JA SI MUND TË PUNONI PA VIZA NË GJERMANI

1727
Sigal

Ja si mund të punojnë shqiptarët pa viza pune në Gjermani

Ekspertja Aneta Wolter sqaron ligjin e ri të emigracionit gjerman

Kohët e fundit ka pasur mjaft lajme fiktive mbi legjislacionin e ri gjerman dhe “portat e hapura” që presin për emigrantë. Zakonisht janë kompanitë e interesuara që asistojnë procedurat që prodhojnë lajme të tilla dhe media shqiptare i merr të mirëqena, pa verifikim. ISP është në kontakt me politikanen gjerman-shqiptare, Aneta Wolter që e njeh ligjin dhe që në mënyrë direkte dhe racionale jep sqarimet mbi situatën aktuale dhe pritshmëritë. Qëllimi i projektligjit: Të kontrollojë dhe të organizojë ardhjen e rregullt të fuqisë punëtore të kualifikuar nga jashtë BE-së për nevojat e ekonomisë gjermane. Kur hyn ne fuqi? Ky ligj ka shume vite që diskutohet nga politika gjermane. Aktualisht është gati një projektligj prej mbi 60 faqesh që do prezantohet nga ministri i brendshëm gjerman Horst Seehofer. Është planifikuar të kalojë në kabinet me datë 19 dhjetor. Hyrja në fuqi është planifikuar për fillimin e 2019-s dhe do jetë për 5 vjet në fuqi.

Cilat  janë barrierat? 

Të dinë mjaftueshëm gjermanisht, të zotërohet një zanat, ose diplomë, ose dhe përvojë, si dhe të jenë në gjendje të financojnë vetë qëndrimin në Gjermani për gjashtë muajt përgjatë kërkimit të punës. Nuk ka asnjë ndihmë financiare nga shteti gjerman në këto gjashtë muaj.

Si funksionon?

Bëhet një kërkesë për vizë për kërkim pune tek ambasada gjermane, sipas formularëve që kanë. Vërteton që posedon mjete financiare për këto gjashtë muaj. Në ligjin e ri nuk kërkohet paraprakisht një kontratë pune e nënshkruar (siç kërkohet aktualisht).

Për çfarë zanatesh bëhet fjalë dhe a konkurrohet për vendin e punës me gjermanet apo me evropianet? 

Bëhet fjalë për 61 grup-profesionesh që do lejohen, pra 14 më shumë se 2017, për të cilët nuk ka asnjë kufizim më për të huajt. Në raste të një konjukture të dobët ekonomike në zona të caktuara në Gjermani, është e mundur për ato zona të rikthehet menjëherë preferenca për gjermanët apo për evropianët si dhe kufizimet e zanateve të lejuara.

Çfarë ndodh me ata që janë në azil me duldung?

Për ata të mirë-integruarit dhe me kohë-qëndrime te caktuara do ketë lehtësira, por që do sqarohen në fazën tjetër. Porse nuk do lejohet i ashtuquajtur “ndryshimi i korsisë”, “Spurwechsel” për të mos përzier Azilin me migracionin për pune.

Çfarë nuk dimë ende? 

Si do operohet më tej me ligjin aktual të punësimit për njerëzit e Ballkanit Perëndimor pas hyrjes në fuqi të këtij ligji të ri? Si do jenë të shpërndara kompetencat midis dikastereve; si leja e punës, titulli i qëndrimit, bashkimi familjar, njohja e diplomës etj..? Si do funksionojë bashkimi familjar? Cilat janë detajet e zbatimit? Cilat zanate janë me shumë të kërkuara? Infermierë për të moshuar dhe për klinika, specialistë të IT-së ku dhe momentalisht ka 55.000 vende të pazëna, gastronomi, zanate te ndryshme etj. Këto informacione do të aktualizohen menjëherë pasi ligji të kalojë në Kabinet, të aprovohet dhe të detajohet.