Ja ‘taksa’ e fshehtë që po boshatis xhepat e shqiptarve

433
Sigal

Skema e alarmit/ Kompanitë grosiste pasi kanë financuar partitë politike, po kërkojnë të nxjerrin fitimet në kurriz të qytetarve duke abuzuar me ccmimet e produkteve të përditëshme, kryesisht ushqime dhe fruta perime. Mbi 40% të parave, familet po i shpenzojnë për bukë, ilaçe, drita dhe uji, pasi fruta-perimet janë 10 fishuar dhe nuk i blejnë dot. Ndërkohë që shteti hesht, prodhuesit deklarojnë se ccmimet në treg janë 800% më të shtrenjta se sa blejnë tek ne

Skema e alarmit e “taksës” e fshehtë, që rëndon xhepat e qytetarëve, me abuzimin e çmimeve të produkteve të shportës, nga prodhuesi e deri te konsumatori

 

 Fermerët ankohen: Kemi mbi një vit që shesim nën kosto

 

Konsumatori ankohet për çmimet e produkteve të shportës, ndërkohë nëse hedhin sytë nga fermerët prodhimet bujqësore shumë herë përfundojnë në kanal. Prodhuesi dhe konsumatori final janë ata që ngrejnë alarmin për çmimet.
Fermeri kultivon prodhime bujqësore që kushtojnë lirë, ndërsa grosisti i shet ato shtrenjtë tek tregtari vogël. Si përfundim, tryeza e shqiptarëve shtrohet me ushqime që shiten lirë, por që blihen shtrenjtë nga konsumatori fundor.
Besnik Qerreti, 7 vite më parë u kthyeu nga emigrimi. Kursimet e jetës së tij vendosi t’i investojnë në bujqësi. Besniku, nga Lushnja në sera kultivon fruta dhe perime. Sipas tij, nga muaji shtator e deri në dhjetor të 2020, fermerët janë përballur me mungesën e tregut.

“Taksë” e fshehur që paguajnë qytetarët: Tarifat e larta në kundërshtim me Entet Rregulluese,  të ujit dhe dritave që u faturohen tregtarëve, rrisin çmimet e prodhimeve që rëndojnë mbi xhepat e banorëve të Tiranës dhe qyeteteve përreth.

“Kemi mbi një vit që shesim nën kosto. Pandemia uli çmimin e zarzavateve. Domaten këtë vit e kam shitur 20-30 lekë kilogramin. Ndërkohë që kostoja e prodhimit është 50-60 lekë. E njëjta gjë më ndodhi edhe me trangullin ne periudhën shtator e deri në dhjetor, e kam shitur me 40 lekë kilogramin. Ky çmim është tepër i ulët, pasi në këto muaj, rendimenti, për shkak të dritës, është shumë i pakët”, tha Besniku. Domatja që kultivon ai është ajo e varietetit rosalinda, këtë domate konsumatori në Tiranë e blen me 150-200 lekë kilogramin.

Kush abuzon me çmimet e fruta- perimeve?

“Duhet të jetë shteti ai që të investigojë se kush abuzon me çmimet. Po ashtu duhet të jetë po shteti, rregullatori i çmimeve. Tregtarët e mëdhenj kilogramin e domates në disa raste ma kanë kërkuar edhe me 20 lekë kilogramin, me këtë çmim unë nuk mbuloj as transportin për të çuar mallin në treg. Për pasojë e hodha në kanal”, përfundoi Besniku.

Qendra ALERT, një Organizatë Jofitimprurëse, po zbaton projektin “Monitorimi i subvensioneve në bujqësi dhe përpjekjet për Kapitullin XII, Siguria Ushqimore”, të mbështetur nga “Investigative Network Albania”, si një ndihmesë për fermerët dhe për të rritur cilësinë e ushqimeve të tryezës. Gazetarët investigativë të kontraktuar nga Qendra ALERT, kanë analizuar zinxhirin konsumit që nga prodhuesi e deri tek konsumatori final.
Për festat e fundvitit gjithnjë kemi vënë re ngritje të çmimit të fruta-perimeve. Qendra ALERT ka siguruar një faturë TVSH se sa ka qenë çmimi i domates në datën 22/12/2020. Sipas kësaj fature, fermeri domaten tek grosisti e ka shitur 18 lekë për kilogram, ndërkohë që domatja në tregjet e Tiranës në këtë periudhë ka qenë 80-120 lekë kilogrami. Sipas tregtarit të vogël, abuzimi i çmimit ndodh në tregun agro -ushqimor të Tiranës.

Tregtarët e mëdhenj kilogramin e domates në disa raste ma kanë kërkuar edhe me 20 lekë kilogramin, me këtë çmim unë nuk mbuloj as transportin për të çuar mallin në treg. Për pasojë e hodha në kanal”

Por sa e vërtetë është kjo?

