Kalatë dhe qendrat kulturore kthehen në qebaptore

1514
Sigal

22 kala në Shqipëri që nuk u pushtuan dot as nga perandoria otomane, u nënshtruan nga koncesionet dhe  “tymi i qofteve” të “Rilindjes” e cila ka marë vendimin për kalimin e pasurive kulturore tek privatët për 20 vjet. “Telegraf ” e ka denoncuar këtë iniciativ rreth 2 vite më pare, si premtim dhe shpërblim për oligarkët dhe militantët e zgjedhjeve të 25 qershorit.

22 kala në Shqipëri që nuk u pushtuan dot, as nga perandoria otomane, u nënshtruan nga koncesionet dhe  “tymi i qofteve” të “Rilindjes”

01

Ministrja e Kulturës, me “bekimin” e kreut të Rilindjes, po zhvillon fushatë për të mbledhur para nga koncesionet e qendrave të kulturës dhe ato historike që përbëjnë themelin, zemrën dhe shpirtin e Kombit Shqiptar. Veç financave, ministrja e Kulturës me porosi dhe në zbatim të urdhrave të Kryerilindasit, duhet të evidentojë emrat e personave dhe oligarkëve që si fazë e parë do t’i përfitojnë me kontrata 20-vjeçare. Në fazën e dytë, këto pasuri do të falen, duke ndjekur shembullin e tokave në bregdet, ku oligarkët si fillim i morën në përdorim dhe më vonë doli VKM-ja për privatizimin e tyre. Si shpërblim “Rilindja” kërkon nga përfituesit dhe oligarkët, kur të fillojë fushata e zgjedhjeve, sa më shumë vota për hambarin “mavi”. Dikush mund të thotë se të gjithë janë të lirë të konkurojnë dhe t’i përfitojnë? Por populli thotë se “ dardha e ka bishtin prapa”. “Rilindja” ka menduar që këto pasuri do t’i përfitojnë ata që kanë licenca të veçanta. Dihet që këto dokumente jepen nga ministritë e linjës së Rilindjes dhe ato mund t’i përfitojnë vetëm militantët dhe oligarkët rreth tyre. Po ku e ka zanafillën ky vendim, për kalimin e pasurive kulturore tek privati, nën atë që njihet si rijetëzim, do të bëhet përmes kontratave specifike dhe që duhet të përmbushin disa kushte? Zanafilla e kësaj maskarade nis me premtimin e bërë nga Rilindja para fushatës së 25 Qershorit 2017, pikërisht kur nisi fushata për “timonin dhe tepsinë vetëm”.

 

02

Ja si e ka paralajmëruar këtë maskaradë gazeta “Telegraf ” rreth  2 vite më parë dhe pikërisht para zgjedhjeve të 25 qershorit:

