Kozma Gjini: Studentët, pse duhet të presin sa të mbushet kupa?!

816
Sigal

Studentët, engjëjt tanë të brishtë, e kryen detyrën e tyre. Me kulturë dhe qytetari. Pa thyer asnjë xham. Pa sharë e fyer askënd. Protesta është një e drejtë qytetare, shprehje e lirisë se fjalës, tregues i shkallës së emancipimit, barometri i një vendi demokratik të civilizuar. Të flasësh apo të heshtësh! Të protestosh apo të rrish në skllavëri!? Kjo është çështja. Studentët dolën në protestë, sepse u mbush kupa. Shihni çfarë u vlon në shpirt dhe çfarë brishtësie u buron prej kraharorit. Një studente në TV u shpreh, se “Studentët u hodhën ne protestë, sepse u mbush kupa!”. Mos pyet sa vjet ka, që ka nisur të mbushet kjo kupë. Sot u mbush kupa? Për një ditë, a për një vit? Çfarë kishte brenda kjo kupë që u derdh? Plot “mbeturina” e prapaskena që mblidhen gur-gur e bëhen bllok i frymëmarrjes, i qarkullimit të gjakut, që ky trup të vdes. Kush mban përgjegjësi për mbushjen dhe kush vuan derdhjen e kupës? Ky është çelësi i situatës e cila agravoi deri në këtë gjendje. Nëpërmjet kësaj shprehjeje, populli kupton faktin se të metat, korrupsioni, nëpërkëmbja e të drejtave njerëzore qytetare, shkelja e mendimit të lirë, padrejtësitë qe gëlojnë nëpër këmbët tona dhe mosshërbimet ndaj qytetarëve, janë kanceri i “minimit” te vlerave demokratike. Kush e çoi deri në këtë prag-varri popullin në këto , që po vritet vëllai me vëllanë? Politika dhe politikanët. Dhe thërrasin që studenti të çojë në gjyq pedagogun i cili kërkon lekë për të kaluar klasën. Po si mund ta bëjë tek e tek një student këtë denoncim, kur pedagogu i ka krahët e ngrohtë nga politika. Sepse ishte politika ajo që e inkurajoi këtë mënyrë qëndrimi e raporti të qytetarit ndaj eprorit. Ishit ju, të veshurit me pushtet, që me praktika: “fal sot e fal mot”, i mësuat njerëzit me huqe. Ndërsa pensionistët paguanin ujë e drita, bizneset s’ paguanin një kokërr leku. Kjo është demokracia? Sepse qenë politikanët ata që inkurajuan, e zhytën duart të parët deri në bërryla në pasurinë e shtetit. Pse nuk dukeni të psonisni në treg si tërë populli? Sepse juve jua ilustronin këpucët shërbëtorët. Familjet e politikanëve dhe fëmijët tuaj u pasuruan e u bënë milionerë brenda vitit. Nuk e shikon populli këtë, thoni ju? Fëmijët e politikanëve i bënë naftën shkollave tona dhe ikën të studiojnë jashtë. Pse nuk mund ta bëj dot këtë investim për studime normale një familje fshatare apo qytetare e sotme?

Mos vallë fëmijët e politikanëve qenkan më të zgjuarit?A nuk e krijuan politikanët e tyrlilloj ngjyrave diferencën klasore mes shtresave të popullit? Sakrifikohu! thotë ministri. Po pse ti qeveritar nuk sakrifikohesh? Ok. Po, pse nuk e jep ti shembullin i pari që të përballesh me padrejtësitë? More, po qoftë njëri, xhanëm! Sepse je i zhytur vet këmbë e kokë në llumin e padrejtësive. A nuk i ke vënë ti në punë këta pedagogë që ua kërkojnë vajzave të popullit për të kaluar klasën? Turp! Turp e i zëntë buka e popullit! Po ti, o qeveritar, dje apo sot…ti o ministër, dje apo sot… a ke qenë ndonjëherë i pari për të denoncuar pedagogun që u kërkon lekë fëmijëve të popullit për provimin? Apo bën qorrin? Fjala është për ty deputet që fle gjumë në kuvend apo për ty që rrufit kafe më kafe dhe i shikon studentët nga TV. Grykësia e pandalshme e çdo ngjyre në këto 28 vite, veçse e ka bërë sistem zhvatjen. Ti s’mund të jesh në ballë të kësaj sakrifice, sepse fëmijët e tu studiojnë në Evropë e Amerikë. Pse bën ti sikur nuk e shikon korrupsionin në spitalet tona, që nga Tirana e gjer në Shkodër e Sarandë? S’ke pse u futesh këtyre telasheve, sepse njerëzit e tu kurohen nëpër spitalet e Evropës. E mësuat edhe rininë keq, që të adaptojnë huqet tuaja, që t’ u rrinë pas avazit, t’ju duartrokasin, t’ju servilosen për një vend pune, për një tender, për një… Deri kur kështu më? Dhe thoni: Pse nuk ndeshet populli me padrejtësitë? Ju jeni padrejtësia vetë. Ju jeni vetë korrupsioni. Ju jeni ata që i vodhët edhe gjënë më të shtrenjtë, votën e lirë këtij populli. Ju jeni vetë zullumqarët që i keni hipur në kurriz popullit… që gjoja po e çoni drejt Evropës! U mbush kupa dhe po derdhet. Po sigurisht që kështu do të ndodhte. Kur akumulohen gjërat e zënë shtresa – shtresën, doemos që do të plaste një ditë. Studentët tanë kanë marrë arratinë.

Prindërit marrin kredi për një hyrje me qira të shtrenjtë me 5-6 vetë në një zgëq në Tiranë, sepse ju, të djathtë e të majtë, s’keni vënë dorë në përmirësimin e kushteve të konvikteve. Mos pyesni për shkollat e rretheve se e dimë vetë si dridhen fëmijët nga të ftohtit nëpër shkollat pa ngrohje. Vërtet një popull që s’proteston, meriton të jetojë në skllavëri?! U ngritën studentët, sepse nuk e durojnë dot skllavërinë, sepse u mbush kupa, sepse politikanët, shtetarët menduan për vete dhe jo për të zgjidhur hallet e popullit. Po, pse duhet të prisnit ju, të majtë e të djathtë, deri sa të mbushej kupa? Nuk i keni sytë në ballë? Pse dilni tani ekraneve që pa gdhirë të na mbushni mendjen pse dolën studentët në protestë??? Pyetja është për ju, politikanë. Studentët u ngritën në protestë, sepse u mbush kupa… Kupën e mbushët ju. Rrofshin studentët!