ka shitur asnjë KW energji elektrike dhe nuk ka një kontratë shitblerje me OSHEE. Në fakt ai nuk mund të prodhoj energji elektrike, pasi mbetjet organike janë me fuqi të ulët kalorifike dhe nuk mund të digjen. Plastikat kush të mund, përfshi dhe vetë kompaninë e incenerimit i grumbullojnë dhe i shesin  për riciklim.  Sapo filloi ndërtimi i inceneratorit të Elbasanit miratohet me shpejtësi koncesioni për Incenerator të Fierit, përsëri një kontratë që bazë ligjore ka VKM (Nr. 822, datë 7.10.2015) ku  inceneratori, tash 2 herë  më i madh se i Elbasanit , me kapacitet 200 ton mbetje në ditë konsiderohet si burim energjie nën 2 MW. Në këtë VKM nuk ekzistojnë termat; “mbetje”, ” impiant mbetjesh”,” incenerator” “përpunim mbetjesh”, “landfill”. Paralelelisht me procedurat në vijim për inceneratorin e Fierit në 21 Korrik 2016,  në ditën e rëndësishme të miratimit të ligjit për reformën në drejtësi u miratuan edhe amendimet që rifusnin në ligj lejimin e importit të mbetjeve. Organizata AKIP protestoi atë ditë me një baner të madh ku shkruhej “Po Reformës në Drejtësi – Jo importit të Plehrave në Shqipëri”. AKIP organizoi një protestë të madhe të shoqërisë civile  dhe Presidenti i Republikës nuk e dekretoi ligjin e miratuar më dt 21 Korrik, dhe sapo krijohet Qeveria e re në Shtator 2017 bie ligji i importit të plehrave në Kuvend. Duhet theksuar se gjatë gjithë periudhës 1 vjeçare që ligji ishte pezull pati kohë të evidentohej që importi i mbetjeve lejonte dhe djegien e mbetjeve për krijim energjie, pra import për incenerim.

Në 2016 miratohet koncesioni për incenerator të Fierit. Sapo bëhet e njohur fillojnë protestat. Vendimmarrësit me ndihmën dhe të kryetarit të Bashkisë Fier, pikërisht më 28 Dhjetor 2016 bëjnë në fshehtësi një veprim të pastër antiligjor, duke kthyer një tokë bujqësore pjellore kategoria e III në truall për inceneratorin.  Tashmë që ishte miratuar reforma territoriale do duhej që respektoheshin një set tjetër rregullash, ku bazë do ishte ligji i menaxhimit të integruar të mbetjeve , por në thelb nuk ndodh kështu.  Në muajin e fushës elektorale 2017 ministri i Mjedisit miraton “deklaratën mjedisore”, ku jo çuditërisht shkruan se arsyet ku është mbështetur propozimi i vendimi i tij janë; shpallja fitues i koncesionit nga vetë ministria, që ai drejton, dhe vendimi i shpronësimit të tokës bujqësore. Një personi, që kundërshtohet nga komuniteti si pronar i ligjshëm i kësaj toke ju dhanë rreth 500,000 Euro nga buxheti i Shtetit. Mbi bazën e kësaj deklarate Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar lejen e ndërtimit në Tetor 2017. Realisht leja e shkruar është në koordinata të tjera dhe po ndërtohet në koordinata të tjera. Aty ku po ndërtohet nuk mund të ndërtohet për shkak se ujërat nëntokësorë janë vetëm 0.5 m nën nivelin sipërfaqësor. Si për koincidencë Kryeministri në fillim të javës postoi në videon e mëngjesit gropat e mbushura me ujë tek rrethimi i inceneratorit në Verri.  Një vend i mirë për të hedhur rasat peshku, tha një banor. Vend më i mirë për zhaba, tha një tjetër.