Sigal

Denoncon Kryesindikalisti i Policisë së Shtetit Sadedin Fishta: Pronat e dhëna për sindikatat në qytete, bregdet, zona turistike etj., u tjetërsuan dhe u grabitën nga krerët e sindikatave. Do kallëzojmë në prokurori masakrën me pasurinë e popullit, konfiskimin dhe ndëshkimin e hajdutëve. Emërimet politike, largimet partiake dhe mohimi i të drejtave

Jakup B. GJOÇA

Seladin Fishta, Kryetari i Sindikatës të Punonjësve të Policisë së Shtetit në intervistën për gazetën “Telegraf” pohon se krerët e sindikatave në Shqipëri kanë tjetërsuar dhe shitur pronat e sindikatave, të cilat sot janë më shumë se 3 miliardë euro, ndërkohë që prokuroria nuk vepron të hetojë. Zoti Fishta pohon se në Policinë e Shtetit bëhen emërime politike dhe punësohen njerëz që nuk duhet të jenë në Polici, ndërkohë që zbohen nga policia policë në kundërshtim me ligjin. Ministria e Brendshme tjetërson edhe fondet dhe nuk u jep punonjësve të Policisë së Shtetit ato që u jep ligji.

– Zoti Fishta, cilat janë problemet e punonjësve të Policisë së Shtetit?

– Problemet që kanë sot punonjësit e Policisë së Shtetit janë ato çështje që kanë të bëjnë me moszbatimin e ligjit, me kompensimet që u takojnë policëve, sipas ligjit. Ka me dhjetëra të drejta që u jep ligji, dhe punonjësit e policisë së Shtetit e që ua mohojnë drejtuesit. Dhjetëra punonjësve të Policisë iu hoq grada e e kryeinspektorit, që në 2015-n. U pa që ishte gabim ky urdhër, u korrigjua me ndryshim ligji. Megjithëse ligji e parashikon që këto grada të reja t’u jepen mbi 2.500 punonjësve të policisë, akoma nuk u është dhënë realisht deri sot, sepse grada duhet të njësohet edhe me pagën, do të kishte edhe shtesë page, (ka që në 2014-n, që nuk ka rritje page në Policinë e Shtetit). Tjetër problem madhor për punonjësit e policisë është shpërblimi i orëve të punës, që qeveria e ka nxjerrë që në 2017-n, por deri më sot, ky vendim nuk është zbatuar. Problem akoma edhe më i madh është edhe mosrregjistrimi dhe mos evidentimi i orëve të tepërta të punës që bëjnë punonjësit e policisë së Shtetit, sepse drejtuesit ushtrojnë presion ndaj punonjësve, që të mos kërkojnë shtesë orë pune. Të gjitha këto shqetësime ne i kemi bërë problem tek drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit. Fakt është që asnjë nga këto probleme të punonjësve të policisë së Shtetit, që ju përmenda nuk kanë gjetur zgjidhje, sepse nuk është drejtori i Përgjithshëm, që mund t’u japë zgjidhje këtyre problemeve. Na thonë, se ka mungesë fondesh, që jep Ministria e Financës, që bën shkurtime herë pas here të fondit të Ministrisë së Brendshme, për arsye që i di vetëm qeveria. Kemi policë që kanë 3 vjet që nuk marrin uniforma, por e blejnë vetë uniformën. Kur ne e bëjmë problem, drejtuesit na thonë: “Nuk kemi fonde”.

– Në buxhetin e shtetit për Policinë e Shtetit a planifikohen këto detyrime financiare që ka shteti ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit?

– Natyrisht, këto planifikohen të gjitha në buxhetin e shtetit për vitin pasardhës. Por, këto planifikime të buxhetit të shtetit për financimet e punonjësve të policisë së Shtetit mbeten rrugës, sepse ministrisë së Brendshme i dalin probleme, që ajo i quan më madhore, ngushton fondet për financimin e detyrimeve për punonjësit dhe këto fonde përdoren për qëllime të tjera. Tjetër problem, është se me ligj punonjësve të policisë u takon një vakt ushqimi në ditë, por sot vendimi i qeverisë ka dalë në mënyrë selektive.

