Kufitarët që ranë dëshmorë në bjeshkët e Tropojës

1334
Sigal

(Me rastin e 60 kufitarëve që ranë në krye të detyrës në Tropojë, në dhjetor 1968)

Nga Gëzim Prengzi

Në mbrojtje të kufirit shtetëror në vitet 1945-1990 kanë dhënë jetën mjaft ushtarakë e kufitarë duke mbetur në altarin e nderit për t’u nderuar e respektuar nga brezat tanë si njerëz që detyrën për mbrojtjen e atdheut e vulosën me aktin sublim, atë të dhënies së jetës në moshën e re në krye të detyrës. Të tillë janë pesë kufitarët-dëshmorë që ranë në krye të detyrës në bjeshkët e Tropojës në mes dhjetorin e vitit 1958. Ata lindën në ditë të ndryshme, ishin nga rrethe të ndryshme, por jetën e dhanë në një ditë në bjeshkët e Tropojës në krye të detyrës mes tufanit e dëborës së tërbuar të dhjetorit. Mbase sot kjo ndodhi e trishtë dikujt i duket si një ngjarje që nuk duhej të ndodhte, ajo duhet vlerësuar si ngjarje që ndodhi sipas organizimit të sektorit ushtarak të kohës me rëndësinë e ligjshmërinë e kohës, ku mbrojtja e atdheut konsiderohej detyrë mbi detyrat. Rënia e këtyre pesë kufitarëve në zbatim të detyrës luftarake përkujtohej çdo 25 prill që ishte si Dita e Forcave të Kufirit deri në vitin 1990, ndërsa pas këtij viti nuk u përkujtua, pasi edhe mbrojtja e kufirit tashmë sipas disave nuk ishte më, jo detyrë mbi detyrat, por u quajt si diçka tabu dhe jashtë kohës. Ndërsa jeta e humbur dhe e pajetuar e pesë kufitarëve sot e gjithmonë duhet nderuar e respektuar. Organi i shtypit ushtarak të kohës duke iu referuar këtyre dëshmorëve mes të tjerash shkruante se,”të pesë kufitarët së bashku plotësonin 100 vite”…

2…”N’Dobërdol ka mrri furtuna,

 Seç na i mori këta pesë burra,

S’ishin burra,po djem të ri,

Ka njëzet (vjet),kurrnja përmbi,

 Nëntogeri njëzet e dy…”

Këto janë disa vargje nga kënga e “Mjeshtres së Madhe” Fatime Sokoli dedikuar pesë dëshmorëve të kufirit me titull “Pesë ushtarëve”, ndoshta nga interpretimet e para të saj. Një tjetër emër i madh i poezisë shqipe Dritëro Agolli, me 1960 do u kushtonte poezinë “Dhjetë sy”. Këto përjetësime do ta shoqërojnë lavdinë e këtyre Dëshmorëve në këtë përkujtim pas 60 viteve të rënies në krye të detyrës.

“Kush tha se iku koha e baladës?

Koha e baladës nuk humbi,

Trego baladë njerëzit që shkuan,

Mes erës zemërake, zhurmëplumbi”.

Në postën kufitare të Lumit të Gashit në rrethin e Tropojës, në një ditë mesdhjetori 1958, në ditarin e kufitarit shkruhej: “Dje dëbora e bjeshkëve gëlltiti pesë kufitarë që ishin nisur të zinin Qafën e Ali Çelës ku mund të kalonin shkelësit e kufirit. Ata ishin:

-Ilmi Alimani (Durrës

-Gani Domi (Tiranë)

-Hasan Qylafi (Tiranë)

-Isuf Dervishi (Elbasan)

-Bardhok Jaku (Pukë)

