Kryebashkiaku i Pukës ‘harron’ premtimet, 2200 banorë pa Qendër Shëndetësore

762
Sigal

Një nga premtimet e Kryetarit  Bashkisë Pukë, Gjon Gjonaj ka qenë edhe rikonstruksioni i Qendrës Shëndetësore, ku marrin shërbimin shëndetësor 2200 persona.

Ky premtim ka mbetur vetëm në letër pasi qendra shëndetësore është një godine e braktisur dhe e mbuluar me ferra.

Në këto kushte mjekët dhe infermierët janë zhvendosur në Njësinë Administrative Luf –Qerret ku i ofrojnë shërbim banorëve mes mykut dhe lagështisë.

Mjeku: Kjo është Njësia Administrative, për momentin na ka liruar disa dhoma që të bëhet shërbimi shëndetësor në këtë objekt. Luf Qerreti ka 2220 banorë, që janë të gjithë të regjistruar. Ka lagështirë është  jashtë kushteve, por në këto kushte ne jemi munduar ta ofrojmë shërbimin. Në bëjmë këtu injeksione dhe mjekime të lehta. 

Në lidhje me këtë premtim të pambajtur gazetarja e BOOM ka tentuar të takojë Kryetarin, por në mungesë të tij një përfaqësues i Bashkisë sqaroi se mungojnë  fondet.

Punonjësi i Bashkisë: Mesa informacion kam, po pra është brenda njësisë.

Gazetarja: Nuk e di nëse e keni parë por është në kushte të tmerrshme.

Punonjësi i Bashkisë: Është bërë dy herë aplikimi. Kemi bërë projektin total për rikonstruksion. Si vështirësi është e njohur.

Gazetarja: Unë po shikoja tek premtimet që ka bërë në fushatë kryetari i bashkisë dhe mes të tjera është që do të ndërtohen dhe rikonstruktohen objektet shëndetësore në territorin e bashkisë, çka përfshin edhe atë.

Punonjësi i Bashkisë: Realisht bashkia e Pukës nuk ka fonde për të bërë rikonstruksionin ose për të financuar në asnjë objekt. Besoj se këtë do të komunikojë edhe kryetari. Me fondet e bashkisë nuk mund të bëhet asnjë investim.

Premtimet e mbetura në letër  kanë krijuar një nga situatat më te çuditshme pasi  në të njëjtin vend që lëshohet një dokument zyrtar, të sëmurët  mund të kryejnë injeksionet dhe të marrin shërbimin e urgjencës.