Kush fshihet pas kompanisë që iu fal Plazhi i Gjeneralit?

721
Sigal

 

Teksa kompania do të ndërtojë vila dhe do t’i shesë ato për llogari të saj, shteti ka marrë përsipër t’i ndërtojë asaj të gjithë infrastrukturën rrugore, ujësjellësin, impiantin e ujërave të zeza si dhe nënstacionin e energjisë elektrike, me paratë e taksapaguesve shqiptarë.

 

Një oligark i ri i është shtuar listës që dominon prej kohësh marrëdhëniet perfide të qeverisë me disa biznesmenë, të pasuruar me shpejtësi marramendëse përmes kontratave publike, pra me paratë e taksapaguesve. Shoqëria “Shijaku shpk”, një kompani e panjohur për publikun deri pak kohë më parë, kur emri i saj u shfaq në lidhje me kompaninë famëkeqe ARMO, u shpall investitor strategjik nga qeveria, duke përfituar 635 mijë metër katrorë tokë publike, praktikisht të gjithë atë që njihet si Plazhi i Gjeneralit.

Më saktë, kompania fituese quhet “Mediterranean Wave”, e krijuar vetëm vitin e kaluar, e cila zotërohet 100% nga “Shijaku shpk”. Vetë “Shijaku shpk” është në pronësi të Shpëtim, Bilal dhe Petrit Shijakut, me zyra qëndrore në rrugën Fushë Krujë – Vorë.

Relacioni për këtë vendim tregon se toka do të shndërrohet në një resort turistik, ku kjo kompani do të investojë 50 mln euro. Por vetë toka që shteti do t’ia falë vlerësohet mbi 60 milionë euro.

Në dokument thuhet se resorti do të ketë në përbërje hotele, vila (fshat turistik), shërbime të hotelerisë, parqe, hapësira për aktivitete dhe sistemime të vijës bregdetare.

Kompania ka marrë statusin e investitorit strategjik dhe përmes tij, qeveria i ka dhënë asaj edhe të drejtën ekskluzive të shfrytëzimit të plazhit ranor për 30 vjet.

Teksa kompania do të ndërtojë vila dhe do t’i shesë ato për llogari të saj, shteti ka marrë përsipër t’i ndërtojë asaj të gjithë infrastrukturën rrugore, ujësjellësin, impiantin e ujërave të zeza si dhe nënstacionin e energjisë elektrike, me paratë e taksapaguesve shqiptarë.

“Mediterranean Wave”, një kompani anonime

“Mediterranean Wave” tregon se nuk kemi të bëjmë me një kompani të testuar në treg. Të dhënat e gjetura në Open Corporates Albania tregojnë se ajo është themeluar korrikun e shkuar, pra më pak se 1 vit.

Pa shumë informacione për të, “Mediterrean” administrohet nga Florjan Almadhi dhe me qëllim projektimin, ndërtimin dhe shfrytëzimin e një resorti turistik”. Pra, kompania është krijuar posaçërisht për të ndërtuar resortin për të cilin qeveria i dha tokën falas.

Ajo zotërohet tërësisht nga “Shijaku shpk”, një kompani, pas të cilës fshihen edhe koncesione të tjera të dhëna nga qeveria Rama.

Florjan Almadhi ka qenë drejtor i Kadastrës së Vlorës, por dha dorëheqjen në shtatorin e 2019-ës, pas pak muajsh në detyrë, në mesin e skandalit të zëvendësimit të afro 10 drejtorëve të kësaj zyre. Bashkë me të asokohe u largua edhe nëndrejtori.

Të tjeta detaje…

Gjatë vitit 2020, shoqëria me në krye Shpëtim Shijakun ka përfituar 136. 716 m2 truall në vendkomandën Qëndrore të Forcave të Armatosura të Ushtrisë, në Sauk të Tiranës, për 20 vite.

* • Përfitues nga VKM Nr. 957, datë 01.07.2020, i pasurive shtetërore, me vendndodhje në fshatin Sauk, Tiranë, në ZK 3266 dhe në ZK 2954, prona nr. 184, me numër pasurie 287/1, me sipërfaqe totale 27 000 m2 , sipërfaqe ndërtimore 864.1 m2 , me emërtimin “Vendkomanda Qendrore”, prona nr. 186, me numër pasurie 283/24 dhe 133/328, me sipërfaqe totale 49 900.85 m2 , sipërfaqe ndërtimore 545 m2 , me emërtimin “Ish- reparti ushtarak nr. 3042, Qendër Stërvitore”, prona nr. 188, me numër pasurie 283/20, me sipërfaqe 25 881 m2 , sipërfaqe ndërtimore 303 m2 , me emërtimin “Bateri PZ” dhe prona nr. 1300, me numër pasurie 283/22, 133/326, me sipërfaqe 33 934.15 m2 , sipërfaqe ndërtimore 226 m2 , me emërtimin “Ish-reparti ushtarak nr. 3042, Qendër Stërvitore”, me sipërfaqe të përgjithshme 136 716 m2 truall, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Kulturës, për një periudhë 20 (njëzet) vjet (1 euro).

Më vonë, Shijaku bashkë më ortakët në shoqërinë Koka&Ergi Energy shpk, përfituan si PPP, ndërtimin, operimin dhe transferimin e hidrocentralit “Peshk” në zonën e Bulqizës.

Shijaku shpk, përsëri me kompaninë Koka fituan të drejtën e ndërtimit të hidrocentralit “Stavec” në Krastë.

Në fillim të vitit 2022, kompania e Shpëtim Shijakut, bleu rafinerinë e naftës në Ballsh, me qëllim çmontimin dhe shkrirjen e saj për hekur skrap dhe më vonë për ta zëvendësuar atë me një park fotovoltaik për energji.

Kompania ka kontrata edhe për demontim armësh.

Plazhi i Gjeneralit, një investim për kompaninë apo shtetin?

Në ligjin e investitorëve strategjikë përcaktohet se investimi që është projektuar duhet të luajë rol në tërheqjen e turizmit të huaj dhe rritjen e arkëtimeve nga ky sektor për në buxhetin e shtetit.

Se si do të rritet buxheti i shtetit kur “Mediterranean” vetëm do të ndërtojë vila dhe do t’i shesë ato, kjo është e pakuptueshme.

Pamje nga Plazhi i Gjeneralit

Sot të gjithë bizneset e ndërtimit do të duhet të ndihen të tradhëtuar. Për ndërtimin e resorteve ata i kanë blerë tokat në bregdet, ndërsa “Mediterranean” e “Shijakut” i merr 635 mijë m2 tokë falas.

Oligarkët e njohur deri, edhe në rastet kur kanë marrë koncesione në bregdet, do t’i lënë diçka shtetit. “Kastrati Group” që do të ndërtojë portin e Limionit në Sarandë do t’ia lërë atë shtetit pas 35 vjetësh. Edhe kompania e Geront Çelës që do të ndërtojë portin e Vlorës, Dulaku apo Mohammed Alabbar që do të ndërtojë portin turistik të Durrësit do t’i japin një pjesë shtetit.

Në rastin e koncesionit të Plazhit të Gjeneralit shteti nuk do të përfitojë asgjë pas mbarimit të kontratës. Kjo, pasi kompia do të ndërtojë vila dhe do t’i shesë ato, ndërsa plazhin pas administrimit për 30 vjet do ta lërë siç ishte, pa investime. Investimet në infratrukturë, siç e shpjeguam më lart, do të bëhen nga shteti, të gjitha.