-Ju si e shpjegoni që qysh nga 2014-ta nuk ka rritje page të punonjësve të Policisë së Shtetit, edhe pse kryeministri Rama ka deklaruar 2 herë, se u bë rritje page e konsiderueshme?

– Kryeministri Rama dhe 2 ministrat e Brendshëm premtuan 2 herë që do rritin pagat, madje deri në 50 %, por veç 1 herë në 2015-n, që u rritën 15 % pagat disa punonjësve, jo të gjithëve. Përkundrazi, ka pasur lëvizje të pagave brenda strukturave ekzistuese të Policisë së Shtetit, ku një pjese të policisë iu rrit paga për natyrë të veçantë pune, dhe, njëkohësisht, kjo përqindje iu hoq një kategorie tjetër të strukturave të policisë së Shtetit. Nuk kemi asnjëherë shtesë reale të pagës, siç ka premtuar kryeministri.

– Cila është përplasja e sindikatës me drejtuesit e Policisë së Shtetit?

– Përplasja më e madhe, që kemi pasur si sindikatë është për nënshkrimin e kontratës kolektive të punës. Problemi është se drejtorët e Policisë së Shtetit duan ta pengojnë nënshkrimin e kontratës kolektive të punës me punonjësit e policisë së Shtetit. Kjo sepse ministri i Brendshëm e shikon sindikatën si pengesë për të vendosur mbi Policinë e Shtetit autoritetin totalitar dhe të kishte dorë të lirë në emërimet dhe shkarkimet e drejtuesve të Policisë së Shtetit, pa asnjë kriter ligjor, por thjesht, mbi preferenca dhe interesa personale. Në kontratën e punës kolektive është e shkruar në mënyrë taksative, që çdo emërim i ri, çdo largim i kujtdo drejtuesi të Policisë së Shtetit, duhet detyrimisht, që të merret mendim edhe i sindikatës të punonjësve të Policisë së Shtetit. Deri tani nuk kemi vullnet nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit që të zbatohet ligji për kontratën kolektive të punës, për largimet nga puna dhe marrjen në punë të punonjësve të rinj. Sot janë mbi 500 punonjës policie që janë larguar nga Policia e Shtetit nga viti 2014, që kanë fituar gjyqet, që kanë marrë dëmshpërblimet për shkak të largimeve të paligjshme nga puna, ndërprerje të paligjshme të kontratës të punonjësve të Policisë së Shtetit nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, kështu është cilësuar në vendimet e gjykatës. Pra, të gjitha motivacionet e largimeve nga puna të punonjësve të Policisë së Shtetit kanë qenë në kundërshtim me ligjin.

– Largimet nga puna të punonjësve të Policisë së Shtetit nga 2014-a janë bërë për motive partiake, politike?

– Largimet nga puna të punonjësve të Policisë së Shtetit janë bërë në mënyrën më të keqe të mundshme.

– Çfarë bëhet me vetingun në radhët e Policisë së Shtetit?

– Zvarritet vetingu në Policinë e Shtetit, siç zvarriten të gjitha problemet e tjera. Arsyet e kësaj zvarritjeje i di më mirë qeveria. Komisionet e vetingut akoma nuk janë ngritur.

– A bëhen emërime në Policinë e Shtetit me kritere partiake?

– Derisa në Policinë e Shtetit emërohen persona në kundërshtim me ligjin, duke u dhënë edhe poste të larta drejtuese, do të thotë që ato janë emërime partiake.

– Ju si sindikatë i keni evidentuar këto emërime partiake në Policinë e Shtetit?