Magazinimi dhe tregtia me shumicë e produkteve agro-ushqimore në Tiranë është në një situatë monopol, sipas Autoritetit të Konkurrencës. Ky institucion vlerëson se, i vetmi treg shumice është ai në hyrje të Tiranës, treg që administrohet nga kompania “Ekma Albania”, e cila jep mjedise me qira për bizneset. Sipas këtij institucioni, kjo kompani abuzon me çmimet e larta të qirave. Çmimet e qirasë janë disa herë më të larta se ato që aplikohen në zonë. Ndërkohë që tregtarët nuk kanë alternativë tjetër se ku mund të tregtojnë. Tjetër abuzim është ai me çmimet e energjisë elektrike dhe ujit që u faturohen tregtarëve, tarifat janë shumë herë më të larta se ato të vendosura nga Entet Rregulluese. Si pasojë e sjelljeve dhe fakteve të mbledhura nga Autoriteti Konkurrencës, tregu i agro-ushqimor ka ndjekur politika monopoliste, për këtë arsye u mor masë administrative me gjobë 420 mijë dollarë. Këto abuzime kanë reflektuar në rritjen e çmimit të prodhimeve bujqësore vendase dhe të importuara. Për pasojë shqiptarët paguajnë një “taksë” të fshehur, abuzimi i një tregu që rëndon mbi xhepat e banorëve të Tiranës dhe qyeteteve përreth.

Sipas Sekretarit të Bashkimit të Prodhuesve, Arben Shkodra, mungesa e agrobursës sjell dëme financiare për prodhuesin dhe konsumatorin.
“Bursa bujqësore, tregon cilat janë çmimet e pikut, nga ku meret referenca. Bursa krijohet atëhere kur i gjithë sistemi agrar është formal.”

Nëse krahasohemi me vendet e rajonit Shqipëria ka  çmimet me të larta në raport me të ardhurat. Një familjeje prej 4 anëtarësh e ka të pamundur të mbulojë shpenzimet e mbetura, si qira, faturat e OSHEE-së, ujit, transporti, arsimin dhe shëndetësinë

Po përse në Shqipëri nuk është ngritur bursa bujqësore?

Mungesa e 12 pikave të grumbullimit multidisiplinore, shkakton hemorragji financiare për fermerin. Po çfarë janë këto pika grumbullimi multidisiplinore?
“Këto pika grumbullimi luajnë rolin e këshilltarit për bujqësinë. Janë pikat e grumbullimit ato që masin temperaturën se çfarë kërkon tregu. Pikat multidisiplinore të grumbullimit më anë të aktmarrëveshjes që lidhin me fermerët garanton produkt cilësor. Këto pika grumbullimi
prodhimit bujqësor e shoqërojnë më certifikatë fitosanitare, si dhe fletë-analizë, pasi në këto qendra multidisiplinore, ngrihet edhe infrastruktura laboratorike. Një sistem i rregulluar ul marzhin e mashtrimit dhe të abuzimit me çmimin”- tha Arben Shkodra.
Pikat e grumbullimit në Shqipëri, janë biznese private të cilat luajnë rolin e sekserit midis prodhuesit dhe konsumatorit. Pikat e grumbullimit në vendin tonë, kanë për qëllim të ulin vlerën e produktit, pasi kështu rrisin fitimin e tyre.
Po cili është ai insitucion që duhet të rregullojë sistemin e çmimeve?

1 – Komisioni i Mbrotjes së Konsumatorëve varet nga Ministria e Financave, ky sektor meret me hartimin e politikave e të drejtave të konsumatorëve, dhe sigurimin e ushqimit cilësor. Pra ky komision nuk e mbron konsumatorin shqiptar nga tregtarët abuzivë.
2 – Agjensia e Mbrojtes së Konsumatorit nëpërmjet Sektorit të Monitorimit të Tregjeve, kryen funksione monitoruese dhe informuese.
Konkretisht ka të bëjë me kontrollin e të dhënave të tregut, evidentimin e problematikave në tregje si dhe monitorimin e cilësisë dhe sigurisë së shërbimit dhe kontrollin e infrastrukturës së nevojshme në ambientet e tregut. Pra ky institucion nuk ka në kompetencë hetimin e çmimeve.
Qenda ALERT ka qenë në kontakt me Autoritetin e Konkurrencës. Sipas këtij Autoriteti në vendin tone, është shumë e vështirë të gjesh se kush abuzon me çmimet, pasi ne kemi një treg informal dhe të pa sistemuar.

