Korça, nuk kemi punëtorë për mbledhjen e mollëve, të gjithë kanë ikur

278
Sigal

Popullsia po plaket, punëtorë nuk do të ketë, kush do të punojë askush s’e di

Me mundin e fermerëve fiton grumbulluesi jo prodhuesi, qeveria nuk ndërhyn

Vepror Hasani

Për rajonin e Korçës gjetja e punëtorëve për mbledhjen e frutave, (kryesisht të qershive muaj më parë), dhe tashmë të mollëve, po bëhet më i vështirë nga viti në vit, pasi gjatë këtij sezoni punëtorët e kësaj kategorie punojnë në vendet fqinje: në Greqi, Maqedoni, Mal të Zi dhe gjetkë, pasi pagesa është më e lartë në krahasim me atë që ofrojnë fermerët e Korçës. Duket se për këtë vit gjetja e punëtorëve për mbledhjen e mollës u bë edhe më i vështirë. Mosgjetja e numrit të nevojshëm të punëtorëve çon në mosvjeljen e mollëve në kohën e duhur, në rënien e cilësisë së frutit dhe daljes me vonesë në treg. Të gjendur në këto kushte, fermerëve të pemtoreve u vetëofrohen punëtorë, që nuk kanë eksperiencë, pasi punëtorët me aftësi profesionale janë të paktë dhe kërkojnë paga shumë më të larta dhe e vërteta është se mbledhja e frutave është një profesion, që kërkon njohuri dhe kujdes. E ardhmja duket se do të jetë edhe më e vështirë, pasi qarku i Korçës po shkon drejt plakjes, lindjet po paksohen, numri i vdekjeve po rritet, kurse numri i emigrantëve, që punojnë në vende të ndryshme të botës, po bëhet gjithnjë e më i madh.

Çdo ditë mungesë punëtorësh

 

Çdo fermer i qarkut Korçë, në varësi me sipërfaqen e mollëve të mbjella, kërkon çdo ditë 10-15 apo më shumë punëtorë me eksperiencë, por në të vërtetë arrin të gjejë jo më shumë se 3- 4 apo 5 veta; kryesisht punonjës të tillë ofrohen nga fshatrat Dvoran dhe Vashtmi, të cilët kanë një farë eksperience dhe nga Korça, kryesisht njerëz që nuk gjejnë dot punë në qytet. Por me punëtorët që kanë përvojë të pakët në këtë punë, e dëmtojnë frutin gjatë mbledhjes, ata nuk e këputin mollën duke i përdredhur bishtin, por duke ushtruar forcë për këputjen e saj. Për pasojë mbi mollë mbetën shenjat e gishtave, sepse nuk e dinë që për shkak të mbetjes së shenjave molla fillon të kalbëzohet. Duhet të dihet gjithashtu se molla për konsum mblidhet kur arrin pikën e plotë të pjekjes së saj, kurse molla për frigorifer mblidhet disa ditë para pjekjes. Kur punëtorët nuk kanë njohuri, atëherë në frigorifer shkon edhe mall me cilësi të dobët. Por mungesa e punëtorëve nuk konstatohet vetëm te pemëtoret, por në të gjitha punët e bujqësisë, pasi të rinjtë po e braktisin fshatin. Pagat e ulta dhe emigracioni i lartë janë shkaqet kryesore të këtij fenomeni.

Fermerët: ne i prodhojmë, grumbulluesit fitojnë

 

E njëjta gjë ndodhi edhe me mbledhjen e qershive gjatë muajve maj-qershor, ku në mungesë të punëtorëve, mjaft parcela në zonën e Dvoranit, mbetën tërësisht të pambledhura, pasi në këtë kohë punëtorët (ata që ndodhen në Korçë), janë të zënë me krasitjen e kurorës së mollës. Veç kësaj qershia nëse nuk mblidhet në kohën e duhur, dëmtohet. Ndërsa punëtorët që mund të ofroheshin kërkonin pagesa të larta nga 1,200-1,500 deri në 2 mijë lekë në ditë. Madje jo vetëm kaq, fermerët u detyruan ta përgjysmonin çmimin e shitjes së qershisë, pasi me kalimin e sezonit të vjeljes qershia fillon të kalbëzohet, veç kësaj moti i sivjetshëm erdhi me shira, të cilat e dëmtojnë qershinë. Çmimi i shitjes nisi me 100 lekë dhe përfundoi në 50 lekë. Mundi i fermerëve nuk u shpërblye, pasi shpenzimet janë të mëdha. Veç kësaj, siç shprehen fermerët e Korçës, çmimi i  prodhimeve nuk vendoset prej tyre, por nga grumbulluesit, ata e marrin me çmimin që duan, ndërsa qeveria nuk ndërhyn. Ankesa vjen nga banorët e Maliqit, pasi në këtë bashki janë mbjellë 120 ha me qershi, fshatrat që kanë sipërfaqe më të mëdha janë Pocesta, Kloca dhe njësia administrative e Pirgut. Në qarkun e Korçës ka 492 ha tokë të mbjella me qershi me një prodhim të përgjithshëm 8000 tonë.

Punëtorët mungojnë, Korça drejt plakjes

 

Ndërkohë popullsia shqiptare po shkon drejt plakjes, vendin e parë e zë Korça. Në shkallë vendi numri i lindjeve në tremujorin e dytë 2021 pësoi rënie me 10,6% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Aktualisht numri më i vogël i lindjeve u shënua në qarkun e Korçës, ku vdekjet tejkalojnë me 205 numrin e lindjeve. Po kështu qarku i Korçës në tremujorin e parë 2021 pati 375 lindje dhe 708 vdekje, ndërsa në tremujorin e dytë 380 lindje dhe 585 vdekje. S’do të jetë e largët dita kur qarku i Korçës nuk do të ketë as punëtorë me përvojë dhe as punëtorë pa përvojë në punët e bujqësisë, industrisë apo aspekte të tjera. Kush do t’i bëjë punët në Korçë, askush nuk e di!