– Këto emërime janë me dhjetëra, i kemi të evidentuara, por fakt është që në Ministri ka një strukturë kontrolluese, e cila është inaktive, nuk po vepron. Është struktura e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm që ka Ministria e Brendshme. Kjo strukturë duhet të veprojë pas çdo ankese që bëhet, qoftë të individit, qoftë të sindikatës. Fakti që në gjykata janë depozituar qindra padi kundër vendimeve të Policisë së Shtetit, ky shërbim i veçantë kontrolli i Ministrisë së Brendshme është zero, edhe pse shtetit i kushton miliona euro dëmshpërblime për vendime joligjore të drejtuesve të Policisë së Shtetit.

– Si vepron SHKB-së të Ministrisë së Brendshme? Sipas ligjit apo urdhrit të titullarit të Institucionit shtetëror?

– Deri tani ne nuk shikojmë që SHKB-ja e ministrisë së Brendshme të veprojë sipas ligjit.

– Kur emërohet ministri i Brendshëm edhe i së njëjtës qeveri, ndryshimet e bëra në piramidën e Policisë së Shtetit, përse bëhen? T’i përshtatet shijes së ministrit të ri të Brendshëm?

– Nëse bëjmë një nga një analizën e çdo emërimi të ri, me kriteret e ligjit, do t’ju them që gati shumica e emërimeve dalin zbuluar ndaj ligjit.

– Cila është gjendja e sindikalizmit në Shqipëri?

– Sindikalizmi në Shqipëri, fatkeqësisht, ka vdekur. Kanë mbetur kufoma të pakallur vetëm kryetarët e pseudosindikatave. Ne jemi sindikatë e pavarur dhe nuk aderojmë në asnjë sindikatë, apo konfederatë sindikate. Është e vështirë që sindikalizmi në Shqipëri të ketë një çati të përbashkët, sepse kanë pretendime të ndryshme. Konfederata e Sindikatave dhe Sindikatat e Pavarura kanë “hall” vetëm menaxhimin e pronave që kanë marrë që nga 1992. Deri sot, pronat e këtyre sindikatave, janë keqpërdorur, sepse deri tani konceptohen dhe trajtohen, si prona të kryetarëve të këtyre 2 sindikatave dhe nuk trajtohen si prona të përbashkëta të punonjësve. Këto 2 sindikata janë sindikata të letrave, që nuk kanë asnjë anëtar, asnjë aktivitet sindikalist. Pronat e dhënë nga ligji për sindikatat shfrytëzohen nga kryetarët e atyre sindikatave, për interesat e tyre personale, shfrytëzohen nga “biznesmenë” që i kanë marrë këto prona dhe bëjnë çfarë të mundin, që këto prona t’i tjetërsojnë, siç edhe kanë tjetërsuar shumë prona të sindikatave, duke nxjerrë fatura fiktive, nëpërmjet gjoja investimeve që kanë bërë. Kryetarët e këtyre 2 sindikatave i kanë tjetërsuar këto prona, duke ua dhënë personave, duke ndryshuar edhe destinacionin e këtyre pronave të sindikatave. Më e keqja është, se as nga organet e prokurorisë nuk ka asnjë përpjekje që të hetohen rastet e vjedhjes dhe tjetërsimit të pronave të sindikatave.

– Keni fakte konkrete?

– Ku janë pronat e sindikatës të punonjësve civilë të Rendit, të SHISH-it dhe të Ministrisë së Mbrojtjes? Mori në 1992 Kampin e Pionierëve në Dajt, mori pjesë nga Kampi i Punëtorëve në Durrës, në Divjakë mori Kampin e Punëtorëve. Sot ka vetëm një kryetar sindikate, pa asnjë anëtar, dhe nuk ka asnjë informacion kush i trajton këto prona, ku shkojnë fitimet?