Gjithë zonat e vendit, të cilat kanë kala, qendra historike, parqe kombëtare e lokale, kulturore e natyrore të njohura si vlera turistike, prej 1 muaj e veçanërisht në këto ditë para 25 qershorit të votave parlamentare 2017, po zhurmojnë nga premtimet elektorale, për të dhënë me koncesion këto vlera turistike, ku në qendër të premtimit është joshja për dhënien me qira afatgjata të kalave historike, nën maskën e administrimit për të mos u shkatërruar! Këtë sinjal premtimi e dha edhe “kryerilindësi” Edi Rama në një takim elektoral në Tepelenë, duke thënë se pas 25 qershorit do të ndërhyhet edhe në Kalanë e Ali Pashë Tepelenës”, e cila sipas tij, që të ketë vizitorë duhet futur në eficencë! Këto premtime po i bën në qarkun e Gjirokastrës edhe ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, kandidate për deputete e “Rilindjes” në këtë zone, e cila po kërkon vota, duke folur për administrimin me koncesion të Kalasë “Argjiro” në Gjirokastër e të kalave të tjera në Libohovë, Përmet e Tepelenë, ku këto objekte historike janë të shumta! E përveç premtimeve për dhënien e kalave me koncesion, po bëhen premtime edhe për dhënien e qendrave të tjera kulturore të çdo lloji, tek qendrat arkeologjike, që në zonën e Jugut janë të shumta me vlera të mëdha turistike! Kujtojmë, që ministrja e Kulturës, Kumbaro, ka qenë nismëtare e projektit për dhënien e kalave me koncesion, projekt të cilin e nisi me koncesionin e Kalasë së Lezhës, duke dhënë lejen për ta kthyer atë edhe në tezga mallrash, në motel, gjellëtore e qebaptore! Vetë “Rilindja”, në vitin 2012 denoncoi projektin e dhënies me qira të kalave, monumenteve të kulturës, parqeve kombëtare, objekteve e vendeve historike. Por pas ardhjes në pushtet më 2013-ën, nuk e anuloi këtë projekt, por nisi ta zbatonte vetë. Ka shumë reagime në lidhje me këtë skandal, që kthen kalatë dhe monumentet e kulturës objekte fizike e natyrore në qebaptore, hotele, restorante e motele, parkingje makinash, pika lavazhi, tregje perimesh, depo mallrash me shumicë e në çdo lloj biznesi tjetër, që do t’u interesonte koncesionarëve. Burime nga shtabi elektoral i “Rilindjes”, bëjnë me dije se këto premtime po bëhen edhe nga kandidatët e saj për deputetë në Shkodër, Kukës, Dibër, Burrel, Lezhë, Fier, Elbasan, Korçë, Vlorë, Sarandë, Pogradec, Berat, Delvinë, Lushnjë e kudo ku ka qendra dhe objekte të tilla që shërbejnë për biznes turistik! Po kështu, burime nga brenda Ministrisë së Kulturës, bëjnë me dije, se biznesi i dhënies së kalave e monumenteve të kulturës me qira është rikthyer si projekt dhe është në fuqi, por është bërë gati të zbatohet pas zgjedhjeve të 25 qershorit, nëse “rilindja” do arrijë të ketë në dorë vetëm, gjithë tepsinë e pushtetit! Madje, janë bërë gati edhe listat e atyre që do t’i marrin këto koncesione, por gjithçka po tentohet të mbahet sekret. Shqiptarët do të shohin këtë batërdi koncesionesh të reja që do t’u kushtojnë miliarda lekë, vetëm kur mbi bedenat e kalave të dalë tymi i qofteve dhe të dëgjohen ulërimat e të dehurve! Kujtojmë, që mbi dhe brenda shumë kalave të vendit, janë hapur biznese kafenesh, hotelesh, magazinash mallrash me shumicë, diskosh, restorantesh, parkingjesh, në muret e të cilave janë ngjitur edhe reklamat e bizneseve! Nuk ka asnjë ndryshim nga propozimi i vitit 2012, të bërë prej Institutit të Monumenteve të Kulturës, përkundrazi janë shtuar edhe 110 qendra dhe objekte të tjerë, që do të jepen me koncesion!

 

Ja lista e 22 kalave dhe qendrave historike, të skeduara për t’u dhënë me koncesion

Kalaja e Beratit

Kalaja e Shkodrës

Kalaja e Delvinës, Sarandë

Kalaja e Këlcyrës, Përmet

Kalaja e Pogradecit

Kalaja e Kepit të Rodonit

Kalaja e Kardhiqit, Gjirokastër

Kalaja e Libohovës, Gjirokastër

Kalaja e Melanit, Gjirokastër

Kalaja e Borshit, Sarandë

Kalaja e Bashtovës, Kavajë

Kalaja e Porto-Palermos, Vlorë

Kalaja e Kaninës, Vlorë

Kalaja e Plloçës, Vlorë

Kalaja e Peqinit

Kalaja e Ali Pashës, Xarë, Sarandë

Kalaja e Ali Pashës në hyrje të Vivarit, Sarandë

Kalaja e Petrelës, Tiranë

Kalaja e Prezës, Vorë, Tiranë

Hamami i Krujës

Hamami i Durrësit

Hamami i Slatinjës

 