Pandemia, rriti çmimin e fruta- perimeve

As Akti Normativ nuk frikësoi tregtarët abuzivë. Në muajin e parë të shpërthimit të pandemisë Covid19, në tregjet e vendit tonë u pa se çmimi i agrumeve u shumëfishua. Një kilogram limona, qytetarët tek tregtari i vogël e blen 400 lekë. Disa ditë para shpërthimit të Covid 19, limoni kushtonte 180 lekë kilogrami. Shpërthimi i pandemisë rriti çmimin e produkteve ushqimore. Me qëllim mbajtjen nën kontroll të çmimit të produkteve në treg. Kryeministri Edi Rama, në 15 mars të 2020, paralajmëroi gjoba deri në mbyllje të aktivitetit për cilindo që abuzonte me çmimet. Në këtë date, në fletoren zyrtare u publikua akti normativ i posaçëm për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga Covid 19. Në këtë akt normative, merren masa të menjëhershme ndaj tregtarëve që abuzojnë. 5 milionë lekë për tregtarët e shumicës dhe 100 mijë lekë për tregtarët e pakicës. Nëse kjo vepër përsëritet, atëherë abuzuesve do t’u mbyllet aktiviteti për 6 muaj.
Gjithashtu, po gjatë kësaj periudhe, Drejtoria e Përgjithshmë e Tatimeve vuri në dispozicion numrin jeshil 0800 14 14, ku qytetarët mund të denonconin rastet abuzive. Vetëm në 24 orët e para në këtë numër pati 165 telefonata, ku 75% prej tyre denonconin rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore. Gjoba dhe zëri i qytetarit as kësaj herë nuk e trembën tregtarin abuzues.
Pavarësisht ashpërsimit të masave administrative, fenomeni i rritjes së çmimeve nuk u ndal. Në raportin e indeksit të çmimeve të konsumit për muajin mars, Instituti i Statistikave, INSTAT raportoi për një rritje me 24% në raport me marsin e vitit të kaluar të produkteve, kryesisht ushqimore.

Rritje pësuan edhe çmimet e perimeve dhe zarzavateve, të cilat në muajin mars ishin 8 për qind më të larta se njëjta periudhë e një viti më parë, pas një rënieje sistematike në dy muajt e parë të vitit, janar dhe shkurt. Trendi i rritjes së çmimeve të konsumit kryesisht të produkteve bujqësore u evidentua edhe për muaji prill, në raportin e INSTAT.

Sa para shpenzojnë shqiptarët për produktet ushqimore?

Sipas të dhënave të siguruara nga INSTAT mbi 40% e të ardhurave në familje shpenzohen për ushqime. Në vitin 2019, shpenzimet mesatare mujore për konsum për një Njësi Ekonomike Familjare, të përbërë mesatarisht nga 3,7 persona janë 82.235 lekë. Totali i shpenzimeve për konsum është 63.5 miliardë lekë në muaj për 771.600 familje. Vlerësimi i shpenzimeve mesatare mujore për konsum të Njësive Ekonomike Familjare për vitin 2019, është 5.6% më i lartë se në vitin 2018. Rritja e çmimeve të konsumit, në vitin 2019, krahasuar me vitin 2018, është, 1.4%.

Sa i përket strukturës së shpenzimeve mesatare mujore për konsum të NjEF-ve, sipas 12 grupeve kryesore të konsumit, peshën më të madhe e zënë grupet: Grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike”, me një vlerë mesatare mujore të shpenzimeve prej 33.952 lekë, i cili zë një peshë prej 41,3% në buxhetin familjar.
Nëngrupet që zënë peshën më të madhe në shpenzimet për ushqim janë: “mish dhe nën produkte” me 20,7%,“ perimet” me 18,1%, “qumësht me nënproduktet e tij dhe vezë” me 14,4%, ndjekur nga “frutat” me 9,4%. Pjesën e mbetur të buxhetit të familjes shqiptarët e përdorin për të paguar faturat si ujë, drita dhe banesë. Sipas ekspertit të ekonomisë Arbi Agalliu, fatkeqësisht pjesa më e madhe e të ardhurave në Shqipëri shkon për konsum, dhe pjesën më të madhe e zënë ushqime. “Çmimet e ushqimeve apo produkteve bazë të ushqimeve kanë vlerë të larta. Nëse krahasohemi me vendet e rajonit Shqipëria ka indeksin me të lartë të çmimeve në raport me të ardhurat. Familje shqiptare pjesën dërrmuese të ardhurave e çojnë për konsum. Të ardhurat minimale të një familjeje prej 4 anëtarësh janë 60 mijë lekë. Ndërkohë që nëse i referohemi të dhënave që ka publikuar INSTAT për vitin 2019 afërsisht 33,952 lekë shkojnë për ushqime dhe pije alkolike. Me pjesën e mbetur familja shqiptare e ka të pamundur të mbulojë shpenzimet e mbetura, si qira, faturat e OSHEE-së, ujit, transporti, arsimin dhe shëndetësinë”, përfundoi Agalliu. Kjo analizë na nxjerr drejt një konkluzioni. Shqiptarët paguajnë shumë dhe kequshqehen, pasi çmimet e produkteve ushqimore në raport me të ardhurat e një familje, janë tepër të larta. Rudina Muça/ “Alert”