 

 Krerët e sindikatave shitën dhe tjetërsuan të gjitha pronat e sindikatave

Me një dekret të ish-Presidentit të Republikës, Sali Berisha, nr 204, dt 05.05.1992, pasojat e të cilit janë rregulluar më pas me ligjin numër 8340/1 datë 06.05.1992 “Për pasurinë e Sindikatave” kanë kaluar nën administrim të tyre një sërë pronash; si kinema, salla argëtimi, shtëpi pushimi, pallate kulture etj, që sot mendohet të kapin një vlerë rreth 2.3 miliardë euro. Sindikatat në bazë të ligjit kishin të drejtë t’i administronin pasuritë deri në vitin 2020, por jo t’i tjetërsonin, shisnin, pasi nuk ishin prona të tyre në kuptimin e ligjit. Por faktikisht, ndryshe ka ndodhur. Nga informacioni i bërë publik në dhjetor të vitit 2017, qeveria vendosi që në hetimin që po bëhet nën emrin “forca e ligjit” të zbardhet edhe grabitja e pronave të Sindikatave dhe tjetërsimi që i është bërë nga këta të fundit nëpërmjet shitjeve abuzive tek të tretë apo falsifikime dokumentesh.

Sipas burimeve zyrtare të Këshillit të Ministrave, janë gjithsej 125 objekte në gjithë vendin, por vetëm 25 prej tyre janë të regjistruara në ZRPP.

Të dhënat në ZRPP të pronave të sindikatave:

Qarku Tiranë, janë 18 prona, ka info nga ZRPP vetëm për 3 prona.

Qarku Korçë, 17 prona, info nga ZRPP për 12 prona.

Qarku Elbasan, 8 prona ka info ZRPP për 7 prona.

Qarku Berat, 5 prona, ka info ZRPP për 4 prona.

Qarku Fier, 12 prona, info ZRPP për 2 prona.

Qarku Durrës, 10 prona, info ZRPP për 4 prona.

Qarku Kukës, 6 prona, ka info ZRPP për 4 prona.

Qarku Dibër, 5 prona, ka info ZRPP 2 prona.

Qarku Lezhë, 13 prona, ka info ZRPP për 2 prona.

Qarku Shkodër, 8 prona, ka info ZRPP për 2 prona.

Qarku Vlorë, 15 prona, ka info ZRPP për 1 pronë.

Qarku Gjirokastër, 4 prona, ka info ZRPP për 2 prona.

Seladin Fishta pohon se ka të regjistruara të gjitha pronat që kanë marrë sindikatat në pronësi, dhe gazeta “Telegraf” disponon këtë listë të pronave të sindikatave.

Ish-Kampi i Punëtorëve në Dhërmi

Ish-Kampi i Punëtorëve në Dhërmi, ishte i vendosur në më shumë e 17 mijë m2. Në vitin 1992, si të gjitha kampet e tjera, edhe ky kamp, ishte nën inventarizimin e Sindikatave të Shqipërisë. Deri në vitin 1997 ai është administruar nga Sindikata e Transportit Rrugor, por pas këtij viti, ndërtesa e lënë pas dore u degradua deri në banjë publike, dhe në 2014-n u hodh në erë nga INUK pasi ishte kthyer në një problem serioz për zonën.

 Ish-Kampi i Punëtorëve Korçë

Një tjetër pronë, ish-Kampi i Punëtorëve Korçë edhe ky nën administrimin e Sindikatave.

Ish-Pallati i Kulturës “Metalurgu” në Elbasan

Ish-pallati i kulturës “Metalurgu”, ndodhet në qendër të qytetit të Elbasanit. Kjo godinë dykatëshe ka qenë nën inventarizimin e Konfederatës së Sindikatave që në vitin 1992. Sot sipas informacionit të zyrës së hipotekës, kati i parë është në pronësi të një qytetari nga Elbasani, ndërsa kati i dytë është ende nën administrimin e Sindikatës, e cila e ka lënë me qira. Ne kontaktuam me presidentin e sindikatës Rajonale Elbasan Xhevdet Manuku, i cili shit-blerjen e katit të parë e cilësoi të paligjshme. Sipas tij, kryesindikalistët, këto prona i kanë shitur edhe tjetërsuar në kundërshtim të plotë me ligjin.”