Kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë/ Enio Jaçe: Çmimet e larta, shkak i politikave të cunguara, bordi i qeverisë lë premisa të gabuara për lirinë e tregut

240
Sigal

Kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaçe, përmes një postimi në rrjetet sociale e konsideron një mekanizëm të pazakontë Bordin e Transparencës për mbikqyrjen e çmimeve, në funksionimin e rregullave të tregut të lirë.

Postimi nga Enio Jaçe: Së fundmi, qeveria ka ngritur Bordin e Transparencës për mbikqyrjen e çmimeve, një mekanizëm i pazakontë (jo në raste krizash) në funksionimin e rregullave të tregut të lirë.

Çmimi i karburantit në Shqipëri ka qenë gjithmonë i lartë. Në fakt, Shqipëria radhitet ndër vendet më të larta në botë për çmimin e karburanteve në raport me të ardhurat mesatare. Shkak i kësaj situate kanë qenë politikat e cunguara mbi rregullat e tregut të lirë, funksionimin e çmimeve dhe sistemin e taksave etj.

Pikërisht në këtë moment, duhet vlerësuar niveli i konkurreshmërisë së tregut – nëse çmimet jane më të lartat në botë për të ardhura popullsië atëherë diçka nuk shkon me nivelin e konkurrencës. Taksat mund të adresohen me politika të përkohshme lehtësuese ndërsa konkurrenca duhet të rritet ndjeshëm në mënyrë që të prevalojnë presionet mbi uljen e çmimeve.

Por menaxhimi i çmimeve është detyrë e sektorit privat dhe jo e qeverisë. Qeveria do e ketë të pamundur t’i menaxhojë suksesshëm këtë proces, sepse është tepër kompleks dhe nuk i ka mjetet e duhura për ta bërë. Koha dhe historia globale ka treguar që vetëm tregu i lirë dhe konkurrent krijon çmimet më të mira për konsumatorin. Qeveria mund të përmirësojë kushtet për funksionimin e duhur të tregut, por ndërhyrja në rregullimin e çmimeve lë vend për arbitraritet, dhe krijon premisa të gabuara për lirinë e tregut.