Konkurenca nis hetimet për abuzimet me çmimeve të taksive

611
Sigal

Hetim tregut të taksive, çmimit 250 lekë si tarifë fillestare

 

Tregu i taksive është vendosur nën hetim nga Autoriteti i Konkurrencës për shkak të ankesave që në drejtim të operatorëve në kryeqytet. Ankesat kanë të bëjnë me caktimin e çmimeve dhe tarifat në shërbimin e transportit të udhëtarëve me taksi në Tiranë. Hetimi paraprak është planifikuar që të mbyllet brenda tre muajsh dhe do të përfshijë periudhën nga 1 janari 2018 deri në 31 mars 2019. Në objekt të hetimit do të jetë vlerësimi i tregut për të parë nëse ka apo jo shenja të kufizimit të konkurrencës.

Situata në treg

Autoriteti i Konkurrencës ka vlerësuar se Sindikata Shqiptare e Taksive, Shoqata “Taksitë e Klasit të Parë”, si dhe disa subjekte që operojnë në shërbimin taksi, pretendojnë se një subjekt ushtron aktivitetin e tij në shërbimin taksi (4+1 vende) duke përdorur instrumente matëse (taksimetër) të verifikuar në kundërshtim me vendimin e Këshillit Bashkiak nr.3, datë 30.03.2009 “Mbi caktimin e çmimeve dhe tarifave në shërbimin taksi në qytetin e Tiranës”, i ndryshuar me vendimin e Këshillit Bashkiak nr.14, datë 28.02.2013. “Lidhur me këtë sjellje të subjektit “XXX”, Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut ka konstatuar se ky subjekt, për periudhën 01.11.2017 deri më 01.11.2018, ka zbatuar tarifën prej XXX lekë për 1.5 km e para, ndërkohë që operatorët e tjerë në treg kanë zbatuar tarifën tavan (maksimale) prej 250 lekë për 1.5 km e para. Subjekti ndaj të cilit është bërë ankesa, i është drejtuar Bashkisë Tiranë për kalibrimin e taksimetrit nën nivelin tavan të miratuar me vendimin e Këshillit Bashkiak nr. 3, datë 30.03.2009, të ndryshuar.

Bashkia Tiranë nisur nga kjo kërkesë, ka njoftuar Drejtorinë e Përgjithshme të Metrologjisë për kolaudimin e taksimetrit për mjetet e kompanisë “XXX” me “tarifë fillestare” për ditët e zakonshme të javës, me tarifë XXX lekë më të ulët nga tarifa tavan e miratuar për 1.5 km e parë; dhe “tarifë fillestare” për ditët e pushimit dhe festave zyrtare dhe për udhëtimet natën, me tarifë XXX lekë më të ulët nga tarifa tavan e miratuar për 1.5 km e parë. Sipas pretendimeve të “XXX”, Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë (DPM) ka refuzuar kërkesën e tij për kalibrimin e taksimetrave për flotën e makinave të saj në vlerën XXX lekë për tarifën fillestare, me arsyetimin se vendosja e një tarife fillestare më pak se 250 lekë është në shkelje të ligjeve në fuqi dhe dëmton konkurrencën me operatorët e tjerë të shërbimit taksi në Tiranë” thuhet në dokumentin e Konkurrencës.

Taksitë aplikojnë një çmim tavan për tarifën fillestare

Në vëzhgimin e përgjithshëm të tregut Konkurrenca ka vlerësuar se pavarësisht se ekziston një çmim tavan prej 250 lekësh për 1.5 kilometrat e parë si tarifë fillestare për shërbimin taksi kompanitë mund të kalibrojnë taksimetrin në vlera më të ulëta. Por rezulton që pothuajse të gjitha aplikojnë të njëjtën tarifë fillestare. “Në zbatim të ligjit nr. 8308, datë 18.03.1998 ‘Për transportet rrugore’, i ndryshuar, dhe udhëzimit të përbashkët të MPPTT (sot MIE) dhe MF, nr. 1726/3, datë 21.04.2008 ‘Për caktimin e çmimeve dhe tarifave në shërbimin taksi’, Këshilli Bashkiak i Tiranës me vendimin nr. 3, datë 30.03.2009 ‘Mbi caktimin e çmimeve dhe tarifave në shërbimin taksi të qytetit të Tiranës’, të ndryshuar, ka miratuar çmimet dhe tarifat maksimale (tavan) të shërbimit taksi (4+1 vende dhe 8+1 vende), poshtë të cilave subjektet taksi do të operojnë.

Referuar sa më sipër, ndërmarrjet që ofrojnë shërbimin taksi brenda territorit të Bashkisë Tiranë duhet të aplikojnë tarifa jo më ta larta se niveli tavan i përcaktuar në VKM nr. 3, datë 30.03.2009, të ndryshuar, dhe në bazë të Udhëzimit nr. 1726/3/2008, taksistët janë të lirë që të kalibrojnë taksimetrat e tyre me tarifa poshtë vlerës maksimale duke zgjedhur tarifa më të ulëta, si dhe t’u japin klientëve mundësinë e negocimit për uljen e këtyre pagesave.

Nga shqyrtimi dhe vlerësimi i ankesave dhe kërkesave të paraqitura, si dhe informacionit të depozituar lidhur me to, rezulton se, pavarësisht se taksistët janë të lirë që të kalibrojnë taksimetrat e tyre me tarifa poshtë vlerës maksimale (tavan) të miratuar, duke zgjedhur tarifa më të ulëta, pothuajse të gjitha ndërmarrjet që operojnë në tregun e transportit të udhëtarëve me taksi (4+1 vende) në qytetin e Tiranës, zbatojnë tarifën fillestare tavan prej 250 lekë për 1.5 km e para.

Për sa më sipër, nisur nga problematikat e ngritura në mënyrë të vazhdueshme në tregun e shërbimit taksi, sjellja e ndërmarrjeve që operojnë në tregun e transportit rrugor të udhëtarëve me taksi (4+1 vende) në qytetin e Tiranës, mund të shfaqë, ose jo, shenja të kufizimit të konkurrencës në kuptim të nenit 4, pika 1 dhe nenit 9 të ligjit nr. 9121, date 27.03.2003 ‘Për Mbrojtjen e Konkurrencës’, të ndryshuar” thuhet në vendimin e Konkurrencës