Sigal

Nga Dhimitër Gegprifti

Shkrimi kushtuar Kishës së “Shën Dhimitrit” në Podgozhan të Pogradecit nuk është një sensacion, por një realitet historik. Besimtarët e këtij fshati dhe besimtarë të tjerë në të folurin e përditshëm e shqiptojnë Kisha e “Shëmbitrit” një formë dialektore e këtij fshati. Nuk ka munguar që kjo kishë të quhet Paraklis, por ne do të shpjegojmë dhe argumentojmë se ajo ka qenë dhe mbetet Kishë, pasi plotëson të gjithë parametrat e një kishe me të gjithë elementet e saj. Nga 7 kishat, që ka pasur ky fshat, 5 nga të cilat sot janë vetëm toponime dhe ndonjë gojëdhënë për to, kanë funksionuar vazhdimisht, funksionojnë edhe sot në ditët tona, “Shëmbitri” (Dhimitri) dhe “Shepremtja”. Edhe kjo kështu shqiptohet. Ne jemi vetë dëshmitarë okularë të aktivitetit të kësaj kishe me klerikë të ndryshëm të kohës, por edhe dëshmitarë të tjerë të aktivitetit të kësaj kishe, të varrezave, që ndodhen në oborrin e saj të punuar me gurë çmërshi. Vihet re brenda saj: Prania e Altarit, afresket në muret brenda, por shumë të dëmtuara si dhe afresku i Shën Dhimitrit mbi derën e jashtme origjinale. Muret e kësaj kishe kanë qenë të dekoruara me afreske të ndryshme, të cilat i vërtetojmë vetëm me 3 foto nga ato të nxjerra prej setit të fotografive të viteve 1954-1955 që gjenden në arkivin familjar të “Piktorit të merituar” Anastas Kostandini (Taso), pasi sot nuk ekzistojnë. Për lashtësinë e kësaj kishe flet jo vetëm një datë e shënuar në muret e jashtëm të saj, 1159. Mendimet e studiuesit Gjergji Gusho, por edhe dokumenti arkivor, që ndodhet në arkivin e Kishës “Ngjallja e Krishtit” Pogradec, nxjerrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave dhe publikuar në librin në proces botimi “Ortodoksia në qytetin e Pogradecit dhe rrethinat e tij”-2016 (A.Q. SH, Faqe 1036, V. 1946, D. 68, Fl 50 ) Na duhet të nënvizojmë se kjo hyn në atë kategori kishash dhe objektesh të tjera fetare të besimeve të tjera, që nuk i shkatërroi dallga e shkatërrimeve të vitit 1967. Me sa mbajmë mend ne ajo është vlerësuar “Monument Kulture” dhe ruhej nga shteti. Lashtësia e saj i kalon kufijtë brenda krahine, rrethi, por edhe më gjerë se kaq. Lashtësia e saj vlerësohet edhe nga mënyra e ndërtimit, nga lënda e përdorur, nga afresket në muret e saj, por edhe nga jashtë mbi derën e saj, të cilat, megjithëse të dëmtuara, ruhen edhe sot në vitin 2018. Fshatarët tregojnë se në këtë kishë është meshuar dhe kryheshin shërbesa, si nga Atë Serafin Apostol Tola, por edhe të tjerë: Atë Jovan Vako, Atë Janaq Gegprifti, Atë Qirill Gegprifti, Atë Risto Jani Bitro, Atë Stefan Gegprifti, të gjithë priftërinj të këtij fshati.

Kjo tregon se nga ndërtesa dhe struktura nuk ka qenë Paraklis. Thuhet se lënda e drurit e kësaj kishe është prej pishe dhe është marrë në Prollaz (toponim), por sot nuk e mban mend asnjë. Fakti që kjo zonë mbi fshat (është qymyrmbajtëse) të lë të kuptosh se ka qenë pyll i madh. Studiuesi Gjergji Gusho mendon se: “ Vetë dëshmia e vjetërsisë së Kishës së “Shën Mitrit”, që mban datën 1159, dëshmon se fshati ka qenë edhe më i vjetër se kaq. Të moshuarit tregojnë gjithashtu se fillimisht fshati ka qenë shumë i përhapur deri në kufij me Kalivaçin. Për këtë flet dhe prania e gjashtë kishave të tjera, ku një ka qenë në Kalivaç…“Shëmri“, Shën Mari“ (shënimi ynë). Studiuesi Gusho vazhdon me detaje: “ pra kisha është e shekullit XII. Banorët e fshatit shprehen se ajo është më shumë se 500-vjeçare, pra është kisha më e vjetër, që ka mbetur në rrethin tonë dhe një nga më të vjetrat e Shqipërisë. Bie menjëherë në sy se ndërtesa është shumë e vjetër, me mure shumë të trashë prej gurësh të gdhendur. Ka dritare, të cilat nga jashtë duken shumë të ngushta, ndërsa nga brenda janë më të gjera në formë frëngjie, por me drejtim të kundërt. Me sa duket kjo është bërë për të shfrytëzuar sa më shumë dritën e diellit…Nga brenda kisha ka piktura murale (afreske) dhe një ikonostas të vjetër. Në oborrin e kishës gjenden pak varre me kryqe të gurtë, monolitë e të gdhendur me mjeshtëri. Ata bien në sy që janë shumë të vjetër. Në kryqin e një varri pranë kishës është gdhendur emri “Papa Jovan”. Të gjitha këto vlera nga të dhënat e deritanishme duhet të tërheqin vëmendjen e institucioneve fetare apo dhe shtetërore për këtë objekt të Lashtësisë, që ka ardhur deri sot 2018, në shekullin XXI!