Posta kufitare e Lumit te Gashit ne bjeshkët e Tropojës ka qenë një nga objektet ushtarake më të izoluara, sidomos gjatë stinës së dimrit, pasi sektori që mbulonte ishte në lartësi mbi 2000 m mbi nivelin e detit dhe postat e tjera ishin larg për të komunikuar me njëra-tjetrën, si dhe terreni i thyer e dimrat e ashpër e me trashësi dëborë të madhe e vështirësonin mjaft efektivin në kryerjen e detyrës. Në fillim të dhjetorit 1958, Bardhok Jaku nga Gojani i Pukës mbaron shkollën si oficer kufiri dhe emërohet komandant i postës kufitare të Lumit të Gashit Tropojë. Ushtaraku i ri dhe pasionant niset rrugës këmbësore nëpër fshatin Bradoshnicë, i cili as sot nuk është i lidhur me rrugë automobilistike për të shkuar tek posta. I lodhur nga rruga nëpër terren malor ndalet tek një shtëpi në fshatin e lartpërmendur. I zoti i shtëpisë duke e respektuar ushtarakun siç e kanë zakon malësorët e ushqen me bukë dhe gjatë bisedës e pyet: Prej kah të kemi o djalosh? -Mirditor jam por banoj në Gojan të Pukës -i përgjigjet. Qofsh shendosh e te ectë mbarë puna – i thotë,e vazhdon: Unë jam banor i këtij vendi dhe ia di mirë huqet kësaj zone, dhe po të këshilloj diçka. Duhet me pas kujdes gjatë dimrit – thotë – se këto bjeshkë janë të zbuluara, pa bimësi,e bora e furtuna këtu ta marrin frymën, -Faleminderit për këshillat – i thotë oficeri – e ta ndjefsha të mirën Bacë! -e niset drejt detyrës si komandant i postës… Por,vetëm dy javë dhe…detyra luftarake do i bënte “kufitarë të përjetshëm” – siç shkruan Dritëroi…

4…14 dhjetor 1958. Ndërsa binte shi i përzier me borë, ushtarët po lanin rrobat në lumin e Gashit, në zyrën e oficerit të rojës bie telefoni. Komandantit Gjokë Jaku i vjen urdhri luftarak për të zënë Qafën e Ali Çelës ku pritej të kalonin shkelësit e kufirit. Mbledh efektivin dhe bashkë me katër ushtarët e lartpërmendur nisen drejt detyrës pesë kufitarë…

“…Këtu shtypnin dëborën dhjetë këmbë,

Këtu shikonin bjeshkët dhjetë sy,

Këtu lundronin pesë gjokse shkëmbi,

Përmes furtune,dëborë e stuhi”. (“Dhjetë sy”, Dritëro Agolli)

E kështu njësiti prej pesë vetash niset shpatit përpjetë,ndërsa lartësia rritej drejt bjeshkës së Përbujit, aq më shumë shtoheshin reshjet e dëborës dhe ecja e kufitarëve vështirësohej. Në ngjitje e sipër bie kufitari i parë duke mos e përballuar më tej rrugën e mundimshme…

“I pari ra, nga kosa e furtunës,

Përmbi qerpikë iu shkrinë flokë bore,

Shikoi mes ëndrrës nënën pranë Bunës,

Borigat dhe tokën prindërore”…

Shokët e marrin shokun e pajetë në krah dhe vazhdojnë rrugën drejt detyrës,por Shokët me shokun e pajetë në krah vazhdojnë rrugën drejt detyrës, ndërsa moti sa vinte e përkeqësohej. Trashësia e dëborës, era e fortë dhe nata e zezë dimërore u mori jetën një nga një të gjithëve, por asnjëri nuk iu nda detyrës derisa dhanë jetën të pesë tek tentonin të mbërrinin të zinin Qafën e Ali Çelës…

“Dhe mbetën të pesë nëpër bjeshkë,

S’i ndër përralla gur u bënë,

Përmbi fytyrat nxirë si eshkë,

Dëbora virgjëreshë u ka rënë”

Të gjithë u mbuluan nga dëbora e trashë dhe u deshën disa ditë të gjendeshin. Pasi u gjetën trupat e tyre të bërë kallkan nga ushtria dhe populli i Tropojës ata u përcollën me nderimet më të mëdha për në familjet e tyre. Këta dëshmorë i kujtojmë me respekt sot pas 60 vitesh. U kujtofshin e u nderofshin në përjetësi këta bij që ranë në krye të detyrës…Dhe Dritëroi e mbyll kështu poemën në përjetësim të tyre:

Këtu dëborë e maleve të lartë,

E flakur nga tufani i tërbuar,

I mbylli dhjetë sy të zes, të kaltër,

I mbylli dhjetë sy të dashuruar”.