Koncesioni i laboratorëve gërryen buxhetin dhe rrezikon jetën e pacientëve, mjekët nën presion të mos ‘e teprojnë’ me analizat

447
Sigal

 

Në mes të këtij viti kur qeveria bëri disa ndryshime buxhetore i çoi fondet për pagesën e koncesionit të laboratorit në 1.6 miliardë lekë nga 1,3 miliardë lekë që ishin parashikuar në fillim të vitit.

Koncesionet në shëndetësi vijojnë të gërryejnë buxhetin e shtetit. Ndonëse ka rezultuar një skemë tipike korruptive, shteti vijon të paguajë miliona çdo vit për privatin. Përveç Check Up dhe hemodializës, duket se aferë po rezulton dhe koncesioni më i fundit, ai i laboratorëve.Qeveria ja ka dhënë privatit laboratorët, ndonëse kishte të gjithë infrastrukturën e nevojshme dhe duket se tani po kuptohet arsyeja. Qytetarët sorollaten për të bërë analiza, pasi janë të centralizuara jo në poliklinika, ku është dhe më afër qytetit siç flitej, por në spitale. Ka raste që aplikohen lista pritjeje, që qyetarët duhet të presin radhët për analizë, por ndodh që sëmundja të mos presë dhe mundet dhe t’u marrë jetën.  Mjekët në Qendrën Spitalore, pohojnë në kushte anonimati se, janë në presion për të autorizuar me pak analiza, por profili i punës në këtë spital kërkon që analizat për pacientët e shtruar të jenë të shpeshta për te vëzhguar ecurinë e pacienteve dhe në bazë të tyre ndryshohen edhe mjekimet.

Koncesioni kufizon mundësinë e pacientëve për të bërë analiza, duke rrezikuar direkt jetën e qytetarëve pasi në bazë të analizave do jepet dhe diagnoza dhe ndyshimi i ilaçeve

Ekspertët e shëndetit publik e kritikojnë këtë skemë të partneritetit publik privat me argumentin se po kufizon mundësinë e pacientëve për të bërë analiza.‘Në qoftë se i kufizon pacientit mundësinë për të kryer analiza, praktikisht e ke ekspozuar atë ndaj sëmundjeve kronike ose më sëmundje akute apo sëmundje tumorale, duke rrezikuar direkt jetën e një pacienti,’ tha Erion Dasho, ekspert i shëndetit publik për VOA. ‘Dëmton shëndetin dhe në raste të caktuara e dënon atë me vdekje.

Ekzekutivi ka rritur ndjeshëm fondet për këtë laborator, duke kapur shifra alarmante. Ministria e Financave ka publikuar së fundmi raportin zyrtar të monitorimit të koncesioneve, duke dhënë dhe shifrat përkatëse. Por skandali është se fondi standard që duhet të shkojë për kompaninë është 1.3 miliardë lekë, ndërkohë që sipas MFE pagesat po bëhen mbi bazë analizash.

Gjatë vitit 2021 nga të dhënat e raportuara nga Autoriteti Kontraktues: Shërbimi i laboratorëve është ofruar për 14 Spitale Referuese. E shprehur në terma financiare të dhënat tregojnë se për mbulimin e këtij shërbimi Qeveria Shqiptare kishte planifikuar një shumë prej 1,137,845 lekësh me TVSH, nga të cilat janë paguar në total 1,103,199 lekë me TVSH. Përfitimet e marra nga ky shërbim janë të shumta pasi kur shërbimi ofrohej nga spitalet gama e analizave në spitalet universitare ishte deri në 100, ndërsa sot janë 164 ekzaminime. Sa i takon spitaleve rajonale, kjo gamё ishte akoma më e ulët, një paketë bazë me rreth 50-70 ekzaminime, ndërsa sot janë 164 ekzaminime”, theksoi Ministria e Financave. Sipas raportit, kjo kontratë ka nisur funksionimin e saj më datë 2 Nëntor 2020 në Qendrën Universitare Spitalore “Nënë Tereza”. Referuar raportimeve dhe konfirmimit të Autoritetit Kontraktues, aktualisht ka filluar shërbimi në të gjitha spitalet universitare në vend, në spitalet rajonale të Durrësit, Elbasanit, Shkodrës, Fierit, Beratit, Korçës, Lezhës dhe spitalin bashkiak Lushnjë.Në mes të këtij viti kur qeveria bëri disa ndryshime buxhetore i çoi fondet për pagesën e koncesionit të laboratorit në 1.6 miliardë lekë nga 1,3 miliardë lekë që ishin parashikuar në fillim të vitit. Por duket se ndryshe nga kontrata fillestare ku përcaktohet se fondet do jenë 1.3 miliardë lekë, në të vërtetë pagesat bëhen mbi bazë të numrit të analizave.Shërbimi i laboratorëve mjekësorë është kontrata e katërt e partneritetit publik-privat në sektorin e shëndetësisë. Kontrata u fitua nga konsorciumi “Labopharma” me seli në Tiranë, “Exalab” me seli në Francë dhe kompania guackë “AB Laboratory Solution” B.V e regjistruar në Hagë të Holandës dhe po zbatohet prej vitit 2020 nga kompania koncesionare “Laboratory Netëorks”.

Qytetarët paguajnë për PPP nën hetim

Kontrata e kushtueshme e partneritetit publik privat për shërbimin e laboratorëve mjekësorë po hetohet për korrupsion nga Prokuroria e Posaçme, SPAK pas vlerësimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit se Ministria e Shëndetësisë e ka dhënë atë në kundërshtim me ligjin. Zbatimi i kontratës ka sjellë gjithashtu pasojat për pacientët dhe sistemin shëndetësor.