03

Pikërisht këto ditë “Rilindja” ka marë vendimin për kalimin tek privati të kalave, objekteve të kulturës dhe ato muzeale, ku pjesa dërrmuese ose janë në bregdet si pronë e shtetit dhe e mbarë shqiptarëve ,ose janë në zemër të qyteteve dhe zonave turistike. Rasti i shumëpërfolur i Butrintit, kalasë së Ali Pashë Tepelenës në bregdetin e Jonit (Porto-Palermo), Petrelës në Tiranë do të jenë në shënjestrën e kësaj babëzie. Ja vendimarrja:

 

Kalimi i pasurive kulturore tek privatët, miratohen kushtet e kontratave, do jenë 20-vjeçare

Kalimi i pasurive kulturore tek privati nën atë që njihet si rijetëzim do të bëhet përmes kontratave specifike që duhet të përmbushin disa kushte. Në një vendim të fundit të publikuar tashmë në fletoren zyrtare bëhen të qarta edhe këto kushte. Kështu lidhur me qëllimin thuhet se këto kontrata kanë për qëllim dhënien në përdorim e pasurisë kulturore publike, me qëllim rijetëzimin, nëpërmjet kryerjes së përmirësimeve dhe të përdorimit të saj për ushtrimin e funksioneve administrative dhe social-kulturore, sipas projektit bashkëlidhur kësaj kontrate dhe që është pjesë integrale e saj, në përputhje me vlerat kulturore të pasurisë dhe destinacionit të përdorimit. Kalimi përmes këtyre kontratave do të bëhet me konkurs publik dhe pjesëmarrësit duhet që të saktësojnë llojin e aktivitetit që do të kryejnë në projektet e tyre të shpallur fitues. “Përdoruesi duhet të realizojë shërbimet që do të garantohen për të siguruar shfrytëzimin dhe aksesin e publikut në pasurinë kulturore, nivelet cilësore të aktiviteteve dhe shërbimeve që do të ofrohen, si dhe  objektivat  për  promovimin  e  pasurisë kulturore, sipas parashikimeve në pjesën e posaçme të kësaj kontrate” thuhet në vendim.Të gjitha ndërhyrjet mbrojtëse apo ruajtëse kryhen vetëm sipas një plani të dakordësuar më herët mes shtetit dhe përdoruesit që ka marrë pasurinë. Lidhur me afatin thuhet se kontrata e rijetëzimit lidhet për një kohëzgjatje deri në 20 vjet, me të drejtë rinovimi vetëm 1 (një) herë.  Efektet juridike të kontratës fillojnë ditën e nesërme pas dorëzimit të pasurisë kulturore, sipas parashikimeve të kësaj kontrate (procesverbalin e pasurisë, nënshkrimin e saj nga palët). Sa i takon tarifave që merr shteti nga kjo kontratë sanksionohet se “tarifa  e  dhënies  në  përdorim  do  të përcaktohet nga administratori mbi bazën e tarifave të miratuara. Tarifa do të paguhet nga përdoruesi, në mënyrë  periodike  mujore/vjetore. Të gjitha pagesat do të regjistrohen   rregullisht në dokumentacionin financiar të përdoruesit”. Kurse për tarifat që merr përdoruesi nga vizitorët nënvizohet se janë dy aspekte. Tarifat për vizitorët lidhur me hyrjen në pasurinë kulturore përcaktohen nga administratori, pra institucioni publik që ka kaluar këtë tek privati, kurse tarifat e tjera për shërbimet që ofron përdoruesi brenda pasurisë përcaktohen nga ky i fundit.